Një artikull i gjatë, i publikuar fillimisht në faqen e internetit të gazetës Nju Jork Tajms, ngre akuza të shumta mbi lidhjet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç me botën e krimit të organizuar. Artikulli i gazetarit Robert F. Worth përshkruan me detaje krime të kryera nga banda e Veljko Belivukut, kreu i grupit të tifozëve të ekipit të futbollit, Partizani i Beogradit. Ai dhe 29 pjesëtarë të grupit u arrestuan më 2021.

 

“Në një seancë gjyqësore me dyer të mbyllura Veljko Belivuk tha se banda e tij ishte organizuar ‘për nevojat dhe me urdhër të Aleksandër Vuçiçit’, sipas transkripteve të gjykatës”, thuhet në artikullin e Nju Jork Tajmsit.

 

 

“Ai përshkroi disa nga punët që banda pretendonte se i kishte bërë për qeverinë, si frikësimi i rivalëve politikë” dhe se ishte takuar personalisht edhe me presidentin Vuçiç. Këto akuza janë hedhur poshtë nga presidenti serb, i cili megjithatë refuzoi të komentonte për akuzat me Nju Jork Tajmsin.

 

Gazetari Worth thotë se ai nuk beson se  Vuçiç i ka krijuar bandat kriminale nacionaliste serbe, por ai padyshim, i ka shfrytëzuar ato për forcimin e pushtetit të tij. Grupi i Veljko Belivukut ishte arrestuar edhe më parë, por në të gjitha rastet kishte arritur të shmangte dënimet për shkak të lidhjeve që deri në vitin 2021 dyshohej se ekzistonin mes tij dhe shtetit serb.

 

Zyrtarisht kundër grupit të Veljko Belivukut rëndojnë akuza për krime të ndryshme përfshirë edhe disa krime monstruoze si prerja e gjymtyrëve të viktimave, kryesisht pjesëtarë të grupeve rivale kriminale. Pas masakrimit, pjesët e trupave të gjymtuar, siç njofton artikulli i Nju Jork Tajmsit, janë hedhur në një makinë për grirje mishi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re