Nuk ka sistem tjetër si ai i arsimit në Shqipërinë e 35 viteve në rrugën e demokracisë, që të jetë dëmtuar, rrënuar dhe shkatërruar kaq rëndë. Prodhimi që del sot, është më i keq se ai i para pesë viteve, që ishte më i keq se ai i pesë viteve më parë, e kështu deri në shtatë herë të tilla “më keq”. A do e llogarisim prodhimin pas pesë apo dhjetë vitesh, apo si zakonisht mendojmë sot për sot, e secili për vete?! Nuk ka shërbim më të keq për vendin, të ardhmen e tij, se sa “reformat” partiake, individuale, kokëmëvete, shpikëse, e aq më shumë lënia në duar injorantësh a shpërblesash që ka ndodhur plot herë.
- Na duhet një vendim Kombëtar jo partiak, bashkëlidhur një strategji ARSIMI 20 vjet+ e paprekshme nga asnjë qeveri. Heqje dorë nga “reformat” çdo katër vjet, përdorimi i arsimit si vegël politike dhe dokumentat joseriozë për arsimin.
- Roli i mësuesit duhet të jetë ELITË, duhet paguar si i tillë, duhet respektuar shoqërisht si i tillë, duhet fituar si i tillë, duhet selektuar si i tillë. Heqje dorë nga mësuesi partiak, i lodhur, i keqpaguar e keqtrajtuar, e sidomos nga “profesorët” me diploma e tituj të pamerituar. Duhet të kuptojmë se mësuesi është “inxhinieri” për të ardhmen tonë.
- Qasja e arsimit duhet të jetë në pak gjëra kryesore sipas prirjeve, fokus absolut lexim-matematikë-logjikë-zero propagandë, çdo lloj propagande. Heqje dorë nga tekstet e mbingarkuara, nga detyrat stresuese, nga mësimi përmendësh, nga ideologjitë e fshehura e nga patriotizmi për dekor. Duhet të nisim prodhimin e njerëzve me mendje, të heqim dorë nga prodhimi i njerëzve më diploma.
- Arsimi duhet të mendohet të përqaset me industrinë, teknologjinë, investimet e huaja, duke synuar që brezi i ardhshëm i arsimuar të gjejë punën në vend. Të heqim dorë nga arsimi thjesht për një copë letër pa lidhje me tregun, nga profesionet pa kërkesë, nga studentët që pasi marrin diplomën të nesërmen emërohen drejtorë. Ndryshe të gjithë të arsimuarit do të vazhdojnë të emigrojnë. Synimi madhor është ta mbajmë trurin në vend, jo ta eksportojmë, aq më shumë ta detyrojmë të mendojë eksportin që në bankat e shkollës.
- Arsimi duhet të dallohet nga çdo segment tjetër i shoqërisë, korrupsioni në arsim të dënohet si krim i rëndë, ndëshkimi të jetë real, karrierat të humben përfundimisht, jo si ndodh rëndom, që çdokush i akuzuar, a i dënuar, a i ekspozuar në lloj-lloj allishverishesh, bën 6 muaj pauzë dhe ridel në skenë i larë e i parfumosur duke folur për moral. Duhet të shkëputemi nga diplomat false e me mik, nga titujt e rremë ku kemi më shumë doktoratura e profesoratura se Italia, nga universitetet fantazmë, e nga askush që nuk mban përgjegjësi-ngre supet-pa harruar të fusë paratë në xhep. Standarti duhet të vijë para sistemit.
- Arsimi nuk duhet të politizohet më, nuk duhet të jetë terren i askujt force politike, një le të themi “zonë e ç’militarizuar”. Partitë mund të thyejnë kokën me besnikët që rritën, ushqyen e pasuruan në këto vite në plot sektorë të tjerë.
- Nuk vetëdijësohemi, ndaj na duhet ta shkruajmë: Kultura e meritës, çdo sukses lidhet me dije, punë, aftësi, talent. Elita prodhohet nga arsimi, jo nga rruga, apo mbledhjet. Të heqim dorë nga “të shkathtit” që bëhen elitë duke qenë injorantë, por kanë lidhje, janë anëtarë të devotshëm partish, kanë fis që siguron vota. Duhet shpërblyer dija, nuk duhet përbuzur a parë më keqardhje.
- Shoqëria duhet të bindet të pranojë se rezultatet do të nisin të duken pas 15-20 a më shumë vitesh. Sidomos ajo moshë që në këto 35 vjet priti rezultate çdo katër vjet, madje ndonjëherë edhe çdo dy, apo më keq, sa herë ndërrohej ndonjë ministër. NUK ka rezultate në arsim brenda një mandati, as me reforma fasadë që ndërton mure e shkatërron mendje. Duhet të investojmë për të ardhmen, të heqim dorë nga konsumimi i të tashmes.
***
Arsimi nuk është më punë qejfi; është emergjencë kombëtare! Dhe duhet një marrëveshje kombëtare, pavarisisht halleve personale që ka secili aktor dhe faktor publik në vend. Korrupsioni, krimi, injoranca, idiotësia, maskarallëku, grabitja, shpirtvogëlsia, paedukata…kanë një emërues të përbashkët: arsimin e dobët. Askush, sado lart të jetë në hierarki, apo shkallë shoqërore nuk shpëton dot nga kalbja, në mos nga era e saj. Diku do preket, ai, ajo, fëmijët, apo të afërmit. Nuk mund t’i bind askush dot që të gjithë të afërmit të jetojnë jashtë Shqipërisë. Strategjia e arsimit duhet të jetë e thellë, e gjerë dhe e gjatë në kohë, ku të përfshihet deri edhe parashkollori, ku në vend të betejave, t’u mësohet fëmijëve, empatia, dashuria dhe mirësjellja. Mos arsimi, aq më keq arsimi i shkatërruar, nuk pjell veç skllavëri mendore, skllavëri ekonomike, skllavëri politike, skllavëri injorance, por edhe patriotizëm qesharak, shkatërrim të familjes, shkatërrim të besimit, shkatërrim të moralit, bjerrje të virtyteve që mbajnë një shoqëri; e sidomos nuk duhet harruar se dashuria për atdheun ngjizet nëpër shkolla, jo nëpër stadiume. Jemi dëshmitarë se 35 vjet kalojnë shumë shpejt.



