Të jesh shqiptar është krenari e madhe, krenari që zbret nga qiejt, e dhuruar nga Vetë Zoti për secilin nga ne që jeton në këtë vend të mrekullueshëm, të quajtur Shqipëri.

Dhe padyshim një krenari e tillë kërkon nga secili prej nesh, nga çdo bashkëkombas të mësojmë e punojmë fort për ta ngritur këtë vend aty ku dhe i takon, në piedestalin e dhuruar që në krijim.

Është e qartë se një gjë e tillë s’është e lehtë, kërkon mund e sakrifica. Por a nuk jemi ne që trashëgojmë ndër deje atë Besim të shkrirë në tonin gjak që me Dhuratën, Dashjen dhe Ndihmën e  Zotit na ka lartësuar ndër shekuj?

Më dhemb zemra për këtë vend, më qan shpirti për ata të rinj e të reja që duke shkelur mbi dhimbjen e prindërve të tyre, ecin rrugëve të botës për të kërkuar “parajsën”, atë Parajsë që Krijuesi ua ka falur në tokën ku kanë lindur…

 

A s’ka ardhur koka?!

Në këtë fund nëntori u ndjeva paksa ndryshe,

më foli një zë, thellë nga brendësia.

Ish zëri që sjellin të ëmblat dallëndyshe,

ish zë i pranverës ku flet shqiptaria!

 

Të dashur shqiptarë, myslimanë e të krishterë,

Shqipërinë e kemi tonën, të dashurin Atdhe.

Të mos e lëmë vetëm, bredhur derë më derë,

e ku mund të gjendet ky i shtrenjtë dhe?!

 

Si mund biri e bija të lënë nënë e babë,

vetmisë së akullt ku jeta s’ka më shpirt!

Si mund të vlojë gjaku, kur zemra ngrin si shtagë,

si mund errësira të lazdrojë si dritë!

 

Ah sa keq më vjen, kur shoh dyert mbyllur,

kur shoh sy të zbehtë pas xhamash, nën ujë.

Kur dëgjoj zërat e prindërve thellësie zhytur,

në detin e dhembjes ku vlon klithmë e kujë!

 

Dhe ulem në një cep e mendohem gjatë,

ç’po ndodh kështu me të rinjtë shqiptarë.

Po pse mor të uruar s’e bëni ditën natë,

pse s’i gëzoheni shqipes si njëherë më parë?!

 

Nga ky popull dolët, jeni i tiji gjak,

atë përfaqësoni kudo ku vini këmbën.

Kthehuni në vatrat tuaja e i jepni hak,

fshijani lotët e mos ia shtoni gjëmën!

 

Sa vite kanë kaluar kur n’Vlorën heroike,

u ngrit flamur i kuq me shkabën dykrenare.

A s’ka ardhur koha që n’t’lekut karrike,

dashurinë për kombin ta vëmë si përkrenare?

 

All-llahu Fuqiplotë thotë në Kur’an, në suren El-Huxhurat, ajeti 13:

“O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek All-llahu është Ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, All-llahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë”. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re