Një ndër sjelljet më të habitshme që kam vënë re këto ditë në rrjete sociale rreth tmerreve të fundit në Palestinë (si emërtim gjeografik joadministrativ), është prirja e disa të krishterëve, kryesisht të rrymave ungjillore, të cilët në mos militojnë haptazi për Izraelin, të paktën qesëndisin palestinezët apo përkrahësit e këtyre të fundit. Për më tepër, nëse i studion këto profile, kupton që këto qasje anti-arabe, anti-myslimane dhe filoizraelite, ata i ushqejnë paraprakisht dhe pavarësisht ngjarjes së fundit. Është e paqartë se çfarë skizofrenie religjioze mund ta justifikojë këtë qasje.

Pa folur fare për dinamika teknike dhe rrethanore mbi kryqëzimin e Krishtit dhe qëndrimet përkatëse deri në ditët e sotme nga “Populli i Perëndisë” që sundon “Tokën e Premtuar”, nuk mund të amnezohet keqtrajtimi dhe poshtërimi që u rezervohet të krishterëve në Izrael. Një arsye përse nuk mund të amenzohet lidhet edhe me faktin që ndodh përditë, madje përshëndetet nga autoritetet vendase.

Për shembull, një “traditë e vjetër” hebraike konsiston në pështyrjen e të krishterëve, përfshi pelegrinët dhe kishat. Por Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben Gvir tha se  kjo kundërvajtje, ndonëse e pahijshshme, nuk mund të ishte bazë për arrestim. Para se t’i hynte politikës, Ben Gvir e kishte justifikuar pështyrjen e të krishterëve si një “traditë e lashtë hebraike”.

Në një nivel pothuajse komik, një opinionist shkruante te “Haaretz” se mënyra sesi pështyheshin të krishterët sot ishte “barbare”, duke qenë se tradita e lashtë për të pështyrë priftërinjtë nuk përfshinte sekrecione materiale, por më shumë një akt imagjinar me veten. Pra, është krejt në rregull që t’i pështyjmë të krishterët brenda zemrave tona, por jo duke i gjuajtur me gëlbazë siç bëjnë sot shumë hebrenj ultraortodoksë.

Por sulmet ndaj të krishterëve në “demokracinë e vetme në Lindjen e Mesme” nuk përfshijnë vetëm përdhosje të higjienës dhe dinjitetit. Kolonët e paligjshëm të vendosur në Jeruzalem dhe në territoret e pushtuara në Bregun Perëndimor, kanë shtuar sulmet dhe krime të tjera të urrejtjes ndaj të krishterëve, sa edhe Kryeministri kryenacionalist Benjamin Netanjahu u detyrua t’i dënojë këto akte. (Sulmet, plaçkitja dhe vrasja sistemike ndaj arabëve myslimanë është diçka fare normale për establishmentin izraelit dhe nuk supozohet të meritojë çfarëdo vëmendjeje.)

Ndaj është krejt e pakuptueshme dhe arbitrare sesi projekti sionist dhe asgjësimi i larmishëm i pakicave në rajon, gjen mbështetjen aktive të lobeve ungjillore në SHBA dhe gjetiu, por edhe të shumë besimtarëve të tillë kudo në botë. Dhe ka gjasa që të bëhet vërtet fjalë për një sëmundje teologjike, një dëmtim të gjenetikës morale dhe korruptim të vetë zotimit të tyre ndaj asaj që besojnë.

Për më shumë mbi këtë pikë të fundit dhe sesi ajo mund të përbëjë një akt herezie, në terma praktikë mund të konsultohet The Third Temple në Wikipedia, dhe aty brenda të klikohet edhe mbi kategorinë me pikëpamjet e ndryshme të të krishterëve mbi këtë tezë, përfshi specifikisht edhe nga këta për të cilët po flitet.

(Më të zellshmit që i ofendon ideja e përdorimit të Wikipedias si burim informacioni, mund të kërkojnë studime shkencore mbi të njëjtat tema dhe do të vërejnë sesi ekziston një bollëk hulumtimesh të tilla të besueshme online. Mund edhe t’i kërkojnë ChatGPT që t’i ndihmojë për t’i gjetur. Por përvoja tregon që ata që nuk lexojnë platforma si Wikipedia, gjëja e fundit që do të lexonin është një punim shkencor. Dhe sigurisht që nuk do përdornin një robot, sepse kjo shkon kundër egos dhe në mbështetje të novacionit.)

Me pak fjalë, disa prej tyre besojnë që vetëm pasi të ndërtohet një Tempull i Tretë fizik – vendndodhja e parashikuar e të cilit rastis pikërisht ku sot është Xhamia Al Aksa – atëherë do të ndodhë Mbërritja e Dytë e Mesias. Pra, Zoti paska nevojë për një farë infrastrukture fizike që të arrijë të bëjë një ulje të sigurt në aeroportin ekleziast të kësaj kategorie besimtarësh. Dhe këtu fillojnë të gufmojnë ujërat e errëta të herezisë…

Por edhe pa këtë element, mbështetja nga disa të krishterë, e atyre që pështyjnë të krishterët e tjerë, meriton të paktën një farë drejtësie të brendshme. Ata që duartrokasin pështyesit duhet të ndërrojnë vendet me vëllezërit e tyre që pështyhen. Kjo do të ishte çfarë Krishti mund të kishte bërë. Oh! Por ai bëri pikërisht këtë! (Pastaj e vranë.)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re