Skip to content

Netanjahu nis justifikimet për të mos pranuar humbjen, akuza Turqisë dhe Katarit

459634

Rezultatet zgjedhore nuk kanë prodhuar vetëm një ngërç politik në Izrael, por edhe një valë akuzash që rrezikojnë të kthehen në justifikimin e radhës për të mos pranuar vullnetin e votuesve.

Partia Likud e Benjamin Netanyahut ka drejtuar gishtin nga partitë arabe, duke pretenduar se ato janë ndihmuar nga financime të huaja për të mobilizuar elektoratin.

Në shënjestër janë vendosur Katari dhe Turqia, dy vende që qeveria izraelite i sheh si armike, sidomos për shkak të qëndrimeve të tyre ndaj çështjes palestineze.

Por mes akuzave të bujshme dhe provave konkrete ekziston një hendek që deri tani askush nuk e ka kapërcyer. Policia izraelite ka deklaruar se nuk ka prova që mbështesin pretendimet për manipulim të zgjedhjeve.

Megjithatë, kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, gjyqtari Noam Sohlberg, i ka kërkuar kreut të shërbimit të sigurisë së brendshme, Shin Bet, David Zini, të hetojë dyshimet për financime të huaja dhe korrupsion elektoral.

Sohlberg pranoi se nuk mund të konfirmonte vërtetësinë e pretendimeve, por kërkoi që ato të hetohen për shkak të përfshirjes së mundshme të aktorëve të huaj.

Rezultatet e hetimit pritet të paraqiten brenda një jave. Kjo do të thotë se, për momentin, kemi të bëjmë me dyshime dhe akuza politike. Megjithatë Likud ka zgjedhur një gjuhë shumë më agresive.

Partia pretendon se zgjedhjet u vodhën nga forcat politike arabe, të cilat i akuzon për lidhje me terrorizmin dhe përpjekje për eliminimin e shtetit hebraik.

Sipas saj, manipulimi është kryer përmes korrupsionit, kërcënimeve, dhunës, falsifikimeve dhe përdorimit të programeve të paligjshme për mobilizimin e votuesve.

Në qendër të debatit janë partitë Ra’am dhe Lista e Përbashkët, të cilat së bashku kanë siguruar 19 vende në Knesset. Pjesëmarrja e lartë e qytetarëve arabë në zgjedhje është kthyer në objekt dyshimesh për Likud-in.

Drejtuesi i Listës së Përbashkët, Yousef Jabareen, ka deklaruar se partia e tij mund të bashkëpunojë me një qeveri të drejtuar nga opozita, por nuk synon të bëhet pjesë e një koalicioni qeverisës në kushtet aktuale.

Ai ka përmendur luftën në Gaza, zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe konfliktet e tjera politike si pengesa për një marrëveshje të tillë.

Ndërkohë, blloku opozitar i drejtuar nga Gadi Eisenkot ka paralajmëruar kundër shfrytëzimit politik të pretendimeve për ndërhyrje të huaja.

Eisenkot kërkon hetimin e plotë të çdo ankese, por kundërshton që këto akuza të përdoren për të ndikuar në kalendarin institucional dhe betimin e Knessetit të ri.

Dyshimet për komplote të huaja, kur nuk shoqërohen me prova konkrete, mund të shihen edhe si shenjë e dëshpërimit të një pushteti që nuk dëshiron të përballet me humbjen dhe pasojat e saj.

Për Netanyahun, largimi nga zyra e kryeministrit nuk do të ishte thjesht fundi i një karriere politike, por edhe humbja e një mburoje të rëndësishme politike përballë proceseve dhe përgjegjësive që e presin.

Akuzat për korrupsion brenda Izraelit e kanë vendosur prej vitesh nën presionin e drejtësisë, ndërsa përgjegjësia e tij për luftën në Gaza dhe krimet e dyshuara ndërkombëtare e kanë bërë figurë qendrore të një përballjeje që shkon përtej kufijve të vendit.

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhërarrest ndaj tij për akuza që lidhen me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat ai i kundërshton.

Në këto kushte, çdo pretendim për ndërhyrje të huaj që nuk mbështetet me prova rrezikon të shërbejë si instrument për të delegjitimuar kundërshtarët dhe për të blerë kohë politike.

Continue Reading