BE ka përditësuar rekomandimet e saj për heqjen e kufizimeve për udhëtimet “jo thelbësore” drejt vendeve të unionit. Amendamentet e reja nisin më 1 mars të këtij viti dhe do të monitorohen përgjatë gjithë muajit mars e prill.
Çfarë parashikohet
Në bazë të këtij rekomandimi të ri, parashikohet se kufizimet e Covid-19 duhen vendosur duke patur parasysh statusin individual të udhëtarit dhe situatën në vendin e tij/saj. Shtetet e BE-së do të duhet të lejojnë udhëtimin e shtetasve të vendeve jo anëtare, që:
- Janë të pajisur me një certifikatë vaksinimi (vaksinë e njohur nga BE ose OBSH)
- Persona që e kanë kaluar Covid
- Persona që udhëtojnë nga një shtet në listën e BE-së.
Për disa nga këta udhëtarë, vende specifike mund të vendosin masa shtesë, si ajo e kryerjes së një testi përpara udhëtimit.
Personat e vaksinuar dhe ata që kanë kaluar Covid
Vendet anëtare të BE-së do të duhet të heqin kufizimet për udhëtimet jo thelbësore në BE për persona të vaksinuar me vaksina të njohura nga BE ose OBSH. Mjafton që vaksinimi (certifikata) të jetë kryer 14 ditë para udhëtimit dhe jo më vonë se 270 para tij.
Shtetet anëtare do të duhet po ashtu të heqin kufizimet për udhëtime jo thelbësore, për ata udhëtarë të cilët e kanë kaluar Covid jo më vonë se 180 ditë (afro 6 muaj), përpara udhëtimit të tyre.
Për personat që janë vaksinuar me vaksina të njohura nga OBSH, siç ndodh me shumë qytetarë shqiptarë (vaksina kineze, ruse) shtetet anëtare mund të kërkojnë një test negativ përpara udhëtimit. Një test negativ, mund të kërkohet edhe për ata që e kanë kaluar Covid.
Fëmijët
Për moshat mbi 6 e deri nën 18 vjeç, në fuqi qëndrojnë të gjitha rregullat e mësipërme për udhëtimet. Në shtesë, të gjithë fëmijët në këto mosha, duhet të lejohen të udhëtojnë me një test negativ për Covid. Asnjë testim apo kufizim tjetër nuk duhet të aplikohet për fëmijët nën moshën 6 vjeç.
Për më shumë detaje, mund të klikoni KËTU
