Nëse fundi i Luftës së Ftohtë solli fundin e shumë prej luftërave proxy përmes të cilave palët u përpoqën të rrisin influencën e tyre, shkurti i 2022-it ndryshoi gjeopolitikën botërore. Ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë tregoi se epoka e luftës konvencionale në Europë nuk ka mbaruar. Ndryshimi i kufijve ukrainas me forcë dhe fillimi i luftës, risolli në tryezë tezën më të madhe të sigurisë në Europë pas rënies së Murit të Berlinit: A duhen ruajtur apo jo kufijtë e shteteve ekzistuese?

Nga ana tjetër, ky konflikt zgjoi të gjitha konfliktet e vjetra të fjetura: atë të Nagorni Kharabak, konfliktin izraelito-palestinez si dhe rëndoi situatën në Ballkan. Aleancat gjeopolitike po riformësohen nga konfliktet në shtete periferike. Kjo preambul e vjetër e politikave perandorake ka çoroditur, ndonjëherë deri në absurd, marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Politika nuk është shkencë ekzakte”, thotë Bismarku. Shtete të cilat aspirojnë integrime rajonale dhe kontinentale e gjejnë veten në presionin e faktorëve veprues të proxy war, i cili po shndërrohet në kufi ndarës midis perspektivave integruese dhe disintegruese, për shkak të konfigurimeve të brendshme politike. Racionalistët ndjekin të tashmen për të kapur të ardhmen, kurse nostalgjikët shohin pas për të ecur përpara, duke na sjellë në kujtesë një nga perlat e Ajnshtajnit kur thotë se “marrëzia nuk është gjë tjetër veçse të bësh të njëjtën gjë përsëri e përsëri, dhe të presësh rezultate të ndryshme”. Kjo disbalancë botëkuptimesh lokale është aksioma e një proxy të mundshëm ballkanik.

Ballkani është kufiri i natyrshëm mes Lindjes dhe Perëndimit dhe si çdo kufi tjetër ndahet dhe vendoset me gjuhën dhe ekuilibrat e forcës. Demarkacioni Lindje-Perëndim nuk është vetëm luftë kufijsh, por një luftë modeli pushtetesh. Kjo u duk qartë në zgjedhjet e fundit në Serbi. Thënë ndryshe, nga njëra anë kemi një Ballkan që sheh nga BE dhe NATO ku kriteret e anëtarësimit janë shteti ligjor, demokracia, të drejtat e njeriut etj.; në anën tjetër kemi një Ballkan nostalgjik me Republika Srpska dhe Serbinë ku modeli putinust i shtetit dhe llogjika e forcës janë vendimmarrëse.

“Bota Serbe” është projekti i Serbisë së Madhe të cilin putinistët në Beograd kërkojnë ta vënë në jetë nëpërmjet tre faktorëve kyç: demokracisë, demografisë dhe forcës. Plan-projekti trevektorial është dukshëm veprues kryesisht në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi, Kosovë, dhe Maqedoninë e Veriut. Por sigurisht forca ushtarake është karma e Beogradit. Nuk ekziston asnjë rrezik agresioni ndaj Serbisë, kështu që i vetmi shpjegim për fuqizimin e ushtrisë serbe është përdorimi i saj në mënyrë agresive për të arritur qëllimet e ndërtimit të “Botës Serbe”.

Në treguesit e rritjes progresive të buxhetit të mbrojtjes, Serbia gjendet në krye të listës së vendeve të kontinentit evropian. Trendi i rritjes së shpenzimeve ushtarake të Serbisë është vërejtur qysh në vitin 2016. Sipas London Ekonomist shpenzimet e mbrojtjes në Serbi janë rritur rreth 70% duke arritur në 1.4 miliardë dollarë në vit në gjashtë vitet e fundit. Helikopterë sulmues Mi-35M, helikopterë transportues Mi-17V, aeroplanë luftarakë MiG-29, tanke T-72, mjete të blinduara BRDM, dronë Wing Loong, sistemi raketor PVO Pancir S1 dhe S-400, janë një pjesë e armatimeve të reja serbe, blerë dhe donatuar nga Rusia, Bjellorusia dhe miku i ri Kina.

Revistat e huaja e vendosin Serbinë në vendin e dytë në botë, për nga numri i armëve në duart e qytetarëve. Sipas Deutsche Welle, ekspertët vlerësojnë se në duart e qytetarëve serbë janë rreth një milionë armë ilegale. Sipas Guardian, prej disa vitesh Serbia furnizon me pushkë automatike entitetin serb të Bosnjë- Hercegovinës, në qendra trajnimi me këshilltarë rus dhe anëtarë të grupit paramilitar “Nderi i Serbisë” trajnuar në Rusi, parakalojnë shpesh në rrugët e Banja Llukës. Ndërkaq, ish-politikanit serb Nenad Çanak, vetëm pak ditë më parë, ka ngritur alarmin e rrezikut të luftës në Ballkan, duke përmendur armatosjen e grupeve serbe përmes Kishës Ortodokse Serbe. Sipas Çanak, në Bosnje-Hercegovinë kontrabanda e armëve për kampet terroriste ruse të Dodikut kalon përmes Kishës Ortodokse Serbe, në Kosovë i gjithë terrorizmi dhe armatimi “patriotik” kalon përmes KOS-it dhe në Mal të Zi serbët janë të armatosur deri në dhëmbë, ndërsa zgjedhjet blihen përmes Kishës.

Modeli i luftës hibride i 2014-tës kur ushtarë rusë pa shenja identifikimi mësynë territorin ukrainas të Krimesë, akt që solli dhe aneksimin e saj nga Rusia, u ekzekutua shtatorin e kaluar në Banjskë të Zvecanit. Të gjitha elementët pët t’u ripërsëritur skenare të tillë ekzistojnë. Projekti i “Botës Serbe” dhe vullneti i Beogradit për akte destabilizuese me qëllim zëvendësimin e influencës perëndimore në rajon është evident. Fitorja e Aleksandar Vuçiç në zgjedhjet parlamentare në Serbi, sipas analistëve politikë, do të rrisë përpjekjet e ithtarëve të “Botës Serbe” në favor të interesave serbo-ruse. Kjo duket qartë në ngërçin politik të Malit të Zi. Ndërkohë që kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç prezantoi në Bruksel planin e punës së axhendës europiane të qeverisë për vitin e ardhshëm, Mandiç udhëheqësi i Demokracisë së Re Serbe (anëtare e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus) theksoi se prioritetet e politikës së jashtme të partisë së tij janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Partia e tij mbetet kundërshtare e anëtarësisë së Malit të Zi në NATO.

Kështu, me një ushtri që fuqizohet nga viti në vit, me getot politike pro-serbe në minorancat serbe të armatosura në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë, me baza ushtarake ruse në Nish dhe në Banja Lluka, me një dokument të strategjisë kombëtare që lejon shtetin serb të “ndërhyjë” në vendet e tjera ku ka popullsi serbe për t’i mbrojtur, Serbia mundohet ta vendosë veten në tryezën e bisedimeve me BE-në si potencial destabiliteti të frikshëm për Perëndimin. Përpara këtij realiteti, thirrjet për harmonizimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë serbe me atë të BE-së, janë krejtësisht komike.

Situata e imponuar nga Serbia bën të pashmangshëm armatosjen me kapacitete mbrojtëse të vendeve kufitare me të. Sidomos në kushtet kur serbët e Kosovës dhe ata të Bosnje-Hercegovinës kanë treguar vitet e fundit që i kanë potencialet por edhe dëshirën për konfkikte të mundshme. Deliret e Beogradit e kanë të vështirë ta përtypin realitetin e Kosovës. Në këto kushte, prezenca e KFOR-it për reagim të shpejtë mbrojtës në Kosovë ndërkohë që qeveria e Serbisë nuk e fsheh dëshirën për ta sponsorizuar, mbështetur, financuar dhe krijuar “Botën Serbe”, nuk mjafton. Projekti trevektorial i krijimit të “Botës Serbe” nuk kufizohet në mjete paqësore. Rrëshkitja drejt një konflikti të armatosur duket opsion i pashmangshëm, ndaj dhe programi i pajisjes me aftësi mbrojtëse lufttarake të fqinjëve të Serbisë me në krye Kosovën, është gjithashtu i pashmangshëm. Pavarësisht se Serbia është e rrethuar me vende anëtare të NATO-s, historia e marrëdhënieve ndërkombëtare ka treguar në raste të ngjashme se pala që ka forcë ushtarake të dobët nuk garanton siguri, stabilitet dhe qëndrueshmëri. Në të kundërt e ardhmja nuk është më shumë e sigurt se e tashmja. “Kush heq dorë nga liria për të patur siguri, nuk meriton as lirinë as sigurinë”, thotë Benjamin Franklin. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re