“Normalisht që të bësh diçka nga zero është e vështirë, por nëse e ke një qëllim pune, një vizion, është më e lehtë me ia dalë. Unë jam Valbona Ajeti, pronare e kompanisë ‘Grasep’, punoj me 12 gra”

Në një hapësirë të ngushtë në shtëpinë e saj, Valbona nisi disa vite më parë orvatjen për të mbajtur gjallë një biznes të vogël. Së bashku me disa shoqe të saj në vitin 2015, ajo filloi të prodhojë turshi me receta familjare.

“Kemi patur dy tavolina, disa shporta e kavanozë dhe një lavaman për larje. Krejt kushte të thjeshta.”-tregoi Valbona.

Por brenda pak vitesh, puna e Valbonës shkoi përpara ndërsa ajo aplikoi për grante. Derisa arriti të ngrejë në këmbë fabrikën e saj të prodhimit të turshive, ku dhe ka punësuar deri më tani 12 gra.

Kompania quhet Grasep, si një shkurtesë për gratë e Sllatinës së Epërme (Viti, Kosovë), vend i origjinës së Valbonës. E përveçse turshive e perimeve të konservuara, Valbona me gratë e tjera prodhojnë po ashtu reçelëra të ndryshme, produkte që i blejnë nga fermerët lokalë dhe që kanë arritur t’i eksportojnë deri në Gjermani.

“Njerëzit na kanë paragjykuar se nuk mund të arrijmë dhe të bëjmë diçka se jemi gra, por ne kemi patur vetëbesim të fortë dhe me vullnet në punë, kemi vendosur të mos merremi me fjalët por vetëm me punën e kështu kemi arritur këtu ku jemi.”-tregon Valbona për REL.

Pavarësisht se ajo është pronarja e fabrikës, është Valbona e cila përgatit drekën çdo ditë, ushqim të cilin gratë e hanë bashkë në ambientet e fabrikës. Valbona ka si mision e dëshirë që të punësojë sa më shumë gra, me kushtin që ato të jenë të moshës 30 deri në 50 vjeçe dhe amvisa të cilat nuk marrin një pagë.

Ndiqeni këtu kronikën, e përgatitur nga Radio Evropa e Lirë

Kujtojmë se sipas statistikave zyrtare, në Kosovë vetëm 14% e grave janë të punësuara, ndërsa afro 9% e bizneseve në të gjithë vendin, janë në pronësi të grave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re