Për çfarë lufton Rusia, për ç’lloj lavdie? Për cilën lavdi e kërkon Ukrainën?

Në fakt e ka lënë të kuptuar qartë: për atë të ish-Bashkimit Sovjetik. Por BRSS-ja kishte bazë idelogjike, komunizmin. Sot nuk e ka. Do ishte krejt e përligjur kjo luftë gjatë Luftës së Ftohtë, sepse kishim të bënim me rivalitet rendesh, pra vlerash, ndonëse dhe në atë kohë BRSS nuk promovonte dot asnjë lloj vlere ne emër të komunizmit. SHBA e Perëndimi po. Pretendimi i tyre për epërsinë e sistemit, atë të tregut të lirë, ndryshe kapitalizmit, ofrohet dhe si sistemi vlerash, bazuar te nocioni liri. Rusia, bota ruse, në çdo kohë, nuk ka patur kurrë ndonjë kredo të ngjashme globale për ta promovuar apo diktuar, qoftë dhe me luftë. Rusia as kulme ekonomike nuk ka në historinë e saj. Përkundrazi, në të vetmen ideologji që ka promovuar si rend jete, i janë shuar miliona njerëz nga uria. Edhe Kina ia kalon në këtë pikë si një superfuqi ekonomike.

Do ishte gjithashtu krejt e përligjur agresioni i saj në Ukrainë nëse do e kish bërë për arsye ekonomike, të qarta apo të kamufluara. SHBA e ka bërë në Lindjen e Mesme, sidomos me pushtimin e Irakut. Sigurisht, në mënyrë të kamufluar.

Pra ç’mbetet? Denazifikimi, thotë Moska. Pra një mit, madje shumë idiot ndër të gjitha ato mite që sajohen nga fuqi agresore. Me mit racist u shkaktua dhe kasaphana e Luftës së Dytë Botërore, nga Gjermania Naziste. Por prapë, edhe ky komb e prodhoi një vlerë, atë dënimit të vetëvetes. Te Rusia s’mund të gjesh asnjë të tillë të virtytshme.

Putini bën paralele me agresionet amerikane për të përligjur veten, madje dhe krimet. Duket sikur ka ta drejtë, ai por dhe ata që bëjnë këto kohë paralelizma të tilla me njëçik frymë antiamerikane. Por sido-sido, Amerika d’i të thotë “Më fal” kur vret civilë. Ndoshta në mënyrë hipokrite, por e thotë. Thotë se “gabuam shënjestër” dhe se “do hapim hetime”. Dhe ndodh vërtet të hapen hetime dhe të ketë vërtet dënime.

Amerika ka një turp që quhet Guantanamo, por ky turp është zbuluar e denoncuar nga media amerikane.

Pra, te Rusia kjo nuk ndodh. Nuk ndodh sepse është nga ato lloj perandorish botërore që s’i ka ofruar botës asnjë sistem vlerash e as nuk ka luftuar për ta patur si krenari kombëtare një sistem të tillë.

E ushqyer me mite madhështie hapësinore, ajo aty ka ngecur. Duket qartë sot, te kuaza e Putinit, rikthimi i BRSS-së së dikurshme, si një inatçor e hakmarrës i rëndomtë. Dhe kjo në emër të madhështisë së hapësirës e jo ndonjë kauze vlerash që ai i themeloi, apo i rithemeloi, e tani po ia oferton botës, ose po ia dikton me luftë. Pra, të kishte të paktën Adam Smithin ekonomik apo Sorosin e saj social.

Rusia vërtet bën një luftë në emër të një rendi tjetër botëror, por pa ndonjë koncept unik mbi botën, siç do ishte e arsyeshme ta kishte në rivalitet me liberalizmin apo neloberalizmin e Perëndimit. Putin është një bosh në këtë aspekt dhe është plot sigurisht si ish-sovjetik, nga ata më të rëndomtët por tejet të rrezikshëm. Të rrezikshëm pasi janë delirantë, delirantë që prodhojnë mite dhe jetojnë me to. Putin nuk ka mendim dhe nuk përfaqëson ndonjë mendim. Ka thjesht një inat, si produkt i një kohe që dështoi dhe ai vuan për këtë, vuajtje që i është kthyer në obsesion, në trill.

Putin nuk është as si Erdogani, që vërtet ka prirjen e natyrshme ta rikthejë Turqinë si fuqi botërore, siç qe dikur, më së pari duke e fuqizuar ekonomikisht, e më pas duke promovuar sistemin e vlerave që ajo trashëgon. Te Putin nuk do gjesh fjalime si te Erdogani, i cili bën thirrje për drejtësi në botë. Udhëheqësi rus është shumë i vogël për vizione të tilla humane, por dhe as që e ka në traditën e vendit që përfaqëson këtë gjë.

Të kuptohemi, Rusia, si çdo komb ka nxjerr emra të mëdhenj, në çdo fushë, ka bërë dhe shpikje, pretendon madje se e para në Hënë mbërriti ajo, por këto janë avanca shkencore jo vlera njerëzore.

Vlerat testohen te arsyeja e një lufte dhe se si e ushtron atë. Kur aty s’ka drejtësi, patjetër që ka mizori! Dhe më e rënda, nëse historia të vë vulën si komb mizor…/tesheshi.com/

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re