Nga një biznes i vogël, që punonte me kushte minimaliste dhe fitonte aq sa për të mbajtur familjen, me ndihmën e qeverisë, sot Dhurata Maloku ka mundur jo vetëm të zgjerojë aktivitetin e saj, por të sigurojë një treg më të gjerë për mishin e shpendëve, si dhe të furnizojë restorantet më të mëdha në Fushë Krujë e në zonat përreth.

Familja Maloku, e cila e ka nisur aktivitetin e saj në vitin 2011 aplikoi për herë të parë për mbështetje financiare për ndërtimin e kompleksit të shpendëve, duke përfituar një shumë prej 5,1 milionë lekësh nga Fondi i Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, e cila i mundësoi kryerjen e një investimi që ka përmirësuar ndjeshëm proceset e punës, si dhe ka shtuar kapacitetet prodhuese.

Kryeministri Edi Rama i cili vizitoi këtë biznes u shpreh se, ky është një tjetër shembull se si skema kombëtare ndihmon njerëzit e zakonshëm të ngrenë biznesin e tyre dhe të jenë të suksesshëm.

“Duam t’i tregojmë këto shembuj sepse duam që njerëzit t’i shohin që këto janë gjëra që janë reale, të mundshme, që janë për njerëz të zakonshëm, se ju s’keni pasur as miq as parti, as politikë, asgjë, por keni pasur vetëm punën,” u shpreh Kryeministri Rama.

Vetë biznesmeni tregon se ishte pikërisht mbështetja e qeverisë që mundësoi që biznesi i tyre të rritej dhe shprehet se mendon që ai të zgjerohet edhe më tepër në të ardhmen.

“Aplikuam te AZHBR, fituam grantin. Përfundimisht jemi shumë të kënaqur. Shpresën e kemi që ta zgjerojmë aktivitetin me ndihmën tuaj dhe do punësojmë më shumë se deri tani 8 veta jemi të punësuar. Më parë punonim në mënyrë primitive. Kjo ishte një ardhur shumë e mirë për ne,” shprehet biznesmeni.

Objektivi kryesor i financimeve të qeverisë është pikërisht nxitja e sipërmarrësve të vegjël në zonat rurale për plotësimin e standardeve kombëtare dhe të Bashkimit Europian, si dhe rritja e prodhimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re