Dhoma është hapësira e njeriut, e familjes së tij, e gëzimeve dhe brengave të tij, e virtyteve apo veseve njerëzore, e atyre gjërave që ai zgjedh t’i ndajë me të tjerët dhe e atyre që dëshiron t’i mbajë për vete.
Ajo është hapësira ekskluzive e tij dhe e askujt tjetër, një kufi pas të cilit fillon jeta private e njeriut dhe ku askush nuk mund t’i japë vetes të drejtën të hyjë vetëm sepse dëshiron të dijë se çfarë ndodh brenda saj.
Megjithatë, ky kufi shkelet rëndom edhe në mjediset e punës, ku kurioziteti i tepruar për jetën personale të kolegut kthehet në mjet presioni apo thashethemeve nëpër korridore. Pyetjet këmbëngulëse mbi gjendjen civile, shëndetin apo të ardhurat e tjetrit, janë pikërisht kapërcim i këtij pragu të padukshëm.
Në Kuran ekziston një sure që quhet “El-Huxhurat” (Dhomat), dhe vetë emri i saj të çon pikërisht te ky kufi. Thuhet se shkaku i zbritjes së këtyre ajeteve lidhet me ardhjen në Medinë të një fisi të rëndësishëm arab, “Benu Temim”, përfaqësuesit e të cilit kërkonin ta takonin Profetin Muhamed dhe e thërrisnin atë nga jashtë dhomave të tij.
Transmetime të tjera përmendin rrethanat apo hollësi të ndryshme rreth kësaj ngjarjeje, por ajo që ka rëndësi për ne nuk është aq debati mbi shkakun e saktë historik të zbritjes, sesa mesazhi që mbetet: edhe kur kërkesa jote është e drejtë, edhe kur kërkon dije, përgjigje apo takim me një autoritet fetar, kjo nuk të jep të drejtën të kapërcesh kufirin e tjetrit dhe të hysh në hapësirën e tij private.
Në jetën e përditshme, kjo duket qartë kur dikush kontrollon fshehurazi telefonin apo mesazhet e anëtarëve të familjes, partnerit apo miqve. Kjo ndërhyrje dixhitale në fshehtësinë e komunikimit, është një shkelje flagrante e privatësisë që e shkatërron besimin reciprok.
Kurani thotë për ata që e thërrisnin Profetin nga jashtë dhomave se “shumica e tyre nuk kuptojnë”, dhe se do të kishte qenë më mirë të prisnin derisa ai të dilte vetë tek ata.
Më pas surja hyn thellë në karakterin njerëzor dhe trondit edhe vetë sahabët, shokët e Profetit, gjeneratën më të mirë të njerëzimit, duke prekur pikërisht ato dobësi dhe vese njerëzore që mund të cenojnë nderin, dinjitetin dhe privatësinë e tjetrit: lajmin e paverifikuar, përqeshjen, përçmimin, etiketimin fyes, dyshimin, spiunimin dhe përgojimin.
Dhe pikërisht fakti që këto paralajmërime u drejtoheshin atyre e bën mesazhin edhe më tronditës, sepse tregon se askush nuk është i imunizuar nga sprovat e karakterit njerëzor, duke na kujtuar se cenimi i njeriut nuk fillon gjithmonë me një veprim të drejtpërdrejtë ndaj tij, por shpesh me mënyrën se si e shohim, me atë që kërkojmë të dimë për të dhe, mbi të gjitha, me atë që themi dhe përhapim për jetën e tij.
Një shembull tjetër tronditës është fotografimi apo xhirimi i njerëzve në hapësira publike pa lejen e tyre, sidomos në çaste dobësie, aksidentesh apo fatkeqësish, vetëm për të marrë disa pëlqime më shumë në rrjete sociale. Kjo formë e shfrytëzimit të dhimbjes së tjetrit, zhvishet tërësisht nga empatia dhe njerëzillëku.
Për dyshimin, spiunimin dhe përgojimin, Zoti thotë: “O ju që keni besuar! Shmangni shumë prej dyshimeve, sepse disa dyshime janë gjynah. Mos spiunoni njëri-tjetrin dhe mos përgojoni njëri-tjetrin.
A dëshiron ndonjëri prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Ju do ta urrenit atë! Frikësojuni Allahut. Vërtet, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.” (El-Huxhurat, 49:12).
Njeriu i përgojuar krahasohet me një të vdekur, ku trupi dhe mishi i tij bëhen kënaqësia e instinktit shtazor të përgojuesit, sepse ai nuk është aty për t’u mbrojtur apo për të treguar versionin e tij, ndërsa emri, jeta dhe dinjiteti i tij vendosen mbi tryezë për t’u shqyer e konsumuar nga të tjerët, një pamje e rëndë dhe rrëqethëse që të ngjall neveri, dhe pikërisht për këtë arsye na tregon se çfarë bëhet me njeriun kur jeta e tij kthehet në ushqim për të tjerët.
Kjo sure është universale, dhe pikërisht për këtë arsye ajo pasqyron sot në mënyrë të frikshme edhe realitetin social shqiptar, një realitet të sëmurë që po gërryen çdo ditë trupin e shoqërisë dhe po e kthen atë në një të vdekur të vendosur mbi tryezë për ta shqyer, me dije apo pa vetëdije, në një shoqëri ku duket sikur po humbasin gradualisht privatësia, kufijtë dhe respekti për dinjitetin e tjetrit, ndërsa gjithçka duhet parë, fotografuar, regjistruar, përgjuar, komentuar dhe, në fund, publikuar.
Mjafton të hapësh Facebook-un, TikTok-un apo portalet në një ditë kur shpërthen një skandal dhe brenda pak orësh një shoqëri e tërë mund të shndërrohet në prokuror, gjykatës, moralist dhe ekspert të jetës private, ndërsa publikohen biseda, fotografi, përgjime, marrëdhënie sentimentale, probleme familjare dhe hollësi, që në shumë raste, nuk ndihmojnë aspak për të kuptuar atë që realisht ka rëndësi, por shërbejnë vetëm për ta kthyer jetën e tjetrit në objekt kureshtjeje dhe gjykimi.
Po ashtu, përhapja e pamjeve nga kamerat e sigurisë së bizneseve apo lagjeve, ku nxirren në shesh lëvizjet, takimet dhe çastet intime të individëve pa pasur asnjë arsyetim ligjor apo publik, përbën një tjetër abuzim të rëndë me të drejtën e secilit për të qenë i mbrojtur.
Kjo sëmundje, në realitetin tonë, e ka një pjesë të zanafillës së saj te “çakejtë” e politikës shqiptare, te mënyra se si për 36 vjet është ndërtuar marrëdhënia me kundërshtarin, pothuajse pa asnjë dallim.
Kundërshtari nuk është parë thjesht si dikush që mendon ndryshe, por si i keqi, si përfaqësuesi i së ligës, dhe kur një shoqëri ushqehet për dekada me këtë mënyrë të të menduarit, ajo nuk mbetet vetëm brenda politikës, por depërton gradualisht në çdo deje të saj, në familje, në shoqëri, në media, në institucione dhe, fatkeqësisht, edhe në jetën fetare.
Kjo frymë reflektohet edhe në komunitetet e vogla, ku thashethemet për shëndetin fizik apo mendor të fqinjit, shndërrohen në temë ditore nëpër tavolina, duke cenuar paqen e tij familjare.
Mjerisht, imunë ndaj kësaj nuk janë as fetarët. Përkundrazi, unë besoj se ata janë edhe më shumë të sprovuar. Njeriu që beson, që kërkon të mirën dhe që mendon se qëndron në anën e virtytit mund të bjerë po njësoj në dyshim, përgojim, përçmim, spiunim apo krenari, madje mund t’i kryejë ato duke menduar se po vepron në emër të së mirës, të dëlirësisë, të moralit dhe madje edhe të fesë.
Njeriu mund të bindet se është më i mirë apo më i pastër se tjetri dhe pikërisht nga kjo bindje t’i japë vetes të drejtën t’i kërkojë gabimet, ta përgojojë, ta gjykojë apo të hyjë në hapësirën e tij private, duke menduar se një pjesë e shoqërisë apo një grup është më i virtytshëm se një tjetër.
Në ajetin 13, Kurani e prek drejtpërdrejt këtë ide të epërsisë: “O njerëz! Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin”. Dallimi mes njerëzve nuk është dhënë për të ndërtuar epërsi.
Por krenaria njerëzore është aq e hollë sa, kur nuk gjen më strehë te fisi, prejardhja apo pozita, mund të hyjë edhe në besim dhe ta bëjë njeriun të mendojë se vetë përkatësia, kontributi apo sakrifica e tij fetare e vendos në një pozitë morale më të lartë se të tjerët.
Kurani shkon edhe më larg dhe prek pikërisht ata që arrijnë ta konsiderojnë edhe besimin e tyre si një favor, sikur ata po i japin diçka fesë dhe sikur kontributi apo shërbimi i tyre u krijon një meritë të veçantë, deri aty sa mund të mendojnë se ata kontribuojnë pa përfituar asgjë, ndërsa të tjerët janë përfitues të vetë sistemit fetar.
Dhe pikërisht në këtë pikë sakrifica, shërbimi apo kontributi mund të kthehen në ushqim për egon dhe në një arsye për ta parë veten mbi tjetrin. Për këtë Kurani thotë: “Ata ta përmendin si favor që e kanë pranuar Islamin. Thuaj: Mos ma përmendni Islamin tuaj si favor.
Përkundrazi, Allahu ju ka bërë mirë juve duke ju udhëzuar në besim, nëse jeni të sinqertë”. Në vetëm 18 ajete, kemi përpara një ekzaminim të gjallë të karakterit njerëzor, që fillon te kufiri i dhomës së tjetrit dhe vazhdon me mënyrën se si marrim lajmin, si e përdorim gjuhën, si dyshojmë, si përçmojmë, si spiunojmë dhe përgojojmë, për të mbërritur më pas te krenaria, epërsia morale dhe deri te pretendimi se edhe besimi ynë është një meritë që na vendos mbi të tjerët.
Dhe pikërisht këtu, koncepti i “dhomës” merr kuptimin e tij më të thellë. Sepse njeriu mund të dijë shumë për jetën e tjetrit, mund të shohë gabimin e tij, të dëgjojë fjalët e tij dhe madje të njohë një pjesë të asaj që ndodh pas derës së tij, por nuk mund të dijë atë që ndodh në zemrën e tij, qëllimin, sinqeritetin, pendimin, luftën që zhvillon me veten apo raportin e tij të vërtetë me Zotin.
Prandaj surja, pasi ka kaluar përmes gjithë këtyre dobësive njerëzore, nga cenimi i kufirit deri te pretendimi për epërsi dhe meritë në besim, mbyllet me një fjali që ia rikthen njeriut kufirin e tij të vërtetë: “Vërtet, Allahu e di të fshehtën e qiejve dhe të Tokës. Dhe Allahu sheh gjithçka që ju bëni!”.
Kështu, ajo që fillon përpara dhomave të Profetit, përfundon te një e vërtetë shumë më e madhe për çdo njeri: ne mund të qëndrojmë përpara derës së tjetrit, mund të dimë diçka nga ajo që ndodh pas saj dhe mund të bindemi madje se jemi më të mirë, më të dlirë apo më të virtytshëm se ai, por ajo pjesë e njeriut që nuk shihet, që nuk fotografohet, që nuk përgjohet dhe që nuk mund të ekspozohet, mbetet jashtë gjykimit tonë, sepse të fshehtën e asaj dhome e di vetëm Zoti.
Kjo sure ka zbritur në Medinë, rreth nëntë vjet pas Hixhretit, më shumë se 14 shekuj më parë, por ajo është e gjallë sot sikur të kishte zbritur mbrëmë, pikërisht për ne. Dhe ndoshta veçanërisht për ne shqiptarët, që mes shumë plagëve të tjera të shoqërisë sonë kemi arritur ta kthejmë helmimin e njëri-tjetrit pothuajse në natyrë njerëzore, ndërkohë që nuk është e tillë.
Shkelja e kufijve tanë, reflektohet po ashtu kur nxjerrim në dritë gabimet e së kaluarës së dikujt që tashmë ka ndryshuar, vetëm për t’i rrënuar imazhin apo për t’i pamundësuar një fillim të ri.
Shkelja e privatësisë, përgojimi, përçmimi, dyshimi, spiunimi, etiketimi dhe veset e tjera, nuk janë një fatalitet i karakterit njerëzor që duhet pranuar. Ato duhen mbytur nga e mira, nga e mira jonë e përbashkët, nga përgjegjësia për njëri-tjetrin dhe nga vetëdija se fjala mund të ndërtojë një njeri, por mund edhe ta shkatërrojë atë.
Ashtu siç na mëson edhe Profeti ynë Muhamed: “Kush beson në Zotin dhe në Ditën e Gjykimit, le të thotë fjalë të mirë ose le të heshtë”. Ndoshta heshtja përballë asaj që nuk na përket dhe fjala e mirë aty ku fjala jonë mund të bëjë mirë, janë ndër virtytet që na mungojnë më shumë.
Ditë pas dite, shoqëria jonë ka nevojë pikërisht për këto mësime të thjeshta, por thelbësore njerëzore: të respektojmë kufirin e tjetrit, të mos kërkojmë atë që ai dëshiron ta mbajë pas derës së tij, të mos ndërtojmë të vërteta mbi dyshime, të mos ushqehemi me përgojimin e tjetrit dhe të mos e ngremë veten duke ulur atë.
Ky ndërgjegjësim, kërkon një kthesë të thellë në mënyrën se si e edukojmë brezin e ri dhe se si bashkëjetojmë në hapësirën dixhitale. Mbrojtja e “dhomës” së tjetrit, nuk është thjesht një normë etike apo një detyrim fetar, por kushti kryesor për të ruajtur paqen tonë të brendshme dhe për të ndërtuar një shoqëri ku njeriu ndihet i sigurt, i respektuar dhe i lirë nga frika e gjykimit të pamëshirshëm.
Sepse këto nuk janë vetëm rregulla të një kohe apo të një shoqërie të largët. Ato burojnë nga Krijuesi i Gjithësisë. E kush më mirë se Ai i njeh zemrat tona? \tesheshi.com\
