1.Rikoleksion i narrativës së shtet-krijimit – Kanë kaluar pothuajse 20 vite pas luftës dhe intervenimit ndërkombëtar dhe Kosova është ende duke dialoguar. Dialogu në lidhje me statusin e Kosovës ka filluar që nga viti 1945 edhe ende nuk ka përfunduar. Pas rënies së (neo) realizmit dhe shpërbërjes së Jugosllavisë, në botën perëndimore dhe politikën e jashtme kishte filluar një dominim i (neo) liberalizmit. Kosova, intervenimi ndërkombëtar ishte substancialisht rezultat i kësaj qasje të re ndaj botës. Intervenimi ndërkombëtar dhe shtet-formimi ishin portretizuar si sukses dhe shembull i suksesit të premisave të këtij rendi botëror.

Ishte ky parim dhe dëshira për të siguruar stabilitet në Ballkanin Perëndimor që kishin justifikuar një investim marramendës të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Prezenca ushtarake, ndihma ekonomike, ndërtimi i institucioneve ishin në disproporcion të theksuar me madhësinë e territorit dhe numrin e popullsisë. Justifikimi i pavarësisë së Kosovës ishte modeluar si rast “sui generis”, rezultat i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe vështirësisë për të ri-kthyer Kosovën në Serbi. Përse do të rrezikohej edhe njëherë me Serbinë kur në tri raste kyçe gjatë historisë 100 vjeçare kishin dështuar keq në raport me Kosovën – qasja bazë ishte shtypja dhe spastrimi etnik.

2.Shteti Ahtisarian i sfiduar nga brenda dhe nga jashtë – Kosova ishte modeluar si shtet i komuniteteve të saj, jo vetëm i njërit por të gjithëve. Ishte eksperiment që kërkon shumë investim ngase dy modele të ngjashme në Ballkan janë pothuajse jo-funksionale. Ky model kishte hasur në vështirë në disa dimenzione: (a) sfidat e brendshme të natyrës etnike dhe religjioze, (b) mungesa e elitave kongruente me qëllimin dhe (c) orentimi socio-politik. Kosova Ahtisariane kishte dështuar të kënaq serbët e Kosovës dhe një pjesë të konsiderueshme të shqiptarëve. Njëra palë gravitonte në veri kurse tjetra në jug.

Bashkësia ndërkombëtare kishte dështuar të kuptoj tekstilin shoqëror në Kosovë. Tekstili shoqëror i Kosovës nuk ishte i ngjashëm me vendet perëndimore. Shoqëria është përgjithësisht e natyrës komunitare ku influencat semi-tribaliste të bazuara në krahina gjeografike ende janë të forta. Elitat e vetme të karakterit individual dhe civil u duhej mbështetje e vazhdueshme nga jashtë për të mbijetuar të vetmuar dhe jashtë rendit shoqëror. Ata përfunduan në anë të ndryshme të ideologjive botërore – një pjesë ishin liberal të sekteve të ndryshme, një pjesë në organizata ndërkombëtare, një pjesë post-marksist, një pjesë tjetër fundamentalist religjioz dhe kalorës të islamit dhe një pjesë tjetër si kalorës të nacionalizmit dhe në kërkim të oportuniteteve për një konflikt të ri. Kosova u bë edhe arenë e përplasjeve ndërmjet oksidentit dhe orientit – debati mbi orientimin tonë kulturor ende nuk ka përfunduar. Përpjekja për të ndërtuar një memorie kolektive për Kosovën nuk ishte pa vështirësi.

3.Sfidat e legjitimitetit social dhe ekonomik – Shtet-formimi dhe avancimi ka hasur në shumë vështirësi politike dhe ekonomike. Shteti, larg asaj që ishte menduar, ishte përgjithësisht koleksion apo aleancë e familjeve të mëdha të përfaqësuara në parti të ndryshme politike. Aparati shtetëror ishte ndërtuar përgjithësisht mbi parimin ‘një familje një të punësuar’. Publikja ishte përgjithësisht arenë e përplasjeve për shpërndarje të resurseve të kufizuara të gjeneruara nga të hyrat doganore dhe tatimet në konsum. Debati për të integruar Kosovën në zinxhirin ndërkombëtar të prodhimit dhe ideve ishte kryesisht i kufizuar në oaza të vockla të kryeqytetit. Tensionet shoqërore ishte përmbajtësisht për copëzën e secilit në kuadër të pasurisë së përbashkët. Partitë politike përgjithësisht ishin të kufizuara në trajtimin e çështjes së serbëve të Kosovës. Të gjitha kanë një tog-flashës të ngjashëm apo të trashë që është vështirë të kuptohet. Elitat politike në Kosovë ishin në gjendje të theksojnë se çfarë nuk duan por jo se çfarë duan.

4.Opcionet për dialogun – dialogu në fillim justifikohej si teknik ndërmjet dy shteteve. Implikimi i parë është që kosovarët janë gënjyer vazhdimisht nga liderët e tyre por edhe bashkësia ndërkombëtare. Meqë jemi në fund të kësaj gënjeshtre është mirë të specifikohen opsionet që presin Kosovën:

(a) të mos bëhet asgjë – ka kaluar një kohë e gjatë dhe çështja e pasigurisë së Veriut është bërë barrë e madhe për komunitetin ndërkombëtar, perspektiven tonë ekonomike dhe politike. Asociacioni i Komunave Serbe siç ishte nënshkruar në Bruksel nuk është vetëm reflektim i fuqisë së palëve por edhe i qëndrimit ndërkombëtar. Opsioni i parë është të pranohet dhe votohet Asociacioni me kompetenca të gjera ekzekutive në arsim, shëndetësi, ekonomi, kulturë dhe planifikim hapësinor. Asociacioni është esencialisht autonomi.

(b) të imponohet Plani i Ahtisarit me dhunë – një opsion tjetër është të ndërhyhet dhunshëm për të nënshtruar kundërshtimet e serbëve atje. Ky opsion do të nënkuptonte një Kosovë të fortë në aspektin e sigurisë dhe të aftë për të përballuar rezistencën e serbëve, Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare.

(c) Ndarja e Kosovës – ndarja mbi baza etnike nuk ofron zgjidhje për çështjet e pafundme etnike në Ballkan dhe posaçërisht tek shqiptarët dhe serbët (dy popuj të shkapërderdhur në disa shtete). Nësë shpërblehet veriu për shkak të rezistencës atëherë njëjtë do të mund të vepronin edhe goranët, shqiptarët në Maqedoni, Preshevë dhe Mal të Zi. Ndarja e Veriut është vetëm hap fillestar për të legjitimuar edhe kërkesat tjera të serbëve në Bosnjë dhe Mal të Zi.

(d) Shkëmbimi i Veriut me Luginën e Preshevës – është mundësi e vogël por një nga opsionet. Serbia është e prirur t’i rezistoj shkëmbimit të Preshevës për shkak të arsyeve gjeopolitike – Rruga Beograd-Shkup-Selanik është arterie kryesore dhe përshkon territorin e Luginës. Ishte pikërisht kjo arsyeja pse Lugina i ishte bartur Serbisë. Kosova është e prirur të kundërshtoj shkëmbimin për shkak të Liqenit të Gazivodës dhe resurseve tjera ekonomike. Në këtë shkëmbim Kosova do të fitonte shumë njerëz e pak territor. Serbia do të fitonte shumë territorë e pak njerëz. Gjithashtu do të mund të justifikonte kufirin e ri si barrierë ndaj ‘presionit demografik të shqiptarëve’.

(e) Ndarja e Veriut dhe shkëmbimi i Luginës së Preshevës me Ranillugun, Novobërden dhe Graçanicën – sipas këtij skenari më të keq ndarja është ekuilibër i forcave në terren ndërsa shkëmbimi sipas vullnetit të lirë bëhet me territore tjera.

Në çfarëdo situate lëvizja e kufijve do të nënkuptonte edhe efekte tjera të pamenduara. Korrigjimet, ndarjet dhe shkëmbimet nuk kanë efekt pa njohje dhe Traktat Paqe me Serbinë. Kjo ideja e mos-njohjes kreative duke mbyllur syrin për të mundësuar anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare nuk përfaqëson zgjidhje. Serbet tek e fundit do të thonë ‘se ne ishim në gjendje të presim 500 vjet të Perandorisë Osmane për t’u kthyer në Kosovë’. Mosnjohja është ftesë për pretendime të reja. Për pasojë, Kosova do të mbetej gjithnjë shtet i cunguar, rrezikuar dhe varur nga bashkësia ndërkombëtare. Në anën tjetër, luhatjet territoriale do të sedimentojnë një gjeneratë të re politike që kërkon shembjen e shtetit të Kosovës në favor të bashkimit me Shqipërinë. Zgjidhja që në dukje të parë mund të jetë e lehtë do të gjeneroj rezistencë edhe në Shqipëri edhe në Kosovë. Një Shqipëri e bashkuar do të kërkonte investime të mëdha për të ndërtur një konsenzus të brendshëm politik. Disa mund të zbulojnë diferencat ndër-shqiptare tek pas bashkimit. Spektri politik do të lëvizte në veri të shtetit të përbashkët dhe natyrisht elitat e jugut nuk do të jenë shumë entuziaste. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re