Kanë kaluar tashmë 30 vjet nga Dhjetori historik i Shqipërisë dhe sigurisht falë asaj Lëvizjeje të pamohueshme, mes sakrificës dhe vullnetit, arritëm të jetojmë ditët e bekuara të demokracisë. Ajo që na gjeti të papërgatitur, ishte orientimi i frymës së re politike, e cila nuk arriti dot të kanalizohet dhe shpërndahet në mënyrë të balancuar, ligjore, civile, ku njeriu të ishte baza për ngritjen e një sistemi të ri, pluralist të qëndrueshëm.

Ne erdhëm nga një varfëri ekstreme, me një shoqëri ekstremisht hermetike, ku vlera intelektuale, respektimi të drejtës materiale e morale, njohja respektive kushtetuese…etj, ishin sa të panjohura aq edhe jologjike për një popull që vuante urie, të torturar mendërisht dhe materialisht. Të gjithë akademikët dhe intelektualët, pra njerëzit që do të drejtonin shtetin, institucionet, arsimin, për të cilin diskutojmë sot, kishin një uri të madhe materiale dhe një mungesë të theksuar të kësaj lloj forme menaxhimi, mbi atë që do të sillte kjo shoqëri. U lanë mënjanë parimet si “besa e burrit”, si trashëgimi e vlerës së Shqiptarizmës dhe u vendos të dilet nga kriza me çdo kusht pa llogaritur pasojat psiko-sociale që do na t’përballej e ardhmja. Shumë emigruan dhe shumë të tjerë, kush mundi, e zhveshi ndjesinë e ndershmërisë dhe moralit nga vetja, ku për 50 vjet nuk i pa hairin, përveç ndonjë fletë lavdërimi për punë të mira, të shërbimit vullnetar edhe ato me mik.

Të ndodhur në këto rrethana, të gjithë nisën të ndërtonin jetën sipas mënyrës së vet dhe pa asnjë orientim nga shteti. Se çfarë do të bëhej me kapitalin e sistemit të ri, si do garantohej siguria për të mos u kthyer në plaçkë, si do menaxhohej gjithë kjo shoqëri nën rendin e ri dhe cilat ishin displinat apo rregullat e nënshtrimit kapitalist, për të mos sjellë kriza dhe pasoja si ato të të kaluarës, nuk dihej. Nën depresion social, ku shumë njerëz ende s’po kuptonin çfarë realisht kishte ndodhur dhe vakumin kushtetues të krijuar, brenda 6 viteve të para, u prodhua krahu bankar piramidal dhe lufta civile me pasojat e 97-tës.

Besimi dhe ideja e riorganizimit tek shteti u bë rrafsh. Megjithatë, vala e tranzicionit dhe turmëzimit politik, brohoriti sërish, nën ndikimin e faktorit amerikan dhe europian për të rimarrë hapin e ri… Mirëpo në 30 vjet, as politika e as shoqëria nuk pati asnjë çast refleksioni për të kaluarën, për të ndarë të mirën nga e keqja në proçeset dhe eksperimentimet që ata vetë jetuan. Andaj, gjatë kësaj kohe edhe çdo vit pasardhës në mënyrë graduale, këto pasoja u përhapën në gjithë kapilarët e shoqërisë. Nën efektin e korrupsionit të lehtë dhe të gjithëkohshëm, ne prodhuam vetëm gjysma-njerëz, ku çdokush të jep xhevap për gjithçka dhe s’di asgjë ! Në 30 vjet, arsimi nuk reflektoi në asnjë moment, por u përdor vetëm për të prodhuar para dhe profesionistë gjysmakë që në shumicën e rasteve shkonin kundër nevojës së tregut dhe krijonin asfiksi në sistemin e shpërndarjes dhe organizimit. Ndërkohë që shteti i referehoj vetëm të dhënave statistikore të sistemit të vjetër, nuk bënte analiza tregu, por vetëm copy-paste, informaliteti dhe qasja profesionale mori trajtën: “I zoti mbijeton”, “miku atij dhe këtij”.

Boshti analitik social-shtetëror, tashmë ishte shtrembëruar e lakuar aq shumë, saqë ishte kthyer në një rrotë të deformuar, që shkonte para vetëm nga forcat e inercisë që gjeneron bërthama. Tashmë, në dy dekadat e fundit, edhe pse me dy reforma politike në arsim të marra gratis nga sistemet më të integruara perëndimore, asgjë nuk ndryshoi, por përkundrazi, e përkeqësoi më shumë atë. Shkaku ishte shumë i thjeshtë, ndryshimi ekonomik dhe zhvillimi shoqëror nuk përputhej. Parametrat social nuk u matën dhe nuk u prodhuan nga kushtet reale, në të cilën ndodhej gjendja e kësaj materie, që rezultati të ishte shkencor dhe i vlefshëm për garantimin e tregut, i cili sa vinte e zgjerohej, duke dalë jashtë kufijve të mëparshëm.

Nëse për një çast do të hyjmë në ligjet e fizikës, e të shohim si prodhohen rezultatet konstante, me këtë analizë sado të përpiqeshim, përfundimi është i sigurt, i gabuar. Arsimi, në udhëkryq. Shtylla vertebrale është kalbur dhe domosdoshëmrisht kërkon të reflektojë… Kjo brejrje e thellë shpirtërore, që e shfryjmë çdo ditë, hapur ose jo, shkarkoi pikërisht aty ku energjia prodhohet me frekuencë më të paqëndrueshme dhe të pakufizuar, studentët. Të vetmit që mund të reagojnë në mënyrë të menjëhershme dhe të paparashikueshme. Pikërisht aty lindi shpresa për t’u zgjuar dhe për t’i thënë jo, kësaj agonie trullosëse dhe për t’mos vdekur si një komb që s’ka ekzistuar kurrë… Kjo është arsyeja më e madhe që duhet ta ulë këmbëkryq këtë shtet, por jo ta rrëzojë sepse kjo nuk sjellë ndonjë produkt më të mirë veç anarkisë.

Thjesht, ky moment për një çast, duhet të jetë si ai i Amerikës kur drejtohej nga Lincoln-i, po aq reflektues, po aq shpresë-dhënës. Një shtet i mbytur nga plagët e korrupsonit tanimë, nuk ka asnjë rrugë tjetër për të shpëtuar nga drama më e madhe që duhet ti pasojë së ardhmes… Ky vullnet i mirë për të ndyshuar, kjo energji e pastër nuk duhet asesi të shkoj për dreq dhe mos të nxjerrë krye. Po në këtë çast, lind domosdoshmëria për t’i vënë “pikat mbi i” këtij lëmshi mbytës, duke e kanalizuar përmes dialogut që ka aq shumë nevojë për të parën herë të shoshitet dhe të dalë në dritë.

Arsimimi nuk është një shaka dhe çështje që mund t’i hidhet perdja, e të themi s’ka gjë do të kalojë, mbyll një sy, zur një vesh… Student, mos u bëni anije pa vela që kërkon të çajë oqeanet. Ndaluni, merrni frymë thellë, bisedoni me njeri-tjetrin, bisedoni me pedagogët, shkruajini kërkesat tuaja qartë dhe dialogoni… Marrëveshjet janë produkti më i shëndetshëm i shoqërisë, ky vend ka nevojë për marrëveshje të shëndosha, sepse mbi të gjitha ka nevojë për ju! J’ua siguroj që kështu do t’ia dilni të shkruani një tjetër dhjetor historik. Megjithëse ka mjaft për të thënë e për të analizuar edhe ky ishte vetëm një reflektim… Për ta mbylluar dua t’ju kujtoj se: “Të ngrihesh dhe të flasësh duhet guxim, dhe ju ja dolët, por po guxim duhet të ulesh dhe dëgjosh”. /tesheshi.com/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re