Në bazë të KShH (Komiteti Shqiptar i Helsinkit), që ka realizuar një sondazh me gazetarët shihet se ekzistojnë një sërë problemesh që cënojnë lirinë e medias.

Gjetjet e Barometrit janë të ndara në tri seksione, ku i pari jep të dhënat konkrete për respektimin e të drejtave të gazetarit, së dyti sjell të dhëna mbi situatën dhe faktorët që ndikojnë në lirinë profesionale dhe së fundmi të dhëna mbi faktorët që ndikojnë në cenimin e lirisë së medias, si dhe sugjerimet e tyre mbi masat që do të ndihmonin më shumë rritjen e lirisë së saj.

Në Dhjetor të vitit 2019, parlamenti miratoi dy ligje pjesë e paketës “antishpifje”. Kjo paketë u kritikua që në fazat e hershme të hartimit të saj nga organizatat e shoqërisë civile dhe ato të medias, të cilat shprehën shqetësimin për kërcënim ndaj lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes. Këshilli i Evropës kritikoi ligjin për parametrat e tij të paqartë dhe potencialin e tij për të penguar raportimin në internet.

– Informaliteti në punë:
68.8% e të anketuarve pohuan se punojnë bazuar në një kontratë të rregullt pune, ndërsa pjesa tjetër prej 30.2% u përgjigjën se nuk kanë një kontratë të rregullt pune apo nuk kanë informacion për marrëdhënien e tyre kontraktuale.

– Bullizimi në vendin e punës:
11.5% e të anketuarve pohuan se ishin bullizuar/tallur gjatë punës apo për shkak të saj, në ambientin e punës. Në këtë kategori, shumica e tyre pohuan se kishin më shumë se 10 vite përvojë në punë dhe se sjelljet e bullizmit kishin ndodhur në vitet e para të karrierës.

–E drejta për pushime javore dhe vjetore:
Nga anketimi rezulton se: 59% e gazetarëve punojnë 6 ditë në javë, ndërkohë që 18% e tyre deklarojnë se nuk bëjnë asnjë ditë pushim. 63.5% e të pyeturve deklaruan se bëjnë 14 ose 15 ditë pushim në vit, ndërkohë që vetëm 16.5% e tyre gëzojnë efektivisht pushime të plota vjetore.

-Kërcenimet për shkak të punës:
Nga këto të dhëna rezulton se ka raste të shpeshta të kërcënimit fizik dhe verbal ndaj gazetarëve e punonjësve të medias, çka ndikojnë në prezencën e një klime vetë-censure ndaj medias në vendin tonë. Përkatësisht, 33 % e të pyeturve raportuan se ishin kërcënuar fizikisht për shkak të punës apo gjatë kryerjes së saj, ndërkohë që 51.5% raportojnë kërcënime verbale.

–Censurë dhe vetëcensurë:
Përkatësisht, 49.5% e të anketuarve pohuan se u ishte kërkuar direkt apo përmes redaktorit apo kryeredaktorit të mos publikonin një lajm. Në një nivel pak më të lartë paraqiten perceptimet për rastet e vetë-censurës, ku 52% e të anketuarve pohuan kishin shmangur raportimin e një lajmi, për shkak se kishin menduar se ai nuk do i pëlqente punëdhënësit.

Pjesa më e madhe e të anketuarve apo 66.5% e tyre perceptojnë se media në Shqipëri është pak ose aspak e lirë. Ndërkohë që 30.5% vlerësojnë se media është mesatarisht e lirë. Vetëm 3% e të anketuarve mendojnë se media në vend është e lirë apo plotësisht e lirë.

Faktorët ndikues janë: ndërhyrjet politike, interesat e bizneseve të drejtuara nga pronarët e mediave apo persona të përfshirë me krimin e organizuar.

Nga të dhënat e përpunuar faktorët që kontribuojnë në rritjen e lirisë së medias janë një përgatitje më e mirë profesionale e gazetarëve , të krijohet një sindikate që ti përfaqësojë dhe mbrojë denjësisht dhe për 43% e të anketuarve, është e nevojshme të ketë pavarësi të pronarëve të medias nga politika.

Sa i përket përvojës në sektorin e medias 61% e atyre që i përgjigjur Barometrit, referojnë se kanë mbi 10 vjet që ushtrojnë profesionin, 37.5% referojnë se kishin mbi 15 vjet përvojë, 18% kanë 1-5 vjet përvojë, ndërkohë që 4% e totalit kishin më pak se një vit në sektorin e medias.

-Pozicioni:
64% e tyre u vetëdeklaruan gazetarë, 8.5% kryeredaktorë dhe 6.5% redaktorë. Pjesa tjetër, prej rreth 20% përfshinin punonjës në pozicione të tjera, si: Regjisor, montazhier, kameramanë, teknikë transmetimi, etj.

74 % e të anketuarve deklaruan se punojnë në kryeqytet, ndërsa 26% e tyre referuan se punonin në qytete të tjera të vendit.

-Ngacmimet seksuale në vendin e punës:
15 nga të anketuarit apo 7.5% e totalit deklaruan se ishin ngacmuar seksualisht në vendin e punës. Vetëm në një rast, një prej të anketuarve referoi se kishte qenë prezent gjatë sjelljeve të ngacmimit që u ndodhte personave të tjerë në një redaksi. Të gjithë të anketuarit që pohuan ngacmime seksuale ishin femra.

Stresi në punë:
Mbi 88 % e punonjësve të medias raportuan nivele të larta stresi për shkak të punës. Një pjesë e mirë e tyre, 79.5 % raportuan se kishin mbuluar dhe raportuar ngjarje, të cilat u kishin krijuar tronditje të fortë psikologjike. Por vetëm një pjesë e vogël, 10% pranuan se kishin kërkuar ndihmë mjekësore për këto shkaqe.

(E.D/faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re