Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka komentuar progres-raportin e publikuar nga Komisioni Evropian, ndërsa shton se i dha zë shqetësimeve të ngritura sistematikisht nga opozita.

Sipas Xhixhos, ky raport, “vë gishtin gishtin në plagët më të rënda që i ka shkaktuar demokracisë qeveria “Rama”.”

“Progres-raporti është pasqyra ku duhet të shohë veten qeveria. Zgjedhjet e blera, shkelja e ligjit dhe të drejtës së opozitës për të bërë punën e vet, korrupsioni galopant dhe aleanca me krimin nuk janë rruga që na çon në BE”, shkruan deputetja.

Reagimi i plotë i deputetes Erisa Xhixho:

Progres-raporti i KE vë gishtin në plagët më të rënda që i ka shkaktuar demokracisë qeveria “Rama”. Skaneri i detajuar që i është bërë Shqipërisë nxjerr në pah problemet madhore të maxhorancës qeverisëse dhe u jep zë shqetësimeve që ka ngritur sistematikisht opozita.

Kërkesat legjitime të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore

Refuzimi i mazhorancës për ngritjen e komisioneve hetimore është tërësisht antikushtetues. Parlamenti dhe opozita, si pjesë e tij dhe përfaqësuese e vullnetit të qytetarëve, e ka të garantuar në Kushtetutë dhe ligj të drejtën për të kontrolluar punën e qeverisë përmes komisioneve hetimore. Çdo pengesë dhe refuzim nga ana e mazhorancës është goditje e demokracisë dhe shkelje hapur e shtetit të së drejtës. Siç evidentohet dhe në raport, nuk ka pasur kontroll parlamentar ndaj qeverise sepse është fakt që kjo mazhorance me forcën e paligjshmërisë së kartonit nuk e ka lejuar.

Zgjedhjet dhe nevoja e reformës zgjedhore

Progres-raporti evidenton keqpërdorimin e resurseve dhe administratës shtetërore, presionin ndaj votuesve dhe shitblerjen e votës si problemet kryesore që vijojnë të cenojnë standardet e zgjedhjeve në Shqipëri. Reforma zgjedhore është domosdoshmëri.

Lufta kundër korrupsionit

Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten në nivele alarmante. Në të dy fushat, Shqipëria renditet poshtë mesatares, sepse korrupsioni dhe aleanca me krimin janë mjetet e domosdoshme të qeverisë për të marrë pushtetin sa herë ka zgjedhje e për ta mbajtur atë, ndërsa shqiptarët rrënohen ekonomikisht apo braktisin vendin.

Progres-raporti është pasqyra ku duhet të shohë veten qeveria. Zgjedhjet e blera, shkelja e ligjit dhe të drejtës së opozitës për të bërë punën e vet, korrupsioni galopant dhe aleanca me krimin nuk janë rruga që na çon në BE.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re