Në Shqipëri gjithçka shkon vaj!

Qeveria është nga populli dhe për popullin. Presidenti i ri me staturë të vjetër u zgjodh. Opozita po merret me veten. Ushqimet, nafta etj., blihen tek dyqani i qeverisë.

Për arsyen se qeverisja mund të duket e qëndrueshme, atëherë shohim kryeminstrin të angazhuar me një axhendë tjetër disi ndryshe dhe deri diku të papërmbajtshme.

Shpeshherë e shohim nëpër inspektime, inagurime, restaurime, investime etj., dhe ku të kujton një personazh të potencuar nga ai vet para shumë vitesh, Robert Çamçakizin e famshëm të tij.

Gjithashtu herë-herë e shohim ku i bën qepaze kolegët europianë në shtëpitë e tyre dhe të kujton qëndrimin e udhëheqjes shqiptare në konferencën e famshme të partive në Moskë ku udhëheqja e atëhershme i tregonte rrugët, parimet dhe paudhësitë bllokut të atëhershëm lindor.

E shohim në pararojë duke analizuar Rusinë, Iranin, Afganistanin. E shohim duke “hapur Ballkanin” bashkë me Serbinë dhe ku lideri i atij vendi para shumë vitesh do deklaronte me sarkazëm, sinqeritet apo naivitet për kolegun e tij shqiptar, se kishte të bënte me një lider global.

Në disa raste e shohim duke analizuar steriotipet e popullit të tij, ku në raste të vështirësisë ekonomike na kujton se jemi mësuar me vështirësi pasi të tillë e kemi patur jetën, apo ku në rastin kur është i detyruar të strehojë një grupim ish-terroristësh na kujton se e kemi traditë mikpritjen dhe nuk mund t’i lemë rrugëve, etj.

Kur shqiptarët largohen, atëherë na vjen me statistika të vendeve të tjera për të na treguar se nuk iket vetëm prej këtij vendi por iket dhe nga vendet e tjera, dhe për të na e përforcuar llogjikën e tij na tregon se shkak për këto largime është dhe fakti se vendi më i fuqishëm në Evropë është vetëm një orë e gjysmë me avion larg prej nesh kështu që ja vlen një shëtitje.

Qeverisja po i shkon vaj, ministrat nuk flasin pa lejen e tij por dhe kur flasin duket sikur po flet vet kryeminstri.

Kur ja prish biografinë ndonjëri prej të vetëve me histori trafiqesh, PPP-shë, laboratorësh, incenatorësh etj.,  atëherë me shpejtësinë e një ‘’sportisti’’ dhe aftësinë e një ‘’artisti’’ menjëherë e “fsheh dorën” me të cilën na e “hodhi këtë gur”.

Sa i përket sigurisë publike, gjithashtu gjithçka po ashtu duket vaj. Grupet kriminale po merren vesh mes vete, ku herë-herë me kulaç e herë-herë me kërbaç. Ndërsa dhe policia është e zënë me veten duke luajtur shpesh dhe lojën “polici i mirë / polici i keq”.

Gjithçka shkon vaj, dhe për këtë kemi dhe garancinë e shumë diplomatëve të huaj të akredituar në vendin tonë të cilët dhe nëse tek kryeministri mund të shohin ndonjëherë “djalin e keq”, atëherë ngushëllohën me faktin se të paktën është “djali i keq i tyre”.

Në Shqipëri gjithçka shkon vaj, dhe për këtë arsye kryeministri ka kohë që nuk ja shkel më syrin popullit që qeveris, por prej kohësh po ja shkel atë (syrin) vetëm vetes. /tesheshi.com/

 

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re