Laiciteti nuk është luftë kundër fesë, as e drejtë e shtetit për të përcaktuar se ku fillon dhe ku mbaron identiteti fetar i qytetarit. Në një demokraci, shteti është laik pikërisht për të garantuar lirinë e besimit dhe barazinë e të gjithëve, jo për ta kthyer përkatësinë fetare në pengesë për pjesëmarrjen në jetën publike.
Në Shqipëri, megjithatë, interpretimi selektiv i laicitetit ngre shqetësime serioze për trajtimin e komunitetit mysliman. Kur besimi Islam paraqitet si pengesë për modernitetin, identitetin evropian apo pjesëmarrjen qytetare, paragjykimi fetar rrezikon të shndërrohet në diskriminim individual dhe institucional.
Neutraliteti është detyrim i shtetit, jo i qytetarit. Një besimtar nuk duhet të heqë dorë nga identiteti i tij fetar për të gëzuar të drejtat që e Drejta Njerëzore dhe Kushtetuta ia njeh si qytetar.
Kur paragjykimi fetar cenon të drejtat e njeriut
Kushtetuta shqiptare, në nenet 10, 18 dhe 24, garanton neutralitetin e shtetit, barazinë para ligjit dhe lirinë e besimit. Nenet 22 dhe 47 mbrojnë lirinë e shprehjes dhe të tubimit paqësor.
Këto garanci përforcohen nga neni 9 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe ligji shqiptar nr. 10221/2010, “Për mbrojtjen nga diskriminimi”.
Për këtë arsye, trajtimi i një qytetari si më pak i denjë për arsimim, punësim, shërbime publike apo pjesëmarrje qytetare për shkak të besimit të tij bie ndesh me parimin e barazisë. Kufizimet e këtyre të drejtave kërkojnë bazë ligjore dhe justifikim të ligjshëm, jo paragjykime kulturore apo preferenca personale të drejtuesve institucionalë.
Përjashtimi i një femre nga arsimi, punësimi apo debati publik vetëm për shkak të mbulesës Islame, pengimi arbitrar i praktikave fetare apo trajtimi i pabarabartë i komuniteteve në administrimin e hapësirave publike përbën diskriminim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë.
Por diskriminimi nuk fillon domosdoshmërisht me një vendim administrativ. Ai mund të paraprihet nga një retorikë që e paraqet besimtarin si qytetar të dorës së dytë, duke krijuar klimën në të cilën përjashtimi i tij normalizohet.
Kur përkatësia fetare përdoret për të vënë në dyshim të drejtat e një individi, paragjykimi nuk mbetet më çështje opinionesh: ai bëhet problem i të drejtave të njeriut.
Kur kryeministri i tregon hoxhës kufirin e qytetarisë
Protestat qytetare të vitit 2026 kundër projektit “turistik” në Zvërnec dhe mbarë Shqipërinë, dhe mënyrës së administrimit të pasurive publike dhe kombëtare nxorën në pah një përplasje tjetër mes pushtetit dhe lirive qytetare. Protestuesit kundërshtuan projektin dhe pasojat e tij për mjedisin dhe interesin publik e atë kombëtar, ndërsa qeveria e mbrojti investimin si mundësi zhvillimi.
Më 23 qershor, kryeministri Edi Rama iu drejtua publikisht hoxhë Mustafa Tërniqit, duke i thënë se “vendi yt është në xhami” dhe duke e akuzuar se po bënte “punën e shejtanit”. Ai vuri gjithashtu në dyshim motivet e përfshirjes së besimtarëve myslimanë në protestë, duke nxitur përçarje mbi baza fetare, në vend.
Këto deklarata ngrenë një shqetësim serioz për mënyrën se si përkatësia fetare përdoret në debatin politik.
Gjithashtu, këto deklarata ngrenë një çështje kushtetuese: a mundet kryeministri t’ia kufizojë simbolikisht hapësirën qytetare një individi për shkak të funksionit të tij fetar apo besimit?
Neni 47 i Kushtetutës garanton lirinë e tubimeve paqësore, ndërsa nenet 22 dhe 24 mbrojnë lirinë e shprehjes dhe të besimit. Këto të drejta u përkasin edhe klerikëve dhe besimtarëve. Asnjë funksion apo besim fetar nuk e zhvesh individin nga statusi i qytetarit.
Një kryeministër ka të drejtë të kundërshtojë opinionin e një hoxhe, por funksioni fetar nuk mundet asesi të shërbejë si argument për t’i mohuar atij legjitimitetin e pjesëmarrjes qytetare.
Kur një qytetari i tregohet vendi në shoqëri për shkak të fesë, identiteti i tij fetar kthehet në kriter përjashtimi.
Kjo mënyrë të shprehuri ushqen paragjykimin ndaj individit dhe krijon një klimë ku diskriminimi për shkak të besimit normalizohet.
Liria e shprehjes dhe e tubimit paqësor u përket edhe klerikëve dhe besimtarëve. Xhamia është vendi ku hoxha ushtron funksionin e tij fetar, jo kufiri i të drejtave të tij kushtetuese dhe qytetare.
Nga retorika përjashtuese te diskriminimi individual
Përgjegjësia e përfaqësuesve të shtetit nuk kufizohet vetëm te vendimet administrative. Edhe gjuha publike ka rëndësi, veçanërisht kur përdoret nga drejtuesit më të lartë të institucioneve.
Paragjykimi fetar mund të ndikojë në mënyrën se si një qytetar trajtohet në shkollë, në vendin e punës, në administratë apo gjatë ushtrimit të të drejtave të tij qytetare.
Një deklaratë politike nuk provon automatikisht diskriminim të paligjshëm. Por kur përkatësia fetare përdoret për të delegjitimuar individin, krijohet rreziku që ky paragjykim të reflektohet edhe në sjelljen institucionale.
Prandaj, çdo rast përjashtimi apo trajtimi të pabarabartë për shkak të besimit duhet të shqyrtohet në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin kundër diskriminimit.
Toleranca fetare nuk është fotografi ceremoniale
Në janar 2015, Edi Rama marshoi në Paris përkrah klerikëve të katër komuniteteve tradicionale fetare shqiptare, duke promovuar bashkëjetesën fetare si vlerë kombëtare.
Por toleranca nuk provohet vetëm në ceremonitë ndërkombëtare. Ajo merr kuptim kur një femër me mbulesë kërkon punë, kur një besimtar përballet me administratën apo median dhe kur një hoxhë kundërshton publikisht një projekt qeveritar.
Toleranca fetare nuk provohet me fotografi ceremoniale dhe deklarata politike, por me respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të çdo qytetari. Ajo provohet kur myslimanët shqiptarë nuk paragjykohen, nuk përjashtohen dhe nuk trajtohen si të huaj në atdheun e tyre. Kur askush nuk guxon t’u thotë se duhet të largohen në Arabi apo Turqi vetëm sepse janë myslimanë, duke ua vënë në dyshim përkatësinë kombëtare dhe të drejtën për të qenë qytetarë të barabartë në vendin e tyre. T’i thuash një shqiptari se nuk është shqiptar për shkak të besimit të tij nuk është thjesht fyerje fetare: është mohim i identitetit individual dhe kombëtar, i dinjitetit njerëzor dhe i parimit kushtetues të barazisë. Toleranca provohet kur komunitetit mysliman i garantohet, në kushte të barabarta, e drejta e përdorimit të hapësirave dhe burimeve publike; kur një femër me mbulesë nuk diskriminohet në arsim apo punësim; kur një besimtar trajtohet me dinjitet nga administrata dhe kur një hoxhë mund të kundërshtojë publikisht një projekt qeveritar pa iu vënë në dyshim përkatësia fetare apo kombëtare, kur një komunitet mund të shfrytëzojë hapësirat publike pa diskriminim. Myslimanët shqiptarë nuk janë emigrantë që duhet të provojnë shqiptarinë e tyre për të merituar të drejtat kombëtare. Ata janë pjesë e pandashme e historisë, identitetit dhe së ardhmes së Shqiptarisë. Asnjë kryeministër, asnjë pushtet dhe asnjë ideologji nuk mund ta kushtëzojë përkatësinë e tyre kombëtare me heqjen dorë nga besimi.
Të drejtat e njeriut nuk mund të varen nga përkatësia fetare, pamja e jashtme apo qëndrimi politik i individit.
Myslimanët shqiptarë nuk kërkojnë privilegje për shkak të peshës së tyre demografike. Ata kërkojnë të gëzojnë të njëjtat të drejta që Kushtetuta ua njeh të gjithë qytetarëve.
Një shtet vërtet laik nuk e përdor fenë për t’i treguar qytetarit se ku duhet të qëndrojë. Ai garanton që askush të mos përjashtohet nga jeta publike vetëm për shkak të besimit.
Sepse xhamia është vendi i lutjes së myslimanit, jo kufiri i qytetarisë së tij.
Kur pushteti e përdor përkatësinë fetare për të kufizuar zërin e qytetarit, ai nuk mbron laicitetin, por cenon vetë themelet e shtetit të së drejtës. Një demokraci që krenohet me tolerancën fetare, por e vë në dyshim të drejtën e besimtarit për të kundërshtuar pushtetin, rrezikon ta shndërrojë tolerancën nga vlerë kushtetuese në fasadë politike dhe antivlerë.
Pikërisht këtu duhet të fillojë debati serioz për diskriminimin në emër të të ashtuquajturit laicitet shqiptar. Sepse liria e besimit nuk është privilegj që pushteti e jep ose e tërheq sipas interesit politik. Është një e drejtë themelore që shteti ka detyrimin ta respektojë dhe ta mbrojë.
Në fund të fundit, shteti është laik për të garantuar lirinë e qytetarit, jo për t’ia kushtëzuar atij qytetarinë me heshtjen e besimit. /tesheshi.com/
