KMSH është institucioni që përfaqëson bashkësinë e besimtarëve myslimanë në Shqipëri. Institucioni është themeluar për të mbrojtur të drejtat e komunitetit të vet, për organizimin jetës fetare të tij, edukimin dhe rritjen e besimtarëve dhe formimin e prijësve fetarë. Për të realizuar këto objektiva sublime ka gëzuar historikisht legjitimitetin dhe mbështetjen e gjithanshmë të besimtarëve. Në pronësi të këtij institucioni janë kaluar të gjitha mjetet financiare që zotëron bashkësia e besimtarëve myslimanë, duke nisur nga vakëfet, që janë prona të patundshmë të akumuluara prej shek. XV e deri në ditët tona.

Marrëveshja e Shtetit me institucionet e bashkësive fetare në vitin 2009 shënon një moment të rëndësishëm për organizimin e brendshëm të tyre. E tillë është edhe ajo me KMSH-në, në preambulën e së cilës lexojmë: “Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është organizim i personave besimtarë myslimanë që shfaqin, shprehin dhe/ose ushtrojnë bindjet, parimet dhe praktikat fetare të përcaktuara në burimet e legjislacionit islam, shkollën juridike fetare “Hanefi” dhe statutin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë”. Marrëveshja përbën një ndarje epokale për sa i përket konceptimit të vet institucionit fetar si i tillë dhe marrëdhënieve të tij me Shtetin laik, kushtetutën, ligjet dhe parimet e demokracisë në përgjithësi, pasi nga ky moment bashkësitë fetare nuk do të konsiderohen më thjeshtë si OJF. Si e tillë, marrëveshja ka si analoge në historinë bashkohore për nga fryma dhe konceptimi Konkordatin (I patti lateranensi) nënshkruar midis regjimit fashist dhe Vatikanit në vitin 1929.

Nga ky moment, instutucioni KMSH ashtu si edhe bashkësitë e tjera fetare në Shqipëri, në rrafshin e organizimit të tyre të brendshëm bazohen në parimet dhe legjislacionin fetar përkatës, përtej ligjeve në fuqi që rregullojnë format e ndryshme organizative dhe institucionale laike. Natyrshëm këtu shtrohet pyetja se kush është garanti për respektimin e normave dhe legjislacionit fetar? Cilit organ ligjor mund t’i drejtohen për ankimim besimtarët në rast shkelje të këtij legjislacioni?

Në rastin e KMSH-së, nuk mund të flitet për shkelje aty-këtu të ndonjë norme të qartë apo të diskutueshme. Përkundrazi kemi të bëjmë me një përmbysje esenciale të legjislacionit islam në frymë dhe në germë. KMSH-ja ka formuluar Statutin – mbi të cilin bazohet organizimi i brendshëm i bashkësisë – sipas një modeli që mund t’i përngjajë vetëm një monarkie absolute të ancien régime, por kurrësesi legjislacionit dhe frymës islame, dhe aq më pak një institucioni bashkohor. Kjo pasi është formalizuar me normativa të brendshme shkëputja e plotë nga njerëzit që përfaqëson. Në statutin e KMSH-së mund të vërehet lehtësisht mungesa e strumentave të kontrollit dhe ekuilibrit të pushteteve që qytetarët ndeshin në institucionet shoqërore, publike dhe private. Mbi të gjitha, KMSH-së, nën drejtimin e organizatës ekstraterritoriale “Hizmet”, i mungon elementi kryesor: mekanizmi për legjitimimin e kreut drejtues, i cili de juro dhe de facto ka në dorë gjithçka, si kompetencat e pushtetit normativ ashtu edhe atij ekzekutiv.

Ky ngërç ka bërë që institucioni të jetë literalisht i mbërthyer dhe në një situatë stanjacioni e konflikti permanent mes drejtuesve në qendër dhe besimtarëve e organeve të pakta ku ata ndjehen të përfaqësuar. Këtyre të fundit u është hequr gradualisht – me modifikime të vazhdueshme arbitrare të statutit – çdo lloj kompetence, madje edhe ajo këshilluese. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re