Skip to content

Nga fitorja në disfatë: si po shndërrohet Mal i Zi në “Bergamo”-n e Europës

E paimagjinueshme ajo që po ndodh në Mal të Zi me situatën COVID. Një vend që shpalli fitoren pas muajve të karantinës në pranverë, duke qenë i pari në Europë me zero raste në dy javë, tashmë është në anën e kundërt; në një disfatë që thellohet dita-ditës me dinamikën e të infektuarve.

Epidemiologu i Institutit të Shëndetit Publik në Podgoricë, Dragan Lauseviç, tha se intensiteti i transmetimit të koronavirusit në Mal të Zi është aktualisht më i lartë se sa ishte në Bergamo në fillim të pandemisë, vetëm se atje u sëmur popullata e moshuar.

“Deri kohët e fundit, ne mbrojtëm mirë shtëpitë e të moshuarve, por fatkeqësisht, virusi shpërtheu edhe te to. Ne presim të shohim se cilat janë pasojat,” i tha ai Radio Malit të Zi.

Lauseviç tha se javën e kaluar, përqindja e pozitiveve arriti deri në 40, gjë që tregon se intensiteti i transmetimit është jashtëzakonisht i lartë, raporton Beta.

Ai shpjegoi se vetëm në 14 ditët e fundit, kishte 200 njerëz të infektuar në ditë, dhe krahasoi numrat me Gjermaninë, duke pasur parasysh numrin e banorëve në atë vend.

Nëse Gjermania do të kishte të njëjtin numër të infektuarish në raport me popullsinë si Mali i Zi në 14 ditët e fundit, kjo do të nënkuptonte 350,000 të infektuar.

“Ne kemi më shumë njerëz të infektuar në 14 ditë sesa kishin gjatë gjithë shtatë muajve,” tha Lauseviç.

Numri i njerëzve të infektuarve dhe atyre që humbin jetën nga COVID po rritet në mënyrë drastike në Malin e Zi.

Vetëm në 24 orët e fundit, pesë persona u shuan e 197 u infektuan.