Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka inspektuar qendrën e re shëndetësore ‘Kodra e Diellit’, të ndërtuar me programin e 300 qendrave shëndetësore.
Duke u shprehur se pavarësisht pandemisë, puna për hapjen e qendrave të reja shëndetësore nuk ka ndalur, Manastirliu ka theksuar se qendra shëndetësore ‘Kodra e Diellit’ do t’ju shërbejë 12 mijë banorëve duke ofruar shërbime të aksesueshme dhe afër vendbanimit.
Manastirliu ka bërë me dije se nga dita e hënë në Tiranë do të shtohen 4 pika të reja për testimin e shpejtë në komunitet, me qëllim kapjen e hershme dhe izolimin e rasteve me COVID19.
“Në Tiranë kemi 6 pika testimi dhe nga dita e hënë do të kemi edhe 4 pika të reja, pra 10 pika në Tiranë që do ti dedikohen testimit të shpejtë, nëpërmjet testit të shpejtë të antigenit që kryhet nga epidemiologe të trajnuar dhe që sigurisht rrisin shpejtësinë e bërjes së testit, shkurtojnë kohën e pritjes dhe bëjnë atë që ne synojmë, kapjen e hershme, izolimin e rasteve dhe shkëputjen e zinxhirit të infeksionit”, tha Manastirliu.