Skip to content

Nga dje nën rrënoja/ Vijojnë kërkimet për 69-vjeçarin e zhdukur pas shpërthimit tragjik në Elbasan, në terren gjatë natës edhe Forcat e Armatosura

Capture 19

Mbi 17 orë operacion pa ndërprerje në pallatin e dëmtuar rëndë. Dy ekipe të specializuara me 17 efektivë të Forcave të Armatosura po punojnë për gjetjen e të moshuarit. Zjarrfikësit evakuuan të paktë 10 banorë, mes tyre të moshuar dhe fëmijë.

Operacioni i kërkim-shpëtimit në pallatin e goditur nga shpërthimi i fuqishëm në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan vijon pa ndërprerje prej më shumë se 17 orësh, ndërsa ekipet e emergjencave po punojnë në kushte tejet të vështira dhe me rrezik të lartë për jetën.

Në operacion janë angazhuar shërbimet zjarrfikëse, strukturat e emergjencave civile dhe Policia e Shtetit. Në orët e pasdites së djeshme , në ndihmë të ekipeve vendore mbërritën edhe Forcat e Armatosura, të cilat kanë angazhuar dy ekipe të specializuara kërkim-shpëtimi, me gjithsej 17 efektivë, për të bërë të mundur gjetjen e 69-vjeçarit që rezulton i zhdukur pas shpërthimit.

Pavarësisht rrezikshmërisë së lartë që paraqet godina, kërkimet vijuan edhe gjatë natës me intensitet, duke përdorur pajisje dhe mjete të specializuara, mes të cilave kamera termike, kamera kërkimi, pajisje për prerjen e betonit dhe jastëkë ajri për ngritjen e peshave të rënda. Çdo ndërhyrje po kryhet me kujdes maksimal, për shkak të dëmtimeve të rënda strukturore të ndërtesës.

Që në momentet e para pas marrjes së njoftimit, Shërbimi Zjarrfikës i Elbasanit ka ndërhyrë me pesë mjete dhe 25 punonjës, duke u përballur me një situatë emergjente me pasoja të rënda.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme, u bë i mundur evakuimi i më shumë se 10 banorëve, kryesisht të moshuar dhe fëmijë, nga katet e larta të pallatit, duke përdorur shkallën e emergjencës.

Fatkeqësisht, shpërthimi i mori jetën një gruaje të moshuar. Sipas informacionit të bërë publik nga strukturat zjarrfikëse, humbja e jetës së 82 vjeçares Hatixhe Berisha ka ardhur si pasojë e shpërthimit dhe jo e flakëve. Ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve bëri të mundur që nga zjarri të mos regjistrohej asnjë person tjetër i lënduar me pasoja për jetën.

Ndërkohë, banorët që pësuan asfiksi të lehtë morën ndihmën e nevojshme mjekësore dhe tashmë janë rikthyer pranë familjarëve të tyre.

Në një situatë të tillë tragjike, strukturat zjarrfikëse kanë përcjellë edhe një mesazh solidariteti dhe mirënjohjeje për të gjithë efektivët që po punojnë në terren, duke vënë në rrezik jetën e tyre për të shpëtuar qytetarët.

Shërbimi Zjarrfikës i Elbasanit disponon aktualisht tetë mjete, konkretisht një autobot, një autoshkallë dhe gjashtë mjete me pompë centrifugale për ndërhyrjen në raste zjarresh dhe emergjencash.

Operacioni vijon, ndërsa shpresa mbetet te gjetja e 69-vjeçarit të zhdukur. Në këto momente të vështira, puna e ekipeve të kërkim-shpëtimit meriton respekt, vlerësim dhe mbështetje maksimale.