Qytetarët e një vendi post-komunist, si Shqipëria, mund të jenë kundër poligamisë, por do të duhet të pranojnë që njerëz në moshë madhore do të marrin vendimet e tyre për sa u përket lidhjeve në të cilat duan të jetojnë dhe jetës së tyre intime. Rasti i Dervish Hasit duhet ta alarmojë publikun për faktin se përtej ekzotizmit mediatik për “haremin e doktorit” gjendemi përballë rrezikut të tejkalimit të kufijve ligjorë të organeve të policisë dhe se është në interesin tonë të përgjithshëm publik që t’i vendosim policisë dhe shtetit, në përgjithësi, kufirin “tek thana”.

Rreziku i armatimit moral, përtej-ligjor të shtetit

Të drejtat civile të qytetarëve të një shoqërie testohen rrezikshëm në raste indinjimi publik, kur afirmimi i këtyre të drejtave duket të shkojë në kundërshtim të konsensusit moral dominues. Rasti i arrestimit të kirurgut Dervish Hasi në janar 2024 në Tiranë e ilustron këtë më së miri. Teksa publiku duket të ketë krijuar një kor të zemëruar, që kërkon vendosjen e moralit shoqëror nëpërmjet dënimit të Dervish Hasit, po neglizhohet tërësisht tejkalimi i kufijve të ndërhyrjes shtetërore në jetën private të qytetarit.

Debati publik për rastin e Dervish Hasit ka ndodhur në mes të një mjegulle dezinformomi mediatik. Në fund të janarit publiku shqiptar u njoftua për arrestimin e një kirurgu kardiolog, i akuzuar për shfrytëzim për prostitucion të një të miture, shfrytëzim që kishte zgjatur dy vjet, dhe shpërndarje materialesh pornografike orgjish seksuale. Besimi mysliman i Dervish Hasit u identifikua si fasadë për ta justifikuar statusin e tij të pazakontë, ku e mitura në fjalë ishte paraqitur si gruaja e tij e katërt, ndërkohë që ai ndërkaq jetonte me tre femra të tjera.

Kjo panoramë fillestare filloi të thërrmohej në ditët që pasuan. Në një televizion shqiptar, ndërkohë që një gazetar i ftuar njoftonte se kishte mësuar se akuza për prostitucion duket të ketë qenë e gabuar, regjia e të njëjtit televizion vazhdonte të riciklonte tek titrat informacionin e arrestimit të “mjekut mysliman të akuzuar për prostitucion”. Për këdo që arrinte të shihte përtej zhurmës fillestare mediatike bëhej gjithnjë e më e qartë që nuk kishim të bënim me prostitucion – kryerjen e marrëdhënieve seksuale në shkëmbim të një shume monetare – por thjesht me një martesë poligame, ku një mashkull ka më shumë se një grua. Alarmi mediatik i “abuzimit seksual të të miturës” injoronte me insistim faktin se sipas legjislacioni shqiptar – ashtu si në shumë vende të tjera europiane – mosha 14 vjeçare është mosha e konsentit seksual. Gjithashtu, veçanërisht relevante për rastin në fjalë, nuk ka pasur për asnjë moment ndonjë pretendim se vajza ishte detyruar me dhunë, ishte paguar ose se nuk gëzonte shëndet mendor – tre rastet e vetme të cilat e bëjnë të paligjshëm konsentit seksual të një 14 vjeçareje.

Akuza për përhapje materialesh pornografike në grupe chat në rrjete sociale ishte edhe më e habitshme, pasi legjislacioni shqiptar nuk ndalon mbajtjen, prodhimin ose shpërndarjen e materialeve pornografike. Por, për më tepër, siç njihet nga juristët, pornografia është tejet e vështirë për t’u përkufizuar. Ish gjykatësi i Gjykatës Supreme të ShBA-së, Potter Stewart, mbahet mend për citimin e famshëm: “Nuk e përkufizoj dot pornografinë, por e identifikoj kur e shoh”. Por, siç po vihet në dukje nga komentet mediatike më të fundit, pretendimi “i shpërndarjes së materialeve pornografike” duket të ketë qenë i mbështetur në pretendimin se filmime veprimesh intime janë shpërndarë në një grup privat të kirurgut dhe katër femrave me të cilat bashkëjetonte, gjë që vështirë se e kategorizon si “shpërndarje materialesh pornografike”, por si ndërhyrje e paligjshme në celularin e një qytetari shqiptar.

Nëse – siç po duket gjithnjë e më shumë – nuk kemi të bëjmë me prostitucion, dhe se palët e përfshira janë në moshë dhe shëndet mendor ku u lejohet të vendosin vetë për jetën e tyre seksuale, atëherë pse është arrestuar Dervish Hasi? Me çfarë të drejte kanë ndërhyrë organet e policisë në jetën e tij intime dhe me çfarë të drejte i kanë dhënë akses medias në të dhënat e përmbajtjes së telefonit celular të qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk janë të dënuar nga ligji? Kjo “futje” e shtetit në “dhomën e gjumit” të individëve të cilët janë në të drejtën e tyre ligjore të vendosin mbi zgjedhjet personale është në fakt problemi i vërtetë ligjor në rastin e Dervish Hasit. Një vend që vjen nga një histori jo fort e largët e një forme ekstreme të ndërhyrjes së shtetit në zgjedhjet e individit – si në kohën e regjimit komunist – do të duhej të ishte më sensitiv ndaj ndërhyrjeve të tilla shtetërore.

Kjo ndërhyrje shtetërore, e cila gjer më tani nuk është problematizuar në debatin publik, është bërë e mundur nga konfuzioni në regjistrat në të cilat ky debat po ndodh, dhe nga indinjomi që ka shkaktuar njoftimi i marrëdhënieve midis një mashkulli 42-vjeçar dhe një vajze 14-vjeçare (ose 16 vjeçare). Por, për teoricienët e filozofisë politike është e mirënjohur që ka praktika të cilat mund të jenë moralisht të dënueshme – në bazë të normave dominuese të një shoqërie – teksa ato tolerohen ligjërisht. Nëse i njohim shtetit të drejtën të ndërhyjë në jetën e qytetarit përtej kufijve që i njeh ligji, kjo i hap dyert abuzimit të pushtetit. Ironikisht, kjo hapësirë abuzimi do e kthente policinë e një shteti laik në polici të moralit seksual, një lloj institucioni që është dënuar përherë nga demokracitë liberale perëndimore si shprehje e teokracisë. Ka përplot arsye të mundshme që shoqëria shqiptare t’i problematizojë marrëdhëniet e Dervish Hasit, por pa hapur dyert e armatimit të shtetit me një pushtet moralizues që nuk ia njeh ligji. Mungesa e sensitivitetit publik ndaj asaj që duket haptazi në këtë rast si abuzim i pushtetit të policisë është ndoshta një nga aspektet më shqetësuese të kësaj historie. Ai është ndoshta edhe treguesi më i qartë se mbas kaq dekadash qysh nga rënia e komunizmit, në kulturën politike shqiptare vazhdon perceptimi i shtetit si sovran, në vend që ta shohë shtetin si një shërbëtor problematik, por të nevojshëm të sovranit të vërtetë – qytetarëve. Teksa indinjata publike mund të jetë e kuptueshme, nuk duhet harruar asnjëherë se kjo indinjatë ishte produkt – me sa po duket gjer tani – ndërhyrjesh të jashtëligjshme në jetën private të një qytetari shqiptar. Indinjata publike ndaj jetës intime të Dervish Hasit nuk e zhvesh atë nga të drejtat qytetare, të drejta që duket se po i nëpërkëmben nga policia e shtetit nën brohoritjet e publikut mediatik. Kjo është formulë toksike për një demokraci.

Familja poligame në kontekst

Teksa ligjërisht marrëdhëniet e Dervish Hasit me katër femrat me të cilat ai ka pasur marrëdhënie intime kanë qenë nën suazën e bashkëjetesës, fakti që ai i prezantonte publikisht si bashkëshortet e tij dhe besimi i tij fetar janë indikues se ato ishin joformalisht pjesë e një familjeje poligame. Sipas një studimi të “Pew Research Center”, më pak se 2% e popullsisë së botës jetojnë në lidhje poligame. Gazetarët këto ditë lirshëm u janë referuar “modeleve nga Lindja e Mesme” dhe Islamit, por përqindja e martesave poligame në – fjala vjen Iran ose Algjeri – është e njëjtë me përqindjen e martesave poligame në SHBA. Në Shqipëri – sipas të njëjtit raport – 10% e popullsisë e konsiderojnë poligaminë të pranueshme ose morale, ndërkohë që kjo përqindje është 20% në SHBA. Përqindja në Shqipëri është më e lartë se, fjala vjen, një vend me identitet më të fortë musliman, si Bosnja, ku përqindja e pranueshmërisë së poligamisë është 4%. Përqindjet më të larta globale të poligamisë nuk i gjejmë në Lindjen e Mesme, por në Afrikën Qendrore, kryesisht në zonën perëndimore, ku në vende si Bregu i Fildishtë, Nigeri, Mali etj. Luhatet midis 10-30 %. Edhe në këto vende afrikane poligamia nuk praktikohet vetëm nga popullsi myslimane, por edhe nga grupe të krishtera.

Islami, sigurisht, nuk është e vetmja fe që njeh legjitimitetin e martesës poligame, por Kurani është i vetmi libër i shenjtë në fetë monotesite që kufizon numrin e mundshëm të bashkëshorteve në katër, teksa sugjeron që martesa me një bashkëshorte të vetme është më afër devocionit. Nuk ka kufizim të tillë në Bibël. Në praktikë, për arsye politike, hebrenjtë ashkenazi, të cilët jetonin në një kulturë diskriminuese dhe dominuese të krishterë e abandonuan poligaminë shekuj më parë, por kjo praktikë vazhdoi në mënyrë të kufizuar tek hebrenjtë sefarditë dhe jemenitë. Në Krishterim, rasti më i njohur i vazhdimësisë së poligamisë është në Kishën Mormone dhe në disa degë të Protestantizmit në SHBA. Në të gjitha vendet ku nuk njihet legjitimiteti i martesës poligame, ato kryhen – ashtu si në rastin e Dervish Hasit – nën ombrellën e bashkëjetesës. Vazhdimisht në SHBA dënimi ligjor për poligami ka ardhur duke u ulur nga burgosje në gjobë dhe në praktikë shteti nuk angazhohet në raste të tilla. Kjo shihet qartazi në faktin se familje poligame shfaqen haptazi në realit show në Netflix. Teksa numri më i madh globalisht i atyre që e praktikojnë poligaminë janë myslimanë, kjo nuk është praktikë ekskluzive myslimane apo e Lindjes së Mesme.

Vërtet që shteti shqiptar nuk e njeh ligjshmërinë e poligamisë, por për sa kohë që poligamia praktikohet si bashkëjetesë, shteti nuk ka hapësirë për ta ndjekur penalisht. Këto vendime nuk mund të bazohen në konsideratat personale morale të shefit të komisariatit ose qoftë edhe ministrit të Drejtësisë. Teksa – siç jam përpjekur të argumentoj – poligamia e praktikuar si bashkëjetesë nuk mund të jetë problematikë e organeve të policisë, kjo nuk do të thotë që nuk ka arsye për të qenë objekt i shqetësimit shoqëror, sidomos kur një nga partnerët në fjalë është në moshë të re. Ajo që do doja të adresoja në pjesën e fundit të këtij artikulli është ajo që besoj se duhet të ketë edhe një interes i udhëheqësve fetarë myslimanë në Shqipëri.

Një argument fetar për kufizim të poligamisë në Shqipëri

Debatet ndërmjet besimtarëve myslimanë pas arrestimit të Dervish Hasit tregojnë ndër të tjera se edhe ata besimtarë që janë kritikë ndaj Hasit dhe nuk praktikojnë poligami – shumica dërmuese e besimtarëve myslimanë – nuk do e vënë në dyshim legjitimitetin fetar të praktikës së poligamisë, pasi poligamia pranohet si legjitime në librin themeltar të Islamit, në Kuran. Ngjashëm, një republikë parlamentare si Shqipëria ka qytetarë që besojnë se monarkia është sistemi më i mirë politik. Ky besim nuk është i paligjshëm për sa kohë që monarkistët nuk marrin masa për të rrëzuar rendin republikan me dhunë. Në të kundërtën, ata mund ta besojnë dhe propagandojnë sistemin monarkik si pjesë e lirisë së mendimit. Bindjet fetare që bien në kundërshtim me vlerat dominuese të shoqërisë shqiptare nuk janë fort të ndryshme.

Interesi për rastin e Dervish Hasit ka sjellë në vëmendje edhe disa deklarata të disa imamëve shqiptarë (një nga Shqipëri, një nga Maqedonia e Veriut dhe një nga Kosova) të cilët në një video në YouTube inkurajojnë poligaminë. Martesa islame kërkon përmbushjen e disa kushteve që të konsiderohet e vlefshme dhe ajo vjen me një sërë përgjegjësish. Shumë nga këta imamë, si ato në video, flasin përgjithësisht për martesën islame gjer në momentin e aktit të nikah-ut ose kryerjes së aktit kontraktual të martesës. Problemi është se për dallim nga kolegët e tyre të periudhës para moderne, këta imamë nuk kanë asnjë pushtet imponues për t’i detyruar palët që t’u përgjigjen detyrimeve të tyre. Kontratat, për nga natyra, kanë klauzola të cilat parashikojnë masat që merren në rast të mospërmbushjes së detyrimeve. Në më shumë se 90% të rasteve të mundshme, fjala vjen, divorcet në Islam rezultojnë me detyrime financiare ndaj bashkëshortit. Nëse një bashkëshort mysliman vendos të mos përgjigjet ndaj detyrimeve të veta, imami që ka lidhur martesën është i paaftë që ta imponojë atë. Në të njëjtën kohë, duke qenë se martesat poligame nuk janë të regjistruara në organet shtetërore, kjo bashkëshorte nuk mund të kërkojë as mbrojtjen e gjykatës. Në këtë mënyrë, imamët që mbështesin ose kryejnë ceremoni nikahu që nuk njihen nga shteti, bëhen palë të një kontrate të mangët, e cila mbart mundësinë e abuzimit pa pasur mundësinë e adresimit të të drejtave të palëve, të drejta të cilat në më të shumtën e rasteve janë të drejta të bashkëshorteve.

Në veprën e tij monumentale të titulluar “Ahkam es-Sulltanije”, juristi mysliman i shek. XI, Ebuel-Hasanel-Mauardi e cilëson vendosjen e gjykatave si prerekuizita të një rendi politik të legjitimuar fetarisht nga shpallja kuranore. Në mungesë të një rendi të tillë politik, mungojnë edhe gjykatat që do t’i adresonin shkeljet e detyrimeve sheriatike. Historiania JudithTucker, e cila i ka studiuar regjistrat e gjykatave të periudhës osmane në Palestinë, duke u fokusuar në regjistrimet e martesave dhe ndarjeve shkruan:

[…] interesi im kërkimor si historiane sociale e periudhës osmane në botën arabe, më kish sjellë në kontakt me materialet legale islame, përfshi disa nga tekstet juridike dhe të dhënat e praktikave legale që kanë mbijetuar nga shekulli i 17-të dhe 18-të. E pata të vështirë të akordoj masën e këtyre diskutimeve dhe praktikave, të cilat ishin të ndikuara nga shqetësimi i thellë për të drejtat e anëtarëve më të dobët të shoqërisë – të varfërve, jetimëve, grave me tonin e debateve të sotme mbi veshjen dhe imoralitetin. Cila është marrëdhënia e juristëve tradicionalë me ata të sotmit?” (Judith Tucker. Women, Family and Gender in Islamic Law. Cambridge University Press. 2008.)

Besimtarët myslimanë shqiptarë nuk kanë pse mos të besojnë në legjitimitetin e poligamisë në të njëjtën kohë që ata kanë një interes primar që t’i mbrojnë anëtarët e bashkësisë së tyre nga abuzimet e mundshme. Imamët shqiptarë – do të shpresonim – do të duhej ta ndanin të njëjtin shqetësim si kolegët e tyre të Perandorisë Osmane për të drejtat e besimtarëve që mund të abuzohen. Propagandimi i martesave poligame në rende laike, si Shqipëria, e hap mundësinë e abuzimeve, pasi një bashkëshorte e tillë nuk do ta kishte as mbrojtjen ligjore të kadiut – si motrat e saj në shek. XVII dhe XVIII, por as të gjykatës bashkëkohore.

Në përfundim, Islami është në themel fe antiklerikale dhe ata që duan ta lidhin një martesë poligame do të munden ta bëjnë këtë edhe pa praninë e një imami zyrtar dhe pa qenë e nevojshme të bëhet në xhami. Qytetarët e një vendi post-komunist, si Shqipëria, mund të jenë kundër poligamisë, por do të duhet të pranojnë që njerëz në moshë madhore do të marrin vendimet e tyre për sa u përket lidhjeve në të cilat duan të jetojnë dhe jetës së tyre intime. Rasti i Dervish Hasit duhet ta alarmojë publikun për faktin se përtej ekzotizmit mediatik për “haremin e doktorit” gjendemi përballë rrezikut të tejkalimit të kufijve ligjorë të organeve të policisë dhe se është në interesin tonë të përgjithshëm publik që t’i vendosim policisë dhe shtetit, në përgjithësi, kufirin “tek thana”. Një grup i armatosur, si forcat e policisë, në momentin që vepron jashtë kufijve të ligjit, nuk është më polici në shërbim të qytetarit, por bandë. Qytetarët shqiptarë mund të jenë kundër praktikave të Dr. Hasit, si marrëdhënia intime me një vajzë tashmë 16 vjeç, por duhet t’i mbrojnë të drejtat e qytetarëve për të bërë zgjedhjet e tyre për sa kohë që këto zgjedhje nuk janë të jashtëligjshme. /Revista Shenja/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re