Kalaja e Beratit është një nga atraksionet turistike më të vizituara ku çdo vit e më shumë tërheq vëmendjen e turistëve të huaj dhe shqiptar.

Ajo mirëpriti 6000 vizitorë të cilët erdhën dhe zbuluan historinë e papërsëritshme të një qyteti mbresëlënës përgjatë muajve janar dhe shkurt 2019, dyfish i vizitorëve krahasuar me vitin 2018.

Një çift nga Australia Brus dhe gruaja e tij Thea do të qëndrojnë në Berat për disa ditë ku dëshirojnë të shohin se si është qyteti dhe njerëzit.

”Ne ishim në Kosovë e më pas në Krujë për të njohur historinë e Shqipërisë, dhe tani ndodhemi në Berat, një qytet shumë i bukur, i pastër, i ndritshëm dhe me njerëz shumë miqësor. Po e shijojmë vërtetë kohën që po kalojmë këtu. Akomodomi dhe ushqimi janë të jashtëzakonshëm”, u shpreh turistja australiane Thea.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se, ”kemi fuqizuar buxhetin publik. Projektet e fushës së trashëgimisë kanë tërhequr vëmendjen e investitorëve strategjikë. Sfida e vitit 2019 mbetet numri në rritje i vizitorëve, për të tejkaluar numrin e 190 mijë vizitorëve që ndaluan në qytetin e një mbi një dritareve”.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës. Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II p.e.r. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë.

Disa prej tyre janë: Kisha e Shën Triadhës, e cila i përket fundit të shek. XIII dhe fillimit të shek. XIV. Në brendësi të saj ka afreske mjaft interesante. Pas kishës së Shën Todrit gjenden kishat e Shën Kollit, Shën Kostandinit, Shën Helenës, Shën Mërisë Vllaherna etj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij./ata.gov.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re