Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për shitjet online, të bombulave të oksigjenit. Mosparaqitja e të infektuarave me koronavirus në spitale për tu kuruar, dhe marrja e mjekimit në kushte shtëpie, ka detyruar institucionin e akuzës të verifikojë të gjitha faqet online ku shiten aparatura oksigjeni, pasi pjesa më e madha e tyre dyshonet se i kryejnë shitjet në mënyrë të jashtligjshme dhe se bombulat e oksigjenit janë çdo lloj standarti për kurimin e të sëmurëve.

Çmimi i një aparati oksigjeni në faqe të ndryshme online varion 500-800 euro bëjnë me dije burimet për Fax News. Por, ata jepen edhe me qira ditore, vlera e të cilëve shkon 100-120 euro. Indicien e parë për nisjen e hetimeve të aparaturave të oksigjenit që shiten online, institucioni i akuzës e mori tri javë  më parë, pas kallëzimit të dy vëllezërve, të cilët për bananë e tyre të infektuar me virusin e rrezikshëm fillimisht përdorën aparatura oksigjeni që kishin blerë në Facebook.

Ata në kallëzimin e tyre, shprehen se babanë e çuan në spital, 4 ditë para se ai të ndërronte jetë. Gjithashtu, prokuroria është duke hetuar edhe rastin e së dielës, ku një të moshuari i shpërtheu  bombula e oksigjenit, duke i shkaktuar atij dëmtime të rënda. Mësohet se në këtë banesë u gjetën edhe dy bombula të tjera oksigjeni, të cilat dyshohet se janë blerë nga familjarët e tij në mënyrë private.

Nisur nga situata e rëndë që po kalon vendi ditët e fundit, për shkak të rritjes së numrit të të prekurëve me COVID-19, ata që po përfitojnë nga kjo situatë janë faqet online, që shesin bobula apo aparatura oksigjeni

Kujtojmë se disa ditë më parë Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manasterliu, në një deklaratë për mediat u bëri apel qytetarëve që mos të bienin pre e abuzimeve përsa i përket marrjes së trajtimit ambulator në shtëpi, pasi oksigjeni nuk mund të përdorej në kushte shtëpie pa asistencën e nevojshme. (E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re