Sektori i shëndetësisë është një nga më të ndjeshmit ndaj praktikave korruptive, në të gjitha nivelet, duke filluar nga korrupsioni i shtrirë në nivel qendror – për shkak të vlerës së lartë monetare të kontratave dhe mungesës së transparencës në procesin e përzgjedhjes së fituesve, deri në nivelin e shërbimeve – ku stafi profesional në të tria nivelet e shërbimeve kërkojnë/pranojnë pagesa jashtë sistemit për shërbime shëndetësore që do të duhet të ofroheshin falas.

Ndër sfidat kryesore mbetet adresimi i korrupsionit në sistemin shëndetësor nëpërmjet përmirësimit të instrumenteve kontrollues, monitorues dhe auditues në të gjithë sistemin. Të dhënat nga raportet ndërkombëtare, si dhe në nivel kombëtar, konfirmojnë perceptimin e lartë të korrupsionit në këtë sektor.

Një raport i fundit i Together For Life (TFL) me një kampionim prej 1000 personash të intervistuar në 12 qarqe, zbulon se më shumë se 8 në 10 persona (83%) shprehin bindjen se sistemi shëndetësor në Shqipëri është i korruptuar, tregues ky se korrupsioni në shëndetësi perceptohet si një problem i përhapur dhe i rrënjosur, dhe reflektim i mungesës së thellë të besimit në institucionet shëndetësore dhe mënyrën se si ato funksionojnë.

Raport_PERCEPTIMI I KORRUPSIONIT NË SHËNDETËSI

Të dhënat e pyetjes “Cili mendoni se është shkaku kryesor i korrupsionit në sistemin shëndetësor?” ofrojnë një pamje gjithëpërfshirëse dhe të shumanshme të perceptimeve të pjesëmarrësve në lidhje me shkaqet që nxisin këtë fenomen. Përgjigjet tregojnë se korrupsioni perceptohet si një fenomen kompleks dhe problem sistemik, i ndikuar nga faktorë të ndryshëm, të cilët përfshijnë elementë strukturorë, kulturorë dhe institucionalë, duke përfshirë normat sociale dhe dobësinë e institucioneve.

Rreth 2 në 3 të intervistuar (63%) mendojnë se shkaku kryesor i përhapjes së korrupsionit në sistemin shëndetësor është kultura e pranuar e ryshfetit në shoqërinë shqiptare. Kjo tregon se qytetarët e shohin korrupsionin si pjesë të normalizuar të ndërveprimit me sistemin shëndetësor, ku pagesat informale konsiderohen të zakonshme dhe që janë kthyer në pjesë të pritshmërive për marrjen e shërbimeve. Ky normalizim e bën të vështirë ndarjen mes korrupsionit dhe shërbimit të zakonshëm, duke dëmtuar ndjeshëm etikën dhe besimin publik.

Një tjetër faktor i rëndësishëm, sipas 56% të të anketuarve, është mungesa e kontrollit dhe ndëshkimeve të përgjegjësve nga autoritetet të rasteve të korrupsionit. Ky tregues nënvizon dobësinë e institucioneve mbikëqyrëse dhe mungesën e mekanizmave efektivë për të parandaluar dhe ndëshkuar personat përgjegjës që abuzojnë me detyrën.

Më shumë se 1 në 3 pjesëmarrës (38%) përmendin keqmenaxhimin dhe mungesën e transparencës si një faktor që nxit korrupsionin në sistemin shëndetësor në Shqipëri dhe pothuaj se aq persona (35%) mendojnë se mungesa e vetëdijes dhe guximit të pacientëve për të raportuar korrupsionin është një nga shkaqet e rëndësishme. Ndërkohë, pagat e ulëta të personelit shëndetësor (34%) dhe mungesa e fondeve dhe burimeve të nevojshme për mbulimin e kostove të shërbimit (21%) tregojnë se shumë qytetarë e perceptojnë korrupsionin edhe si pasojë e nënfinancimit të sektorit të shëndetësisë nga buxheti i shtetit.

Megjithëse duhet theksuar se vitet e fundit qeveria ka ndërmarrë politika konkrete për rritjen e pagave në sistemin shëndetësor, rritje që, sipas të dhënave të kësaj ankete, ka ndikuar pak ose aspak në nivelin e perceptimit të korrupsionit në sistemin shëndetësor. Edhe ndikimi i industrisë farmaceutike shihet si një faktor tjetër nga rreth 1/5 e të pyeturve, duke ngritur shqetësime për interesat ekonomike që mund të ndikojnë në vendimmarrjen mjekësore, në dëm të pacientit dhe transparencës së sistemit.

LEXO KETU RAPORTIN E PLOTE

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko