Skip to content

Nga Feston Hajdini*: Dalldisje në vend të mirëqenies!

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Ndonëse argëtimi është pjesë e natyrshme e qenësisë së njeriut, dhe, ai, ndien nevojë për të dhe priret drejt tij në forma të ndryshme, megjithatë, ai, jo çdo herë argëtohet për shkaqe të arsyeshme dhe në mënyrë të arsyeshme. Madje, shpeshherë, argëtimi ndikon që njeriu ta shpërqëndron apo t’i shpërqëndrohet vëmendja nga problemet, brengat apo gjërat e pakëndëshme që ndodhin në të dhe përreth tij. Në këtë rast, qëllimi që ai arrin apo arrihet në të, nuk është më shumë sesa harresë e përkohshme e problemeve përmes një vetëkënaqësie dhe entuziazmi të çastit dhe krejt artificial.

Kjo është saktësisht ajo që po ngjan në shoqërinë tonë. Përderisa ne, çdo ditë rënkojmë nga mungesa dhe pamjaftueshmëria e shërbimeve mjekësore, vuajmë të gjejmë punë, e shumë nga ata që janë të punësuar i kanë përgagitur valixhet të ikin, kemi shkolla por jo arsimim, kemi polici, prokurori e gjyqësi por s’kemi siguri, në anën tjetër, ne, nxitemi të vërshojmë kah programet argëtuese dhe koncertet masive rrugëve dhe shesheve dalldisur gjithandej. Nuk jemi të vetëdijshëm se, më këtë, ne, po pajtohemi që përgjegjësit tanë (lokal apo qendror) të na ofrojnë argëtim në vend të shërbimeve. Atyre shërbimeve që e bëjnë një vend të mundshëm për jetesë. Padyshim që ky zëvendësim u leverdis atyre (përfaqësuesve tanë) shumë, dhe, kjo, për një arsye të thjeshtë: duke sponzorizuar koncerte e programe të ndryshme argëtuese, ata e plotësojnë kërkesën e trendit aktual për konsum maksimal të argëtimit dhe sfidim të kufijve të tij, e, me këtë, arrijnë ta zhvendosin vëmendjen e publikut nga detyrat dhe përgjegjësitë e veta kryesore politike, ligjore e morale në lidhje me nevojat e vërteta dhe të domosdoshme të tij (publikut). Për llojin e politikanëve tanë, nuk ka pre më të lehtë e as gjë më të dashur sesa individi i pavetëdijësuar. Mungesa e vetëdijësimit politik të qytetarit, për përfaqësuesin, do të thotë votë e sigurtë, dhe, rrjedhimisht, vazhdimësi e pushtetit pa obligime, përgjegjësi e llogaridhënie.

Sponzorizimi i koncerteve dhe i programeve argëtuese të formave dhe formateve të tilla si këto që po gëlojnë shesheve tona, është shteg shumë më i lehtë për të mandatuarit tanë sesa qeverisja e përgjegjshme me përpjekje serioze, me transparencë, me llogaridhënie dhe pa korruptim. Përpjekja e përkushtuar ndaj nevojave të vërteta të qytetarëve, përveç që kërkon vizion, përpjekje serioze dhe investime të mirëfillta, frytet e saj poashtu mund të mos vijnë në momentin më të përshtatshëm për politikanët. Me fjalë tjera, projektet, frytet e të cilave tejkalojnë mandatet e tyre, sado që garantojnë zhvillim, nuk janë në plan të parë për ta. Në të kundërten e tyre, sponzorizimi i argëtimit, në çdo aspekt, ka kosto shumë më të ulët dhe efekte të shpejta që u hyjnë në punë menjëherë.

Edhe pse fjala është kryesisht për Kosovë, fenomen i njëjtë mbretëron edhe në Shqipëri. Madje, para ca ditësh, një grup opozitarësh ia plasën gazit me ironi kur Kryeministri Rama, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, premtoi lëshimin në hapësirë të satelitit të parë shqiptar vitin e ardhshëm. Është për t’u habitur me të qeshurën ironizuese të opozitës! Mendojnë se nuk do të ndodh?! Për të qeshur është me ta! Sepse, Shqipëria, shumë më shumë ka gjasa të lëshoj satelitë dhe të ketë qendër hapësinore të vetën sesa të shndërrohet në shtet me drejtësi, pa korrupsion dhe pa banda. Sikurse që edhe Kosova, që përveç koncerteve lokale, përmes mbivlerësimit të ndikimit që u bën këngëtarëve dhe koncerteve sikur ‘Suny Hill’ apo ‘Manifesta’, mund të shndërrohet në destinacion qëndror të ‘yjeve’ të industrisë së muzikës dhe biznesit të shfaqjes (show business) por nuk mund me to të shndërrohet në shtet të përshtatshëm për jetesë, me mirëqenie, sundim të ligjit, punësim, siguri, shëndetësi, arsim etj.

Më tej, nëse vështrojmë me kujdes gjendjen e shërbimeve publike në vendin tonë ndër vite në njërën anë, dhe, koncertet në anën tjetër, vërejmë mes tyre raport të zhdrejtë. Çka dmth kjo? E dhimbshme shumë por, kjo do të thotë se, sa më shumë që është shtuar përkeqësimi i gjendjes së shërbimeve publike, aq më shumë janë shtuar koncertet dhe organizimet e ngjashme zbavitëse. Hala ma shqip: sa më shumë që është shtuar vuajtja, aq më shumë janë shtuar programet e argëtimit.

Po aq i dhimbshëm është edhe fakti kur ndëgjojmë e shohim se shumë prej ktyre koncerteve dhe programeve po organizohen në emër të mërgatës, pra, për mërgatën. Ndërsa, e vërteta është se ata kanë nevoja krejt tjera. Ata kanë nevojë të çlirohen nga të tilla organizime të cilat edhe ashtu i ngulfatin në vendet ku punojnë. Mërgimtarët kanë nevojë ta gjejnë në vendin e tyre atë që u mungon në vendet ku punojnë. Ata tanimë janë duke vuajtur pasojat e shkëputjes së lidhjeve kulturore dhe etnike të tyre dhe pasardhësve të tyre me kombin. Madje, shkëputja e tyre nga konteksti kulturor kombëtar, që sa vjen e thellohet, po i vështirëson edhe martesat e tyre me llojin e tyre entik. Ata kanë të nevojë për pritje dhe programe që ua ripërtërijnë traditën, kulturën, ndjenjën dhe vetëdijen kombëtare të cilës i përkasin. Ata kanë nevojë t’u ndërpritet tëhuajsimi dhe tjetërsimi identitar kombëtar. Në vend të kësaj, atyre, në emër të tyre, u përgatiten programe të tilla të cila vetëm sa ua zbehin edhe më shumë lidhjet dhe vetëdijen kombëtare. Po të isha një zë që e ndëgjojnë do t’ju thoja të mos marrin pjesë në to, po të isha në vendin e tyre do t’i refuzoja!

Për fund, kur është fjala për mirëqenien e zhvilluar që shtetet demokratike kanë arritur, që të zgjedhurit tanë mëtojnë se e synojnë, trajektorja që ato shtete kanë ndjekur ka qenë dhe është e kundërta e kësaj që shtetet tona i janë rrekur. Askush nuk mund të thotë se zhvillimit dhe mirëqenies së shteteve të zhvilluara i ka paraprirë lëshimi i satelitëve apo sponzorizimi i koncerteve argëtuese. Ato fillimisht e kanë realizuar parimin e sundimit të ligjit i cili ka siguruar drejtësi, dhe drejtësia ka siguruar mirëqenie, e, pas sigurimit të mirëqenies, në mënyrë kuptimplote, ka ardhur zhvillimi edhe në rrafshet tjera. /tesheshi.com/

*Autori ndjek studimet PhD në fushën e Administratës Publike në Universitetin Ankara Haci Bayram Veli, Ankara.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë