Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se normalizimi i marrëdhënieve të Izraelit me vendet arabe është një prioritet më i lartë se paqja me palestinezët.

Në një intervistë për CNN, ai tha se është “i hapur” për negociata me palestinezët dhe se bashkëpunon me ta kryesisht në çështjet e sigurisë, por jo në fusha të tjera, transmeton Anadolia.

“Unë jam sigurisht i gatshëm që ata (palestinezët) të kenë të gjitha fuqitë që u nevojiten për të qeverisur veten, por jo fuqinë që mund të na kërcënojë,” shtoi Netanyahu.

Kryeministri izraelit tha se ka arritur të nënshkruajë katër marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me vendet arabe – sipas Marrëveshjes Abrahamike – që është dyfishi i numrit të marrëveshjeve të paqes të lidhura nga paraardhësit e tij gjatë 70 viteve.

Marrëveshjet me vendet arabe

“Nëse bëjmë paqe me Arabinë Saudite – kjo varet nga udhëheqja saudite – dhe i japim fund konfliktit arabo-izraelit, mendoj se do të kthehemi te palestinezët dhe do të arrijmë një paqe të realizueshme me palestinezët”, shtoi Netanyahu.

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini nënshkruan marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin në shtator 2020, nën patronazhin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo lëvizje u pasua më vonë nga Sudani dhe Maroku.

Më parë, Izraeli arriti dy marrëveshje paqeje, me Egjiptin në 1979 dhe Jordaninë në 1994.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re