Duke nisur nga 1 janari 2026, në sigurimin e detyrueshëm motorik (TPL) ka nisur funksionimi i sistemit bonus–malus.

Kjo do të thotë se drejtuesit që kanë shkaktuar dëme do të paguajnë prime sigurimi më të larta, ndërsa ata pa histori dëmesh do të përfitojnë prime më të ulëta.

Sistemi synon të lidhë çmimin e sigurimit me sjelljen në rrugë dhe nivelin e riskut, duke nxitur drejtimin e përgjegjshëm dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Përllogaritja e primit të sigurimit do të bazohet në disa faktorë risku, si:

– historiku i dëmeve

– fuqia dhe vjetërsia e mjetit

– mosha dhe eksperienca e drejtuesit

– përdorimi i mjetit dhe zona e qarkullimit

Sipas ekspertëve të tregut, ndryshimi do të jetë shumë më i madh në rastin e drejtuesve që kanë shkaktuar dëme (malus), ndërkohë që zbritja për drejtuesit pa histori dëmesh (bonus) pritet të jetë më modeste.

Në vitin 2024, AMF miratoi rregulloren “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Kjo rregullore hyri në fuqi në 1 janar 2025, por në vitin e parë të zbatimit ndër faktorët e riskut nuk u përfshi parimi bonus-malus, duke u shtyrë për në vitin 2026.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re