Të fitosh zgjedhjet është një gjë. Të qeverisësh mirë dhe të ruash besimin e qytetarëve është një gjë tjetër. Vota të jep të drejtën të qeverisësh, por besimin e njerëzve duhet ta meritosh çdo ditë. Shqipëria ndodhet sot pikërisht përballë një momenti të tillë.
Protestat në Tiranë dhe qytete të tjera, përplasjet me policinë dhe pamjet shqetësuese të trajtimit të protestuesve ngrenë shqetësime që shkojnë përtej rendit publik. Në thelb, ato na vënë përballë një problemi më të madh: besimit ndërmjet qytetarëve dhe atyre që qeverisin në emër të tyre.
Natyrisht, protestat mbase nuk përfaqësojnë mendimin e njëqind për qind të shqiptarëve dhe aktet e dhunës, nga cilado palë, shpesh nuk mund të justifikohen. Por shqetësimet që kanë nxjerrë qindra mijëra qytetarë në rrugë nuk mund të shpërfillen kurrësesi. Një qeveri nuk mund t’u përgjigjet atyre vetëm me forcën e policisë, me akuza politike apo duke kujtuar se i ka fituar zgjedhjet. Të fitosh zgjedhjet nuk do të thotë të kesh të drejtë të mos i dëgjosh qytetarët gjatë qeverisjes. Demokracia nuk përfundon ditën e numërimit të votave. Përkundrazi, aty fillon përgjegjësia e përditshme e qeverisjes.
Këtu pikërisht, qëndron dallimi themelor ndërmjet pushtetit si pronë dhe pushtetit si amanet popullor. Amaneti është një përgjegjësi që të besohet përkohësisht, jo një pasuri që të dhurohet përgjithmonë. Ai nuk është privilegj për t’u shijuar, por detyrim për t’u përmbushur. Kur amaneti shpërdorohet, detyrimi moral është që t’i kthehet atij që ta ka besuar. Në një republikë demokratike, ky amanet buron nga populli, dhe kur shkelet i dorrëzohet pikërisht popullit. Kjo nuk është vetëm një bindje morale. Është vetë themeli i rendit tonë kushtetues: sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit.
Prandaj, kjo krizë nuk duhet të mbetet vetëm një debat për të ardhmen e një kryeministri. Ajo duhet të na bëjë të mendojmë se si qeverisemi, çfarë pranojmë nga pushteti dhe çfarë përgjegjësie kemi vetë për të ardhmen e vendit.
I drejtohem së pari Kryeministrit të Shqipërisë.
Zoti Kryeministër,
Mund të kesh një mandat parlamentar të dalë nga zgjedhjet, e mund të kesh shumicën e numrave në Kuvend. Mund të kesh ende instrumentet kushtetuese për të qëndruar në detyrë. E po ashtu, mund të kesh edhe administratën publike, apo policinë për të të mbrojtur.
Por ekziston një dallim thelbësor ndërmjet legjitimitetit formal për të ushtruar një mandat dhe legjitimitetit moral që duhet ta shoqërojë vazhdimisht atë.
Sipas shumicës absolute të shqiptarëve (bëje një sondazh të vërtetë po pate dyshime!), mënyra se si është zhvilluar marrëdhënia ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve, bashkë me krizën aktuale, e ka dëmtuar rëndë legjitimitetin moral të kësaj qeverisjeje. Tashmë besomë, nuk i ka mbetur më asnjë fije legjitimiteti. Për këtë arsye, si shumica absolute e shqiptarëve, edhe unë besoj se dorëheqja do të ishte veprimi më i përgjegjshëm politik për të hapur rrugën e një zgjidhjeje paqësore dhe demokratike.
Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në largimin nga pushteti. Përkundrazi, në rrethana të caktuara, aftësia për t’u larguar është prova më e lartë se një lider e kupton natyrën e përkohshme të përgjegjësisë së tij. Askush nuk duhet ta ngatërrojë stabilitetin e shtetit me qëndrimin e një individi në pushtet, edhe kur ai individ është vetja jote.
Mos mendo se daljet e tua përpara kamerave, pranë bizneseve të djegura apo të dëmtuara gjatë protestave, mund ta rikthejnë vetvetiu besimin e humbur. Sigurisht, dëmtimi i pronës së kujtdo është i papranueshëm dhe çdo qytetar që ka humbur mundin e punës së tij meriton mbrojtje dhe drejtësi. Por si mund të flasësh me kaq shqetësim për dëmet materiale të protestave, pa iu përgjigjur me të njëjtën përgjegjësi pyetjeve që ngrihen nga dosjet e korrupsionit dhe hetimet mbi kontrata publike me vlera qindra milionë euro, ku janë përfshirë në akuza ministra e zv-kryeministra të qeverisjes sate? Natyrisht, fajësinë e përcakton vetëm drejtësia, por përgjegjësia politike për transparencë dhe llogaridhënie nuk fillon vetëm pas një vendimi penal. Mos harro se qytetari nuk pret nga Kryeministri vetëm të shfaqet pranë dëmeve që shihen me sy, por edhe të japë llogari për mënyrën se si mbrohet pasuria publike, e cila u përket të gjithë shqiptarëve.
Besomë, Shqipëria ka ekzistuar përpara çdo kryeministri dhe do të ekzistojë pas çdo kryeministri, dhe këtë e ka treguar dhe do ta tregojë historia sa të jetë jeta. Shteti nuk është qeveria, e as qeveria nuk është kryeministri. Ah dhe mos harro më të rëndësishmen, kryeministri nuk është burimi i sovranitetit. Populli është. Ai popull që është sot i cili është në këmbë dhe po kërkon t’i dëgjohet zëri.
Dua të të kujtoj edhe diçka më të thelle se kaq. Ti vetë e ke përmendur disa herë edhe publikisht përgjegjësinë përpara Zotit. Nëse sic thua, vërtet beson në Zot dhe në ditën kur secili prej nesh do të japë llogari për veprat e tij, atëherë duhet ta dish se pushteti nuk është privilegj, por është një amanet hyjnor për të cilin do të përgjigjesh.
Në atë ditë, zoti Kryeministër, nuk do të ketë rëndësi sa mandate ke fituar, sa deputetë të kanë mbështetur, sa ministra të kanë duartrokitur apo sa njerëz të janë bindur. Pyetja do të jetë se çfarë bëre me pushtetin që të ishte besuar, sa drejtësi u dhe njerëzve, sa padrejtësi lejove dhe sa përgjegjësi more përpara se të ishte tepër vonë. Përgjegjësia përpara Zotit nuk duhet të mbetet vetëm një fjalë e bukur në fjalimet publike. Nëse e beson vërtet, ajo duhet të udhëheqë sidomos vendimet më të vështira të jetës, si ky që ke përpara.
Prandaj, nëse vërtet beson Zotin, mos e ngatërro qëndrimin në pushtet me përmbushjen e amanetit hyjnor. Ndonjëherë, akti më i lartë i përgjegjësisë së një drejtuesi nuk është të vazhdojë të qeverisë, por të ketë urtësinë dhe guximin të largohet. Historia me siguri që do ta gjykojë një ditë vendimin tënd, por ndërgjegjja jote të gjykon që sot. Kam bindjen që po ta pyesësh ndërgjegjen tënde, do të ta thotë të vërtetën. Mos harro, përpara Zotit, as pushteti, as shumica parlamentare dhe asnjë justifikim njerëzor nuk mund ta zëvendësojë përgjegjësinë personale. Amaneti nuk është i yti për ta mbajtur përgjithmonë. Është i popullit për t’ia kthyer me dinjitet, sepse nga ai e morre, dhe atij ia ke borxh ti dhe cdokush që do të të pasojë në vedin tënd.
Deputetëve:
Një thirrje veçanërisht të rëndësishme iu drejtoj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, sidomos atyre të shumicës parlamentare, disa prej të cilëve jeta i ka sjellë që jo vetëm t’i njoh, por t’i kem edhe miq.
Secili prej jush duhet t’i bëjë vetes një pyetje të thjeshtë: Kë përfaqësoj unë në këtë sallë? Popullin që më ka besuar mandatin, apo interesin politik të parties time, apo aq më pak, interest e një individi?
Kushtetuta, në nenin 70, e përcakton qartë se deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues. Kjo do të thotë se besnikëria ndaj partisë nuk mund të vendoset mbi besnikërinë ndaj Kushtetutës, ndërgjegjes dhe interesit publik. Askush nuk ju kërkon të hiqni dorë nga bindjet tuaja politike. Ajo që kërkohet është t’i qëndroni besnikë përgjegjësisë që keni marrë ndaj qytetarëve.
Nëse mendoni se mënyra e qeverisjes bie ndesh me interesin e vendit, keni jo vetëm të drejtën, por edhe përgjegjësinë morale ta shprehni këtë publikisht. Mos prisni gjithmonë që dikush tjetër të flasë i pari. Disa kanë filluar të pëshpërisin, por besomëni, është ende shumë pak.
Nëse një deputet arrin në bindjen se qeveria nuk e meriton më mbështetjen e tij, nuk është i detyruar ta mbështesë vetëm për shkak të përkatësisë partiake. Ai mund të shprehë publikisht mospajtimin, të largohet nga grupi parlamentar i shumicës, të mos mbështesë më qeverinë në votimet parlamentare ose, nëse e gjykon të drejtë, të japë dorëheqjen edhe nga mandati. Këto janë vendime të ndryshme, që secili duhet t’i marrë lirisht, në përputhje me Kushtetutën dhe ndërgjegjen e tij. Ajo që qytetarët kanë të drejtë të presin nga përfaqësuesit e tyre është që qëndrimet dhe votat të jenë të përgjegjshme, jo rezultat i bindjes së verbër ndaj një partie apo drejtuesi.
Historia parlamentare nuk kujton vetëm ata që morën vendime të guximshme. Ajo kujton edhe ata që, në momentet vendimtare, e dinin çfarë duhej bërë, por zgjodhën të heshtnin. Mos harroni, mandati parlamentar nuk është një kontratë bindjeje ndaj parties apo njëshit të saj. Mbi të gjitha është një përgjegjësi publike.
Kjo sigurisht që vlen njësoj edhe për deputetët e opozitës. Opozita nuk përjashtohet nga detyrimi i amanetit me popullin. Shqipëria nuk ka nevojë që thjesht të zëvendësojë një formë besnikërie të verbër me një tjetër. Ajo ka nevojë për përfaqësues të lirë dhe të përgjegjshëm, që e kuptojnë pushtetin si përgjegjësi dhe jo si privilegj.
Policisë së Shtetit:
Dua t’u drejtohem me respekt të veçantë punonjësve të Policisë së Shtetit.
E njoh vështirësinë e detyrës suaj. E di se shumë prej jush janë prindër, bashkëshortë, bij e bija të familjeve shqiptare, njerëz që punojnë për të siguruar jetesën me ndershmëri.
E di gjithashtu se një punonjës policie mund të gjendet përballë situatave të rrezikshme për vetë jetën e tij apo saj, dhe se ka të drejtë të mbrohet nga dhuna.
Por dua t’ju kujtoj diçka që qëndron mbi çdo urdhër administrativ: Uniforma nuk e zhvesh njeriun nga ndërgjegjja. Betimi juaj është për të respektuar ligjin, për të mbrojtur jetën, dinjitetin dhe sigurinë e qytetarëve, jo për t’i shërbyer interesit politik të një qeverie.
Një i ri që proteston nuk është armiku juaj, besomëni. Një student që kërkon një të ardhme më të mirë nuk është armiku i shtetit. Në fakt është fiks fëmija, vellai apo motra juaj që po ju ndihmon të jetoni me dinjitet. Prandaj, një qytetar që kundërshton qeverinë nuk është kundërshtar i policisë.
Natyrisht, askush nuk ka të drejtë të sulmojë një polic, të djegë prona apo të rrezikojë jetën e të tjerëve. Por askush, as një punonjës policie, nuk ka të drejtë të ushtrojë dhunë të paligjshme, të poshtërojë apo të ndëshkojë një qytetar për bindjet ose pjesëmarrjen e tij në protestë.
Sidomos kur përballë janë të mitur.
Mendoni për një çast përtej pagës së këtij muaji. Mendoni për fëmijët tuaj dhe për Shqipërinë ku ata do të rriten. Sepse herët a vonë, do të vijë një ditë kur fëmija juaj të jetë në anën tjetër të kordonit policor, duke kërkuar pikërisht ato të drejta që sot ju keni për detyrë t’i mbroni.
Mos harroni, një urdhër i paligjshëm nuk bëhet i ligjshëm vetëm sepse vjen nga një epror. Polici më i mirë nuk është ai që i bindet verbërisht pushtetit, por ai që i qëndron besnik ligjit dhe ndërgjegjes, edhe kur kjo kërkon guxim.
Institucioneve te drejtësisë:
Institucioneve të drejtësisë u drejtohem me një thirrje të veçantë: mos harroni se autoriteti juaj nuk buron nga qeveria, por nga Kushtetuta dhe ligji. Ju nuk jeni aty për të mbrojtur pushtetin nga qytetari, por për të garantuar që të drejtat e çdo njeriu të mbrohen nga kushdo që i shkel, përfshirë edhe vetë pushtetin. Çdo pretendim për dhunë, keqtrajtim, poshtërim, ndalim arbitrar apo përdorim të paligjshëm të forcës duhet të hetohet në kontektsin e vet, pa vonesë, me pavarësi, paanshmëri dhe mbi bazën e provave.
Por ju lutem, tregoni kujdesin më të madh kur kërkoni apo vendosni masa sigurimi si “arrest në burg” apo “arrest në shtëpi” ndaj protestuesve. Mos harroni kontekstin në të cilin kanë ndodhur këto ngjarje. Për më shumë se 130 ditë, qytetarë të shumtë protestuan në mënyrë paqësore, duke ngritur shqetësime që mbetën gjatë pa u dëgjuar. Shumë prej këtyre njerëzve, përmes ushtrimit të së drejtës së protestës, po kontribuojnë në mbrojtjen e vlerave demokratike të Republikës dhe në pjekurinë qytetare të Shqipërisë. Sigurisht, kjo nuk justifikon dhunën dhe as e përjashton përgjegjësinë individuale për shkeljet e ligjit. Por as pjesëmarrja në protestë, as tensioni i përgjithshëm dhe as presioni i opinionit publik nuk mund të zëvendësojnë provat dhe vlerësimin e individualizuar të nevojës për kufizimin e lirisë. Shqyrtoni me shumë kujdes rolin konkret të secilit, rrethanat personale, rrezikun real dhe mundësinë e masave më pak kufizuese, veçanërisht kur përballë keni të rinj dhe të mitur. Mos harroni se arresti para gjykimit nuk është dënim dhe nuk duhet të kthehet kurrë në mjet frikësimi apo ndëshkimi për ushtrimin e një të drejte kushtetuese. Drejtësia nuk duhet të jetë as e verbër ndaj dhunës, as e shurdhër ndaj lirisë.
Kam dhe një pyetje tjetër, po aq serioze, për prokurorët. Ku janë verifikimet dhe hetimet për pamjet shqetësuese që po qarkullojnë publikisht, ku persona të veshur civilë shihen duke marrë me forcë qytetarë, madje edhe gra e femijë, dhe duke i futur në automjete pa shenja dalluese të Policisë? Po për pamjet e personave të maskuar që hyjnë në automjete policore dhe dyshimet e ngritura për përfshirjen e tyre në aktet e shkatërrimit të pronave, a janë verifikuar identitetet, veprimet dhe lidhjet e mundshme të tyre? Nuk po kërkoj të paragjykohet askush, por të hetohet gjithçka, përfshirë veprimet e vetë Policisë së Shtetit. Dhe mos harroni: sipas nenit 280 të Kodit të Procedurës Penale, prokuroria dhe policia gjyqësore mund të marrin dijeni për veprat penale edhe me iniciativën e tyre, pa pritur domosdoshmërisht një kallëzim. Nëse ka shkelje, përgjegjësit duhet të përballen me ligjin, pavarësisht nëse mbajnë uniformën e shtetit apo qëndrojnë në anën tjetër të saj. Sepse askush nuk mund të jetë njëkohësisht subjekt i dyshimit për shkelje të ligjit dhe i paprekshëm nga hetimi.
Mos u stepni përpara emrit të zyrtarit që keni në dosje, pozitës së tij shtetërore apo politike, fuqisë ekonomike të një biznesmeni apo ndikimit të një oligarku. Përpara drejtësisë nuk duhet të ketë njerëz të paprekshëm, emra që nuk guxojnë të hetohen apo funksione që garantojnë pandëshkueshmëri. Nëse përgjegjësia penale provohet përmes një procesi të rregullt ligjor, askush nuk duhet t’i shpëtojë përgjegjësisë për shkak të pushtetit, pasurisë apo lidhjeve të tij. Guximi i vërtetë i drejtësisë nuk matet me ashpërsinë ndaj të dobëtit, por me aftësinë për të zbatuar të njëjtin ligj, me të njëjtën paanshmëri, edhe përballë më të pushtetshmit.
Si dikur njëri prej jush, dua t’u kujtoj gjyqtarëve dhe prokurorëve diçka që e kam besuar gjatë gjithë jetës sime profesionale. Drejtësia nuk është thjesht profesion. Është një amanet ndaj njerëzve, Kushtetutës dhe, për atë që beson, edhe ndaj Zotit. Pas çdo dosjeje qëndron një jetë njerëzore, një familje, një dinjitet dhe, shpesh, shpresa e fundit e dikujt që nuk ka më ku të drejtohet. Kur institucionet e tjera dështojnë, qytetari troket në derën tuaj. Mos lejoni që ajo derë të mbyllet për shkak të frikës, interesit apo ndikimit politik. Ah, dhe mos harroni: pavarësia që ju garanton Kushtetuta nuk është privilegj personal, por përgjegjësi e shenjtë ndaj popullit e ndaj Zotit.
Një shoqëri ku qytetari ka frikë nga pushteti, por ende beson te drejtësia, ka ende shpresë. Por kur humbet besimin edhe te drejtësia, atëherë nuk është më në krizë thjesht qeverisja. Është në krizë vetë themeli moral dhe kushtetues i Republikës.
Administratës publike, bizneseve dhe profesioneve të lira:
I drejtohem çdo nëpunësi publik që mendon se vendi i tij i punës varet nga heshtja politike. I drejtohem çdo mësuesi, mjeku, punonjësi bashkie, specialisti apo drejtuesi institucioni që druhet të shprehë mendimin e vet. Ju nuk jeni pronë e qeverisë, e as nuk jeni punonjës të një partie. Jeni në shërbim të qytetarëve. Paga juaj paguhet nga fondet publike të mbldhura nga taksat e qytetarëve. Dinjiteti juaj nuk mund të shitet tek partia. Asnjë nëpunës nuk duhet të ndiejë se duhet të heqë dorë nga liria e ndërgjegjes për të ruajtur vendin e punës.
Bizneseve shqiptare, të mëdha e të vogla, u drejtohem me të njëjtin shqetësim. E kuptoj se shumë sipërmarrës mund të kenë frikë nga kontrollet selektive, gjobat, presionet administrative apo humbja e kontratave. Por një ekonomi ku biznesi ka frikë të flasë nuk është një ekonomi e lirë. Një sipërmarrës duhet të konkurrojë përmes cilësisë së shërbimit të tij, jo përmes shkallës së afërsisë me pushtetin e rradhës.
Të njëjtën thirrje ua drejtoj profesionistëve të lirë: avokatëve, kontabilistëve, ekspertëve, arkitektëve, inxhinierëve, noterëve dhe çdo profesionisti që jeton nga puna dhe reputacioni i tij. Mos e pranoni frikën si gjendje normale. Por edhe këtu guximi duhet të shoqërohet me përgjegjësi: çdo presion administrativ duhet dokumentuar, denoncuar dhe ndjekur përmes mekanizmave ligjorë. Qëllimi nuk është zëvendësimi i një arbitrariteti me një tjetër. Qëllimi është që askush të mos ketë më arsye të druhet nga shteti për shkak të mendimit të tij apo të drejtës për të protestuar për një qeverisje më të mirë.
Pedagogëve:
Këtu dua të ndalem veçanërisht, si njëri prej tyre edhe pse jashtë Shqipërisë.
Ku janë profesorët tanë? Ku janë studiuesit, intelektualët, drejtuesit e universiteteve? Ku është zëri publik i atyre që kanë për detyrë të edukojnë brezat e ardhshëm për lirinë, drejtësinë dhe mendimin kritik?
Nuk pretendoj që çdo pedagog të ketë të njëjtin qëndrim politik. Përkundrazi, universiteti duhet të jetë vendi ku mendimet e ndryshme bashkëjetojnë dhe përballen me argumente. Por universiteti nuk mund të heshtë përballë pyetjeve që prekin drejtpërdrejt lirinë akademike, dinjitetin e studentëve, të drejtën e protestës dhe të ardhmen e arsimit.
Jam i sigurt që e dini, se një universitet që prodhon diploma, por nuk kultivon ndërgjegje, rrezikon të bëhet thjesht një fabrikë certifikatash. Çfarë vlere kanë leksionet tona për Kushtetutën, demokracinë, moralin dhe të drejtat e njeriut, nëse këto parime nuk guxojmë t’i mbrojmë kur vihen në provë?
Pedagogë të Shqipërisë, zgjojeni ndërgjegjen kritike të institucioneve tuaja. Mos e lini të ngrijë në frigoriferin e rehatisë, të konformizmit apo të frikës nga pushteti i rradhës.
Diasporës:
Shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, mes të cilëve jam edhe vetë, dua t’u them diçka që ia kujtoj shpesh edhe vetes: mund të bëjmë më shumë për Shqipërinë.
Mes nesh ka profesorë, mjekë, shkencëtarë, juristë, sipërmarrës, specialistë të teknologjisë, drejtues institucionesh dhe profesionistë të cdo fushe që kanë ndërtuar karriera të suksesshme në shtete me tradita të konsoliduara demokratike. Ata përbëjnë një pasuri kombëtare që Shqipëria nuk e ka shfrytëzuar mjaftueshëm.
Diaspora nuk duhet të shihet vetëm si burim remitancash apo mbështetjeje financiare. Ajo mund të jetë burim idesh, standardesh, përvoje institucionale dhe alternativash konkrete për zhvillimin e vendit. Nuk mjafton vota e saj, duhet kontribut edhe në jetë publike në Shqipëri. Është koha të krijohen mundësi reale që profesionistët shqiptarë nga jashtë të kontribuojnë në politikbërje, administratë, arsim, drejtësi, ekonomi, shërbime, dhe ndërtimin e institucioneve.
Madje, kur kushtet iua lejojnë, edhe të rikthehemi fizikisht për të marrë përgjegjësi publike. Sepse Shqipëria nuk duhet të mbetet një vend që edukon fëmijët e vet për t’ia dhuruar më pas të ardhmen vendeve të tjera.
Por rikthimi i diasporës nuk mund të kërkohet vetëm me patriotizëm sentimental. Ai kërkon meritokraci, mundësi të barabarta, institucione të besueshme dhe garanci se aftësia profesionale do të vlejë më shumë se lidhjet nepotike dhe politike. Atdheu nuk mund dhe nuk duhet të ndërtohet vetëm nga ata që qëndruan, as vetëm nga ata që u larguan. Ai ndërtohet kur të gjithë kontribuojnë me më të mirën e tyre.
Drejtuesve fetarë:
I drejtohem gjithashtu drejtuesve të të gjitha bashkësive fetare në Shqipëri dhe çdo njeriu që ka marrë përsipër përgjegjësinë e shenjtë për të udhëzuar ndërgjegjen njerëzore. Ju që u flisni besimtarëve për Zotin, të vërtetën, drejtësinë, mëshirën dhe përgjegjësinë morale, keni një mision që shkon shumë përtej mureve të xhamive, kishave apo institucioneve tuaja. Misioni juaj nuk është vetëm t’u mësoni njerëzve si të luten, por edhe si të jetojnë me ndershmëri, të dallojnë të drejtën nga e padrejta dhe të mos heqin dorë nga parimet për shkak të frikës apo interesit.
Asnjë institucion fetar nuk ka pse të shndërrohet në parti politike dhe asnjë drejtues fetar nuk duhet ta përdorë besimin për t’i shërbyer një force politike kundër një tjetre. Por as neutraliteti politik nuk duhet ngatërruar me heshtjen morale. Mos harrojmë, drejtësia nuk është pronë e një partie, dinjiteti njerëzor nuk ka ngjyrë politike dhe e vërteta nuk ndryshon sipas atij që ndodhet në pushtet.
Kujtojuni njerëzve se qeverisja, në kuptimin më të gjerë të fjalës, është në fakt amanet hyjnor. Qeverisja e vetvetes, drejtimi i familjes, administrimi i një biznesi, udhëheqja e një institucioni dhe, mbi të gjitha, qeverisja e një populli janë përgjegjësi për të cilat njeriu duhet të japë llogari, jo vetëm përpara ligjit dhe ndërgjegjes së tij, por, për atë që beson,do të jape llogari edhe përpara Zotit. Sic kanë thënë edhe profetët e Zotit: Secili prej jush është bari dhe secili prej jush është përgjegjës për tufën e tij. Sa e thellë është kjo porosi! Askush nuk është aq i vogël sa të mos ketë përgjegjësi dhe askush nuk është aq i pushtetshëm sa të jetë i përjashtuar prej saj.
Prandaj, flisni për këtë amanet! Kujtojuni atyre që qeverisin se pushteti është përgjegjësi, jo pronësi. Atyre që administrojnë kujtojini se autoriteti është shërbim, jo privilegj. Atyre që kanë pasuri thuajani se ajo nuk u jep të drejtën të shtypin të dobëtin. Ndërsa qytetarit të zakonshëm thuajani hapur se edhe heshtja dhe mosveprimi kur shikon të keqen, janë përgjegjësi hyjnore.
Qytetarëve që heshtin:
Dua t’u drejtohem edhe atyre që po i ndjekin zhvillimet nga shtëpia, nga puna apo nga larg, pa shprehur ende një qëndrim. Atyre që shohin, dëgjojnë, shqetësohen, ndoshta edhe revoltohen në heshtje, por që ende nuk kanë gjetur guximin, mundësinë apo arsyen për ta shprehur publikisht atë që mendojnë.
Sigurisht, jo çdo qytetar ka mundësi të protestojë. Jo të gjithë i shohin ngjarjet në të njëjtën mënyrë. Madje, askush nuk duhet të detyrohet të mbështesë një kauzë apo një forcë politike kundër bindjeve të veta. Liria e ndërgjegjes përfshin edhe të drejtën për të mos qenë dakord, për të pasur dyshime, apo për të mos iu bashkuar shumicës.
Por ekziston një dallim i thellë ndërmjet të qenit politikisht i paanshëm dhe të qenit moralisht indiferent përballë padrejtësisë. Martin Luther King Jr. paralajmëronte se tragjedia e një shoqërie mund të mos jetë vetëm zhurma e njerëzve të këqij, por sidomos nga heshtja tronditëse e njerëzve të mirë. Ndërsa Elie Wiesel, në fjalimin e pranimit të Çmimit Nobel për Paqen më 1986, na la një paralajmërim po aq të fuqishëm: “Neutraliteti ndihmon shtypësin, kurrë viktimën. Heshtja inkurajon torturuesin, kurrë të torturuarin.”
Këto nuk janë thjesht thënie të bukura për t’u cituar. Janë paralajmërime të thella për përgjegjësinë morale të secilit prej nesh. Sepse, sic historia na ka dëshmuar, padrejtësia nuk mbijeton vetëm falë atyre që e kryejnë. Ajo mund të vazhdojë edhe falë indiferencës së atyre që e shohin, e kuptojnë, por zgjedhin të mos reagojnë. Pikërisht këtu lind një pyetje që secili duhet t’ia bëjë ndërgjegjes së vet: kur përballemi me një padrejtësi të dokumentuar, a mjafton të themi se ajo nuk na prek personalisht? A mund të jemi vërtet të qetë vetëm sepse sot nuk jemi ne viktima e saj?
E kuptoj se heshtja mund të ketë shumë arsye: frikë, pasiguri, lodhje, zhgënjim, mungesë informacioni apo humbje besimi se fjala jonë mund të ndryshojë diçka. Madje nuk do të ishte e drejtë ta quanim automatikisht bashkëfajtor cilindo që hesht. Por duhet të kuptojmë edhe një të vërtetë tjetër: kur indiferenca kthehet në zakon, padrejtësia fillon të duket normale. Kur frika kthehet në mënyrë jetese, liria fillon të duket si privilegj. Ndersa kur njerëzit heqin dorë nga e drejta për të kërkuar llogari, pushteti rrezikon të harrojë se kujt duhet t’i japë llogari.
Prandaj, nuk është e nevojshme që të gjithë të dalin në rrugë për të dëshmuar ndërgjegjen e tyre. Ka shumë mënyra për të mos qenë indiferent: të thuash të vërtetën, të kundërshtosh padrejtësinë, të kërkosh transparencë, të mbrosh dinjitetin e dikujt që po nëpërkëmbet, të mos pranosh gënjeshtrën si normalitet dhe të mos heshtësh vetëm sepse e vërteta mund të të kushtojë diçka. Ndonjëherë, një qëndrim i ndershëm, një fjalë e thënë në momentin e duhur apo një refuzim për t’u bërë pjesë e padrejtësisë mund të ketë më shumë peshë sesa mendojmë.
Sigurisht, nuk po kërkoj që të gjithë shqiptarët të mendojnë njësoj. Përkundrazi, do të shqetësohesha për një shoqëri ku të gjithë pretendojnë se janë dakord. Ajo që kërkoj është që secili të mendojë i lirë, të kërkojë të vërtetën, të gjykojë sipas ndërgjegjes dhe të mos e shesë lirinë e tij për pak qetësi, rehati apo interes personal. Sepse një komb nuk e humbet lirinë vetëm kur ia marrin me force. Kombi rrezikon ta humbasë lirinë edhe kur qytetarët mësohen dalëngadalë të jetojnë pa e ushtruar atë.
Një shoqëri e lirë nuk ndërtohet nga njerëz që pajtohen gjithmonë, por nga njerëz që nuk kanë frikë të mos pajtohen.
Protestuesve:
Të gjithë qytetarëve që kanë dalë në rrugë për të kërkuar drejtësi, dinjitet dhe një të ardhme më të mirë, dua t’u kujtoj se e drejta për të protestuar paqësisht nuk është një dhuratë e qeverisë, por një e drejtë themelore që ju garantohet nga Kushtetuta, madje e lindur me ju. Askush nuk duhet t’ju bëjë të ndiheni fajtorë pse kërkoni llogari nga ata që ushtrojnë pushtetin në emrin tuaj.
Mos lejoni që kjo e drejtë të relativizohet apo të njolloset nga veprimet e paligjshme të individëve të veçantë. Por, njëkohësisht, mos lejoni që zemërimi, sado i kuptueshëm, të shndërrohet në dhunë. Një kauzë që kërkon drejtësi duhet ta mbrojë drejtësinë edhe në mënyrën se si vepron. Mos shkatërroni prona dhe mos lejoni askënd t’jua përdorë revoltën për qëllime që nuk përfaqësojnë ndërgjegjen tuaj.
Organizohuni në mënyrë demokratike, artikuloni kërkesa të qarta, dokumentoni çdo shkelje të të drejtave tuaja dhe kërkoni përgjegjësi përmes mekanizmave ligjorë. Mos harroni se qëndrueshmëria, dinjiteti dhe disiplina paqësore mund të jenë shumë më të fuqishme sesa çdo akt dhune.
Mbi të gjitha, mos e humbni besimin te fuqia e qytetarit të lirë. Pushtetet vijnë e shkojnë, qeveritë ndryshojnë, por liria dhe dinjiteti që një popull arrin të mbrojë mbeten trashëgimi për brezat që vijnë. Sepse pa dyshim, fitorja më e madhe e një proteste nuk është thjesht të ndryshojë kush qeveris, por të ndihmojë që askush, cilido qoftë ai, të mos e harrojë më se pushteti buron nga populli dhe duhet të ushtrohet në shërbim të tij.
Studentëve dhe nxënësve:
Studentëve dhe nxënësve që janë sot në ballë të protestave dua t’u drejtohem me një emocion të veçantë. Dua t’ju përgëzoj nga thellësia e zemrës, madje po të kisha mundësi, do të doja t’ju përqafoja një nga një, secilin prej jush, edhe pse nuk ju njoh personalisht. Jam i sigurt që nuk jam i vetmi.
Ju keni treguar jo vetëm Shqipërisë, por kujtdo që ju ndjek në cdo cept të globit, se brezi juaj, ajo që quhet “Gjenerata Z”, nuk është një brez pa ndërgjegje, pa ideale apo pa përgjegjësi. Përkundrazi, ju keni treguar se ndërgjegjja juaj është e gjallë, madje shumë më e gjallë se ndërgjegjja e shumë prej nesh që kemi jetuar më gjatë, kemi studiuar më shumë dhe kemi pasur më tepër mundësi për të vepruar.
Më bëhet shpirti mal kur ju dëgjoj! Jo vetëm për guximin që tregoni, por sidomos për mënyrën si mendoni, si artikuloni kërkesat, si argumentoni, si e mbroni dinjitetin tuaj dhe si e përballoni frikën. Më keni bërë të lotoj, e jam i sigurt, jo vetëm mua por pafund shqiptarë që e kanë ende zemrën e gjallë.
Kur shoh të rinj që, përballë presioneve, kërcënimeve, përbaltjeve dhe pamjeve shqetësuese të dhunës, vazhdojnë të kërkojnë të dëgjohen, nuk mund të mos mendoj se sa shumë ju kemi borxh ne, brezat që ju paraprimë. Ju meritoni shumë më tepër sesa një vend ku ëndrra më e madhe e një të riu është të gjejë mënyrën për t’u larguar. Meritoni një Shqipëri ku të mos ju duhet të protestoni për të kërkuar atë që duhet t’ju garantohej që në lindje: dinjitet, drejtësi, liri dhe mundësi të barabarta. Madje për këtë, dua t’ju kërkoj edhe falje, në emër të përgjegjësisë që na takon ne, më të rriturve, për Shqipërinë që po ju lëmë.
Por dua t’ju them edhe diçka: e ardhmja nuk mund të përfundojë te një protestë, sado e fuqishme të jetë ajo. E as tek rrëzimi i një qeverie. Mendimi juaj, energjia, arsimimi dhe guximi qytetar meritojnë të shndërrohen në ide, nisma politike, organizime demokratike dhe mandej institucione më të mira. Shqipëria ka nevojë për zërin tuaj në universitet, në shkencë, në sipërmarrje, në shoqërinë civile dhe padiskutim në jetën publike e politike. Ka nevojë edhe për bashkëpunimin tuaj me mendjet më të ndritura shqiptare, qofshin në Shqipëri, apo të shpërndara nga Europa në Australi, e nga Amerika në skajet më të largëta të botës.
Mos lejoni askënd t’jua përvetësojë zërin apo t’jua përdorë shpresën; mbrojeni njëri-tjetrin, qëndroni besnikë paqes dhe mendoni lirisht për rrugët që dëshironi të ndiqni. Ah, mbi të gjitha, mos lejoni që zhgënjimi të jua vrasë dashurinë për Shqipërinë.
Betohem, kur ju shoh e ju dëgjoj, më lind një shpresë që prej kohësh kishte filluar të zbehej: se ndoshta ne nuk do të arrijmë ta shohim plotësisht Shqipërinë që kemi ëndërruar, por ju mund të keni mundësinë ta ndërtoni. Nëse një ditë fëmijët tuaj do t’ju pyesin se çfarë bëtë në këtë periudhë të vështirë për vendin, uroj të mund t’u përgjigjeni me krenari: “Ne nuk e humbëm ndërgjegjen. Nuk e humbëm njerëzoren. Dhe, mbi të gjitha, nuk e humbëm shpresën se Shqipëria mund të bëhej më e mirë.”
Çfarë Shqipërie mund të bëjmë?
Historia na ka mësuar se largimi i një qeverie nuk garanton domosdoshmërisht fundin e një sistemi të padrejtë. Një kryeministër mund të largohet, por praktikat e tij mund të mbijetojnë. Një parti mund të humbasë pushtetin, por klientelizmi të vazhdojë. Një drejtues mund të zëvendësohet, por frika, korrupsioni dhe pandëshkueshmëria të mbeten po aty. Prandaj, nëse nga kjo krizë do të dalim vetëm me një shumicë tjetër që qeveris si e mëparshmja, do të kemi ndryshuar emrat, por jo fatin e Shqipërisë.
Ajo që na duhet është shumë më tepër: një shtet ku qytetari nuk shkon në administratë si lutës, por si njeri që kërkon shërbimin që i takon me ligj. Ku punonjësi publik nuk e sheh ministrin si pronar të vendit të tij të punës, por si kryeshërbëtorin e atij dikasteri. Ku biznesi nuk kërkon mbrojtje politike për të mbijetuar, ku gjyqtari nuk pyet kush është i pandehuri përpara se të zbatojë ligjin, dhe ku kryeministri e kupton se pushteti nuk është pronë personale, por një amanet i përkohshëm që duhet ushtruar me përgjegjësi.
Mbi të gjitha, kemi nevojë për një Shqipëri ku njerëzit të mos kenë frikë nga shteti i tyre, ku dinjiteti të mos varet nga bindjet politike dhe ku askush të mos jetë aq i pushtetshëm sa të qëndrojë mbi ligjin. Nuk kemi nevojë të zëvendësojmë një “të fortë” me një tjetër. Kemi nevojë të ndërtojmë institucione aq të forta, sa asnjë individ të mos mund të bëhet më i fortë se ligji.
Mirëpo kjo kërkon përgjegjësi nga të gjithë ne. Sepse e ardhmja e Shqipërisë nuk është vetëm çështje e atyre që qeverisin, por edhe e atyre që qeverisen. Nuk mund të kërkojmë ndershmëri nga pushteti duke toleruar pandershmërinë në jetën tone. E sigurisht qe nuk mund të kërkojmë drejtësi duke dëshiruar hakmarrje, si dhe nuk mund të ndërtojmë lirinë duke zëvendësuar një formë frike me një tjetër.
Në fund, pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është e thjeshtë, por shumë e rëndësishme. Çfarë Shqipërie duam t’u lëmë fëmijëve tanë? Një vend ku për të jetuar me dinjitet duhet të heshtësh, të nënshtrohesh apo të largohesh? Apo një vend ku e vërteta, dinjiteti njerëzor, drejtësia dhe aftësia vlejnë më shumë se lidhjet me pushtetin?
Unë jam nga ata shqiptarë që, pavarësisht zhgënjimeve të shumta, nuk e kanë humbur kurrë besimin te njerëzit e këtij vendi. Shqipërisë nuk i kanë munguar as mendjet e ndritura, as njerëzit e ndershëm, as guximi për të bërë të mirën. Ajo që na ka munguar shpesh është aftësia për t’i bashkuar këto vlera, për t’u dhënë hapësirën që meritojnë dhe për t’i kthyer në një forcë të qëndrueshme për të mirën e përbashkët. Ndryshimi i vërtetë do të fillojë kur të mësojmë ta vlerësojmë njeriun për atë që është dhe për atë që jep, jo për atë që njeh apo për pushtetin që ka pas vetes; kur të mos e shohim kundërshtarin si armik dhe kur të kuptojmë se e ardhmja e vendit nuk ndërtohet mbi urrejtjen apo hakmarrjen, por mbi drejtësinë, meritën dhe përgjegjësinë e përbashkët.
Sepse, në fund të fundit, pushteti është i përkohshëm, por përgjegjësia për mënyrën se si e ushtrojmë atë nuk përfundon me largimin prej tij. Ndërgjegjja, çdo veprim dhe çdo mosveprim i yni na shoqërojnë përtej çdo posti, privilegji apo mandati. Ndërsa Shqipëria është amaneti që kemi marrë nga brezat para nesh dhe që një ditë do t’ua dorëzojmë fëmijëve tanë. Ky amanet është shumë më i madh se çdo parti, çdo qeveri dhe çdo individ. Dhe mënyra se si do ta përmbushim atë do të jetë dëshmia jonë përpara historisë, përpara brezave që vijnë dhe, për ata që besojnë, përpara vetë Zotit.
