Agim Kajmaku, ish kryebashkiaku i Vorës është arrestuar mbrëmjen e djeshme nga policia italiane pasi është kapur me rreth 20 kg kokainë.

Kajmaku është kapur me 20 kg kokainë e cila nëse do të hidhej në treg, parashikohej të kapte një vlerë rreth 1 milion euro.

Arrestimi i tij është bërë më 27 maj 2022 zonën e San Benedetto del Tronto, ndërsa droga ka qenë e fshehur brenda disa vazove me lule.

I zgjedhur në krye të bashkisë së Vorës në zgjedhjet e vitit 2019, Kajmaku e humbi të drejtën e ushtrimit të kësaj detyre pas denoncimit nga PD se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash dhe se kjo nuk ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit, fakt që u vërtetua më pas nga prokuroria e Tiranës përmes një letërporosie dërguar autoriteteve greke.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shkarkoi nga detyra dhe menjëherë Policia e shpalli në kërkim.

Në ditën që u shkarkua nga KQZ-ja ai firmosi shkarkimin nga detyra të dy nënkryetarëve të bashkisë, firmë e cila i rëndoi pozitën, pasi u akuzua edhe për përdorim të postit pas lirimit. “Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tirane, ka shpallur në kërkim me masë sigurimi me arrest në burg, në lidhje me hetimin që zhvillohet në ngarkim të shtetasit Agim Kajmaku, i dyshuar për kryerjen e veprave penale, shpërdorim detyre, sipas nenit 248 te Kodit Penal, falsifikimi i formularëve, neni 190 i Kodit Penal, dhe Ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës, neni 249 i Kodit Penal”, thuhej në urdhër-arrestin për Kajmakun të 1 nëntorit 2019.

Pasi qëndroi 8 muaj në arrati, Agim Kajmaku u arrestua në një spital privat ku kishte shkuar për problem shëndetësore.

Por një ditë pas arrestimit, në 8 korrik 2020 Gjykata e Apelit liron ish krye-bashkiakun e Vorës.

Apeli caktoi ‘detyrim paraqitje’ për Kajmakun pasi vetë Prokuroria, konkretisht prokurorja Arta Marku kërkoi zbutjen e masës së sigurisë. Kajmaku vuan nga disa sëmundje dhe kjo me sa duket ka ndikuar në zbutjen e masës së sigurisë.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re