Kupa e Botës, si veprimtaria më madhore e futbollit global, nuk ka assesi vetëm karakter argëtues për miliona njerëz të dhënë pas një loje ku topit i turren 22 lojtarë në fushë për ta dërguar në portë, ndonjëherë, mbase, edhe për të mos e dërguar në të. Për t’u shprehur disi më ndryshe, ajo ka dhe karakter argëtues në fund fare, pasi ka shërbyer për një sërë objektivash.

Se çfarë interesash ngërthen një aktivitet i tillë mjafton të kujtojmë faktin se ç’përpjekje u bë që botërori i ardhshëm të zhvillohet në Katar, se ç’përpjekje ka patur dhe ka për ta anuluar këtë vendim, apo si SHBA-ja, me Kanadanë dhe Meksikën nën sqetull, ia doli t’i rrëmbejë gati dhunshëm Marokut zhvillimin e botërorit tetë vite më vonë nga ky i sotmi. Ekonomi, politikë, gjeopolitikë!

Kësisoj, ta shohësh një ndeshje futbolli vetëm si të tillë është më së paku naivitet. A nuk vlen kualifikimi i Rusisë për në çerekfinale më shumë se një arritje sportive? Rezultati në fushë, pra, nuk është diçka aq joserioze në një këndvështrim të gjerë.

Në një kontekst ngushtësisht sportiv, aktiviteti botëror i futbollit banalizohet me të zbritur në terrenin shqiptar, aty ku gjithçka i ngjan një moçalishteje. Nuk bëhet fjalë për një dukuri sporadike, por përsëritur rregullisht sa herë që ka veprimtari të tilla masive, europiane apo botërore.

Programet televizive me këtë rast ngjajnë kryekëput: një drejtues emisioni që mëton të tregojë njohje të futbollit, shpesh dështues në këtë përpjekje, me një bashkëshoqëruese në krah, ndoshta qëllimshëm zgjedhur gjithmonë e paaftë për të ndërtuar qoftë dhe një fjali, të ftuar të gjithfarshëm, ku sigurisht nuk mungojnë të ashtuquajturit politikanë, që me bluzat sportive veshur apo me tifozllëkun e tyre të pështirë e tregojnë hapur se nga ç’batak vijnë e ku e kanë vendin, si dhe femrat aq keq të veshura, apo, më saktë, pothuajse të zhveshura, me zhveshjen si meritë të vetme për të qenë në një studio ku pretendohet të flitet për futboll. Në fund, është treguar mëshirë për të përfshirë dhe një njohës të vërtetë të kësaj loje, i cili mund të flasë me gjuhën teknike, por që me pikatore mundet ta marrë fjalën.

Pyetjet janë të karakterit idiot, ku më spikatëse është ajo më e pranishmja: me ç’ekip je tifoz? Kaq mjafton për ta kthyer ambientin nga një studio televizive në një lokal lagjeje ku akoma njerëzia i kthen gotat që në pesë të mëngjesit. Debati është banal, i turpshëm, aspak profesionist. Batakçinjtë e ekranit janë në qejf të tyre, të etur për të përfituar dhe ata nga ky botëror.

Budallallëqet janë me okë. Mjafton diçka pikante, sa për ta ilustruar. Drejtuesja e një emisioni të tillë e quante mjaft interesante një prej ndeshjeve ndoshta më të mërzitshme dhe më të paluftuara në grupe, mes dy skuadrave që e kishin siguruar kualifikimin. E gjora, ose nuk e kishte parë fare ndeshjen, ose nuk kishte arritur ta kuptonte lojën!

Për të ardhur te fenomeni më negativ, revanshi i basteve, pushtues të vërtetë të ekraneve, duke nisur nga ai publik.

Bastet kanë fituar territor, po tentojnë të kthehen në një aktivitet normal shoqëror, të pranueshëm, edhe të këshillueshëm, po të doni. Merita për këtë u shkon po batakçinjve të ekranit, kthyer në reklamues të bastvënies, këtij fenomeni minëvënës të shoqërisë.

Emisionet e botërorit nisin e mbarojnë me reklama të kompanive të basteve, ndërkohë që gjatë gjithë tyre flitet për baste, për kuota bastesh. Bëjnë kështu që nga televizioni publik, pa asnjë lloj frenimi, që në orët e paradites. Kemi të bëjmë me televizione, apo me lokale bastesh? Sa është koeficienti i kësaj apo asaj fitoreje, kësaj apo asaj humbjeje, me ç’koeficient është fitorja me kaq apo aq gola…? E vëmë bast? E fitova bastin!

Botërori përfundon kështu te bastet, në televizionet bastore, ku ekrani është vënë në shërbim të industrisë së basteve. Nuk ka asgjë që ta ndalojë këtë paudhësi televizive, që u shet bastin njerëzve si sheqerkën e botërorit të futbollit. Asnjë reagim për be!

E çuditshmja është se ka shumë njerëz të ngritur në këmbë këto ditë për të ndaluar prishjen e godinës së teatrit kombëtar, por asnjë nuk pipëtin për prishjen e “godinës” së televizioneve, shndërruar në bastore!

Këtu çështja kthehet te moraliteti shoqëror. Dhe nuk është puna te bastet e botërorit, por me vënien bast me jetët tona! A nuk është më mirë ta refuzojmë botërorin e basteve, të televizioneve bastore? /tesheshi.com/     

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re