Mbështetja e sipërmarrjes në Evropën Qendrore dhe Lindore nuk duket një objektiv aspak i lehtë jo vetëm për qeveritë por as iniciativat nga sektori privat, megjithatë ka prej atyre që e kanë transformuar në realitet.
Një kompani mjaft e suksesshme Sllovake dhe shumë e njohur në Evropën Qendrore Neulogy ka bërë një punë të shkëlqyer në këtë drejtim duke adresuar disa prej sfidave kryesore me të cilat përballen startupet e Evropës Qendrore dhe Lindore.
E ngjashme me Albanian ICT Awards, kjo kompani startoi një aktivitet të quajtur Startup Awards SK në 2011-ën përpara se të transformohej në “Future Now!” në përpjekje për të përmbushur kërkesat e komunitetit.
CEO i kompanisë, Peter Kolesar mbërriti në Tiranë ditën e sotme për të vizituar ambientet e qendrës më të re të inovacionit ICTS Lab, një nismë e shtëpisë publikuese ICTSmedia.

Paraditen e së Enjtes së bashku në një takim me drejtues dhe përfaqësues të ICTSmedia, Kolesar dhe Laco sollën disa prej eksperiencave që ata kishin përjetuar me Startup Awards SK gjatë 7 viteve.
Në shkëmbimin e praktikave më të mira, u fol për mundësitë dhe vështirësitë që është përballur dhe mund të përballet në të ardhmen ekosistemi i startupeve në Sllovaki dhe Shqipëri.
Ky takim i parapriu një tryeze të rrumbullakët organizuar në ambientet e Microsoft Albania në ora 17:00 me përfaqësues të komunitetit dhe jo vetëm por edhe donatorë e përfaqësues nga delegacioni BE-së në Shqipëri të cilët siguruan mbështetjen e tyre në drejtim të startupeve inovative.
Duke folur për iniciativat që promovojnë sipërmarrjen dhe inovacionin, Kolesar tha se çdo vend do ta kishte zili një aktivitet si ICT Awards.
“Marr shembull Çekinë, është një vend plot fonde financimi të sipërmarrjeve, por nuk kanë një aktivitet që nxjerr në pah praktikat më të mira.”

Prezent ishin përfaqësues universitetesh, startupesh, sipërmarrës, investitorë, përfaqësues të dhomës së tregtisë e të GIZ.
Pas një prezantimi i secilit prej pjesëmarrësve, tema kryesore e diskutimit ishte fenomeni i njohur si “Brain Drain” me talentet që largohen drejt vendeve të tjera për të arritur objektivat e tyre dhe mundësi të reja.
Si mund të ndalohet kjo rrjedhje talenti? Kolesar thoshte duke promovuar sipërmarrjen si e vetmja mënyrë për secilin për të ndërtuar një të ardhme në të mirë në vendin e tyre.
“Vetëm sipërmarrja mund ta shpëtojë ekosistemin nga vdekja.“
Ai foli për themelimin e një fondi në mbështetje të startupeve dhe ideve të reja nga Neulogy quajtur Neulogy Ventures në Sllovaki dhe vuri theksin tek nevoja e një praktike të ngjashme në Shqipëri.
“Në të vërtetë qeveritë e vendeve nuk po bëjnë sa duhet për të promovuar sipërmarrjen dhe inovacionin, po kompanitë?” pyeti Kolesar.

Edicioni i 8-të i Future Now! do të jetë i hapur për të gjithë startupet nga Evropa Qendrore dhe Lindore dhe Kolesar ftoi startupet shqiptare ti bashkohen si një mundësi e madhe për të fituar mbështetje pse jo edhe nga Neulogy Ventures.
Ky fond synon të ngrijë deri në 50 milion euro në mbështetje të startupeve.
Lidhur me përfshirjen e qeverisë, Laco tha se e njëjta vlen edhe për Sllovakinë ku shumë pak bëhet për të mbështetur nisma dhe aktivitete që operojnë prej vitesh në treg.
Startup Awards SK, aktiviteti simotër i Albanian ICT Awards, organizohet prej 7 vitesh në Sllovaki dhe cilësohet si “Oskari” i Startupeve.
Edicioni i fundit i kësaj gare u organizua në kuadër të konferencës Future Now duke sjellë së bashku disa prej projekteve më të mira në Sllovaki të mentoruar nga përfaqësues të kompanive më të mëdha në vend.
Pjesë e tij ishte një delegacion shqiptar me aktorë të rëndësishëm të ekosistemit të startupeve në një udhëtim tre ditor në Bratislavë.
Sfidat janë aty përkrah mundësive. Ku e shohim ekosistemin e startupeve shqiptare pas 3-5 vite?
Startup Awards SK ka një mision të vetëm, shndërrimin e Bratislavës në një hub inovacioni dhe mbetet përgjegjësi e nismave si ICT Awards dhe mbarë komunitetit për të bërë të njëjtën gjë në Shqipëri. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re