E habitshme apo jo, në botën arabe janë në gjendje të bien në një mendje vetëm kur flitet për një futbollist, e posaçërisht për Muhamed Salahun.

Veç faktit se një finale e futbollit europian ka marrë peshë të veçantë pikërisht për shkak të pjesëmarrjes së tij në të, dëmtimi i talentit egjiptian ka sjellë një vëmendje të shtuar.

Thuajse e tërë media e shkruar ka patur sot në qendër të saj këtë personazh, lotët e të cilit një mbrëmje më parë bënë xhiron e botës. Fotografitë e tij të shoqëruara me shkrime në arabisht apo anglisht kanë zënë vendin qendror në gazeta a portale, shoqëruar me të njëjtën pyetje: a do të mund të luajë ai në botëror?

Edhe pse krijimi i aureolës rreth tij ka nisur prej muajsh, a thua se në botën arabe nuk kanë tjetër me ç’të krenohen, dalja e Salahut nga loja me shpatullën të lënduar ka nxitur një tjetër valë, atë të shprehjes së zemërimit ndaj kundërshtarit që i shkaktoi dëmtimin.

Qendërmbrojtësi i Realit është etiketuar në gjithfarë mënyrash, veprimi i tij është cilësuar i qëllimshëm, madje makabër. Po, ndërhyrja e tij mund të ketë qenë e qëllimshme, për ta nxjerrë jashtë loje Salahun, por ç’rëndësi ka kjo?! Po flasim në fund të fundit për futbollistë, për një lojë futbolli!

Salahu kështu e ashtu… A do të agjërojë Salahu mbrëmjen e finales, apo do ta prishë agjërimin? A do të jetë në gjendje të luajë në Kupën e Botës?

A thua ky është halli i një bote të tërë?

Mbase kaq zhurmë nuk u bë për dhjetëra palestinezë të vrarë javë më parë. Mbase kaq vëmendje nuk kanë marrë rohingiat, mbase nuk ka marrë as konflikti jemenas? Kaq nuk është analizuar as lufta e subvencionuar siriane, as armatimi i qëllimshëm i kurdëve në veri të Sirisë.

Zgjedhjet në Liban, në Irak, situata në Libi, zgjedhjet e parakohshme në Turqi, përplasja me Katarin… Askush nuk do t’ia dijë… Një dynja është marrosur pas Salahut!

Ky është heroi, ky është burimi i krenarisë… Nga qytetërimi që i dha lulëzim botës për shekuj te meraku i tepruar për një futbollist!

Amulli që nuk ka të mbaruar…

Dëmtimi i Salahut, hall mbi hall…/tesheshi.com/

 

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re