“Faleminderit Kosovë!”- Më këtë shënim kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka postuar kolazhin e fotografive të vizitës së tij në shtetin e Kosovës.

Lideri i opozitës, Lulzim Basha mbërriti ditën e hënë dhe gjatë vizitës dy ditore në Kosovë me ftesë të Kryeministrit Hoti, dhe u prit nga drejtuesit më të lartë të shtetit, me të cilët ndau qëndrime dhe pikëpamje mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Shqipëri.

Në të gjitha takimet me Kryeministrin Avdullah Hoti, Presidentin Hashim Thaçi, Kryetaren e Parlamentit Vjosa Osmani, Kryetarin e Vetëvendosjes Albin Kurti, Kryetarin e PDK Kadri Veseli, Kryetarin e Aleances per Ardhmerine e Kosoves, Ramush Haradinaj, Kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj, Nënkryetarin e LDK Agim Veliu, Kryetarin e Bashkisë së Prishtinës, Shpend Ahmeti,  Kryetarin e Bashkisë së Mitrovicës Agim Bahtiri, Kryetari i PD Basha përshëndeti rifilllimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke e vënë theksin tek rëndesia e dialogut me rezultat final njohjen reciproke mes Republikes se Kosoves dhe Serbisë.

Basha ka theksuar se bashkëpunimi i ngushte i partnereve strategjike te shqiptareve  SHBA-BE është jetik për suksesin ne ketë proces.

Kryedemokrati vlerësoi rolin e padiskutueshëm të UÇK-së në çlirimin e Kosovës, dhe shprehu bindjen se marrja në pyetje e ish-luftëtarëve të saj, është një proces që do t’i nxjerrë ata faqebardhë, ndërsa theksoi se askush nuk do te mund ta njollose luftën e drejte për liri te UÇK.

Lideri i opozitës u shpreh se Partia Demokratike ka një trashëgimi të jashtëzakonshme në marrëdhënien vëllazërore të Shqipërisë me Kosovën, duke projektuar dhe finalizuar projektin madhështor të Rrugës së Kombit, autostradës që solli më afër shqiptarë të një gjuhë dhe kulture. Basha riperseriti premtimin se me ardhjen ne pushtet qeverisja e PD do ta heqë taksen e rrugës se Kombit.

Ndërkohe qe theksoi se Tirana nuk duhet të tregojë një qasje paternaliste në marrëdhëniet me Kosovën. Shqipëria duhet të jetë në mbështetje të plotë të sovranitetit, integritetit territorial të Kosovës dhe promotore e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si kushtet themelore që garantojnë paqen, stabilitetin dhe integrimin për të gjithë rajonin.

Një vëmendje të veçante, Basha i kushtoi bashkëpunimit ekonomik me Kosovën. Kryetari i opozitës tha se në qeverisjen e Partisë Demokratike, bashkëpunimin ekonomik me Kosovën nuk do mbetet kryefjalë e konferencave dhe fasadave boshe, por do të jetë  prioritet i qeverisë së ardhshme, ku Kosovës do t’i jepen të drejta ekskluzive për shfrytëzimin e infrastrukturës portuale shqiptare e cila do te trajtohet si pjese e territorit te Kosoves. Një tjetër fushe e bashkëpunimit do te jete dhe energjitika ka theksuar Basha.

Në pritjen e rezervuar në Kosovë, momente të veçanta ishin për Lulzim Bashën, dhe nderimi për heronjtë e luftës në Prekaz dhe homazhet për ish-Presidentin Rugova. Kryetari demokrat ndau me ndjekësit e tij në FB dhe momentet e dorëzimit të flamurit 108 vjeçar të Isa Boletinit nga pasardhësi i Isa Boletinit. Gjatë vizitës në kullën e restauruar të familjes Boletini, nipi i tij i dhuroi Lulzim Bashës flamurin e çmuar të familjes me urimin që ta vendosë këtë flamur në zyrën e tij si Kryeministër i ardhshëm. Kryetari i Komunës së Mitrovices nga ana tjetër vlerësoi mbështetjen Basha ka dhëne për prehjen e eshtrave të heroit Isa Boletini ne shtëpinë e tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re