Sipërmarrësi dhe filantropi amerikan, John Paul DeJoria, së bashku me bashkëshorten e tij, modelen, aktoren dhe producenten e njohur, Eloise Broady ndodhen në Tiranë.

 

Ata u pritën edhe nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili përmes një statusi në “Twitter”, ka vlerësuar historinë frymëzuese të DeJorias, përshkruar si një shembull i gjallë i ëndrrës amerikane.

 

“Shumë i lumtur që prita John Paul Dejoria dhe bashkëshorten e tij të mrekullueshme, Eloise Broady! Ai është themelues i “Paul Mitchell Systems” dhe “Patrón Spirits”, i cili nga i pastrehë u bë një filantrop i madh, shembull motivues! Faleminderit për vizitën frymëzuese!”, shkruan Veliaj.

 

Sipërmarrësi amerikan, John Paul Dejoria është i njohur më së shumti si bashkëthemelues i linjës së produkteve “Paul Mitchell” dhe markës së tekilas “The Patrón Spirits”. Për shkak të karrierës së tij personale dhe arritjeve në biznes, dikur i pastrehë e sot një miliarder dhe sipërmarrës i suksesshëm, DeJoria është përshkruar si një shembull frymëzues edhe në mjaft dokumentarë.

Dejoria, djali i dytë i një babai emigrant italian dhe një nëne emigrante greke, ishte vetëm 2 vjeç kur prindërit e tij u divorcuan.

 

Ai u rrit në një shtëpi fëmije në Los Anxhelos deri në moshën 9-vjeçare, kur filloi të shiste kartat e Krishtlindjeve dhe gazetat me vëllain e tij më të madh për të mbajtur familjen e tij. Shitësi i dikurshëm derë më derë bashkëpunoi me Paul Mitchell në vitin 1980 dhe të dy ndërtuan një nga kompanitë më suksesshme në botë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re