Sfida e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit ndaj kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kandidatë të pastër në zgjedhjet e parlamentare të 25 prillit nuk ka mbetur pa u reflektuar në rezultatet negative të LSI. Të gjithë kandidatët që kanë dosjen në SPAK për korrupsion, për vrasje, lidhje me terrorizmin apo si fëmijë ish gjyqtarësh dhe prokurorësh të përjashtuar nga vettingu, kanë humbur  thellë në zonat e tyre.

Kryemadhi ia besoi Kamzën Përparim Spahiut që ka ende një dosje të hapur në SPAK për vëllain e tij Ylli Spahiu, si ish-drejtor i Patentave.  Përparim Spahiu rezulton se ka përdorur makinat e shtetit, me firmë të vëllait drejtor, në konflikt flagrant interesi.  Nga 5.228 vota që siguroi LSI në vitin 2017, në këto zgjedhje në Kamëz LSI  mori 3147.

Tjetër humbës është dhe Aldi Fusha, i cili njihet ndryshe si djali i ish-kryeprokurorit të Tiranës, Petrit Fusha, që u largua nga drejtësia në shkurt të vitit 2019 nga frika e Vetingut, sapo Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i dërgoi dosjen e verifikimit dhe i kërkoi të justifikonte pasurinë. Komisioni i Vetingut e ka kallëzuar penalisht Petrit Fushën.  Djali I ish prokurorit që e kapi frika nga drejtësia mori 706 vota nga 1.026 vota që ka marrë 4 vite më parë.

Kontribuese në humbjen e LSI në Tiranë është dhe Esmeralda Demiraj. Ajo është e bija e ish-prokurorit Skënder Demiri, i cili u arrestua në shtator të 2020 së bashku me gjyqtaren Mimoza Margjeka, me urdhër të SPAK, për një rast të dyshuar korrupsioni në drejtësi. Demiraj u la më pas në arrest shtëpie.  Në këto zgjedhje, Demiraj që mbuloi zonën e Rrogozhinës, mori 618 vota nga  1.315 vota që ka pasur në vitin 2017.

Edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm në Ministrisë së Bujqësisë kur drejtohej nga Edmond Panariti, Vojo Bregu që kandidonte në Vorë dhe person nën hetim nga SPAK për abuzime, ka rrudhur votat e LSI me 80 %, duke siguruar vetëm 900 nga 4565 vota të 2017-s.

Por njësia që fundosi më shumë LSI është pikërisht njësia 1, ku Kryemadhi caktoi Etjon Jokën që u filmua duke blerë vota dhe tashmë është person në kërkim nga policia. Edhe pse hodhi lekë dhe u kap mat duke blerë vota, Joka përgjysmoi rezultatin e LSI në këtë zonë. LSI në këtë zonë mori 1299     nga 2.677 që ka pasur në vitin 2017. Kujtojmë që në këtë njësi strukturat e LSI u shkrinë dy muaj para zgjedhjeve duke kaluar masivisht me PS.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re