Të gjithë izraelitët që kanë realisht dinjitet personal, duhet t’i bëjnë vetes pyetjet e mëposhtme:A po kryen vendi i tyre krime lufte në Gaza? Nëse po, si duhet që të ndalen ato? Si duhet të ndëshkohen fajtorët? Kush mund t’i ndëshkojë ata?

A është e arsyeshme që krimet të mos ndiqen penalisht dhe që kriminelët të shfajësohen?

Natyrisht, dikush mund t’i përgjigjet negativisht pyetjes së parë. Pra duke pretenduar se Izraeli nuk po kryen asnjë krim lufte në Gaza, dhe kësisoj duke i quajtur të tepërta pyetjet e tjera.

Por si vallë mund të përgjigjemi negativisht përballë fakteve dhe situatës në Gaza: rreth 35.000 njerëz të vrarë dhe 10.000 të tjerë të zhdukur, rreth 2/3 e tyre civilë të pafajshëm dhe kjo sipas Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF). Në mesin e të vdekurve janë rreth 13.000 fëmijë, afro 400 mjekë dhe infermierë dhe më shumë se 200 gazetarë.

70 për qind e shtëpive janë shkatërruar ose dëmtuar; 30 për qind e fëmijëve vuajnë nga forma të rënda të kequshqyerjes. Po ashtu dy njerëz në 10.000 vdesin çdo ditë nga uria dhe sëmundjet. Të gjitha këto shifra vijnë nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare.

A është e mundur që këto shifra të tmerrshme, të kenë ardhur pa kryerjen e krimeve të luftës? Ka luftëra, shkaku i të cilave është i drejtë dhe mjetet e të cilave janë kriminale. Drejtësia e një lufte, nuk i justifikon kurrsesi krimet e saj. Vrasjet dhe shkatërrimet, uria dhe shpërnguljet në këto përmasa, nuk mund të kenë ndodhur pa kryerjen e krimeve të luftës.

Individë të caktuar janë përgjegjës për to, dhe ata duhet të dalin para drejtësisë. Hasbara izraelite, ose diplomacia publike, as që përpiqet ta mohojë realitetin aktual në Gaza. Ajo vetëm tenton që të justifikohet me antisemitizmin: E pse kapeni me ne? Po Sudani dhe Jemeni?

Por kjo logjikë nuk qëndron: Një shofer që ndalohet nga policia sepse po ecte me shpejtësi të lartë, nuk do të zbresë nga makina dhe të justifikohet duke thënë se nuk është i vetmi që sillet në këtë mënyrë. Krimet dhe kriminelët mbeten po aty. Dhe Izraeli nuk do të ndjekë kurrë askënd penalisht për këto vepra.

Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, as për luftërat dhe as për pushtimet që ka kryer. Si për ironi, ndonjë ditë do të ndjekë penalisht një ushtar pse ka vjedhur kartën e kreditit të ndonjë palestinezi. Por ndjenja njerëzore e drejtësisë, dëshiron që të shohë nxjerrjen para drejtësisë të kriminelëve, në mënyrë që të parandalohen krime të ngjashme në të ardhmen.

Sipas kësaj logjike, na mbetet vetëm të shpresojmë që Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë do ta bëjë punën e saj. Këtë gjë, duhet ta dëshirojë çdo patriot izraelit dhe kushdo që shqetësohet vërtet për të mirën e shtetit. Vetëm kështu do të ndryshojë standardi moral aktual i Izraelit, sipas të cilit i lejohet që të bëjë gjithçka.

Nuk është e lehtë të shpresosh arrestimin e krerëve të shtetit dhe të ushtrisë së vendit tënd. Dhe është akoma më e vështirë ta pranosh publikisht këtë gjë. Por a ka ndonjë mënyrë tjetër për t’i ndalur ata? Vrasjet dhe shkatërrimet në Gaza, e kanë futur Izraelin në një rrugë pa krye.

Është katastrofa më e rëndë, me të cilën është përballur ndonjëherë shteti ynë. Dhe ajo që ka futi në këtë qorrsokak nuk është antisemitizmi, por udhëheqësit dhe drejtuesit e ushtrisë. Po të mos ishte për ata, vendi ynë nuk do të ishte shndërruar kaq shpejt pas 7 tetorit 20023, nga një vend që ngjallte simpati dhe frymëzonte dhembshuri në një shtet të përbuzur në arenën ndërkombëtare.

Dikush duhet të gjykohet për këtë degradim të frikshëm. Ashtu siç shumë izraelitë duan që Benjamin Netanyahu të dënohet për korrupsionin për të cilin akuzohet, ata duhet të dëshirojnë që ai dhe autorët e tjerë që varet nga urdhrat e tij të dënohen për krime shumë më të rënda, krimet e Gazës.

Nuk mund të lejohet që ata të mbeten pa u ndëshkuar. Dhe për situatën aktuale, nuk mund të  fajësohet vetëm Hamasi, edhe pse ai ka një pjesë të përgjegjësisë në krimet që kanë ndodhur. Sepse jemi ne izraelitët ata që vramë, shkaktuam një uri masive, zhvendosëm dhe shkatërruam në një shkallë kaq masive.

Për këtë dikush duhet të dalë para drejtësisë. Sigurisht, fajtori kryesor është Benyamin Netanyahu. Fotoja e tij si i burgosur në Hagë së bashku me Ministrin e Mbrojtjes dhe shefin e shtabit të IDF-së është makthi për çdo izraelit. Dhe me ato që kemi parë ky zhvillim duhet të ishte i garantuar.

Megjithatë, për fat të keq ka shumë pak gjasa që të ndodhë. Presioni që ushtrohet ndaj kësaj gjykate nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara është i madh (dhe i gabuar). Gjithsesi taktikat e frikësimit ndaj udhëheqësve izraelitë mund të jenë të rëndësishme.

Nëse zyrtarët tanë pengohen të udhëtojnë jashtë vendit gjatë viteve të ardhshme, nëse ata jetojnë me frikën e asaj që mund t’u ndodhë, ne mund të jemi të sigurt se në luftën e ardhshme, ata do të mendohen dy herë përpara se të dërgojnë ushtrinë në fushatat që shkaktojnë vdekje dhe shkatërrime me përmasa të tmerrshme. Të paktën tek këto masa minimale mund të gjejmë pak ngushëllim. /Haaretz/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re