Skip to content

Nga kush do ta ruajnë paqen ushtarët shqiptarë në Gaza?

1v07u85pz7kw7dg4e9w

Izraeli ka miratuar vendosjen e kontingjentit të parë prej rreth 250 ushtarësh të huaj në Rripin e Gazës, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), ndërsa përpjekjet për zbatimin e planit të paqes po hyjnë në një fazë të re.

Sipas Jewish Chronicle, gjashtë shtete kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar me trupa: Shqipëria, Kosova, Indonezia, Maroku, Kazakistani dhe Uganda.

Por përtej njoftimeve zyrtare për një mision që synon të sjellë stabilitet, mbetet një pyetje thelbësore, veçanërisht për vendet që do të dërgojnë ushtarët e tyre: nga kush do ta ruajnë paqen në Gaza efektivët shqiptarë?

Nga ushtria izraelite, e cila vazhdon të kontrollojë pjesë të territorit, dhe që sipas së drejtës ndërkombëtare, konsiderohet fuqi pushtuese, apo nga Hamasi, kundërshtari i armatosur palestinez i Izraelit?

Shqipëria ka marrë autorizimin për të dërguar deri në 40 efektivë të Forcave të Armatosura. Misioni shqiptar parashikon zyrtarisht mbështetje për operacionet e sigurisë, mbrojtjen e personelit dhe infrastrukturës së misionit, ndihmën për operacionet humanitare, si dhe monitorimin e situatës në terren.

Marrëveshja për pjesëmarrjen e Shqipërisë u nënshkrua më 23 tetor. Edhe Kosova do të marrë pjesë në këtë mision, por autoritetet nuk kanë bërë publik numrin e saktë të efektivëve. Sipas Associated Press, bëhet fjalë për disa dhjetëra pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se kontributi do të përfshijë një ekip për çminimin e municioneve, një komandant kontingjenti që do të shërbejë si oficer ndërlidhës dhe personel tjetër mbështetës.

Ekipi i çminimit është deklaruar i gatshëm për dislokim, në pritje të sinjalit nga drejtuesit e forcës ndërkombëtare. Por tërheqja e ushtrisë izraelite nuk parashikohet të jetë automatike.

Ajo do të kryhet me faza, në varësi të përmbushjes së objektivave të çmilitarizimit, ndërsa një prani izraelite në perimetrin e sigurisë mund të vazhdojë të mbetet.

Pra, misioni ndërkombëtar do të bashkëpunojë me Izraelin, ndërkohë që duhet të veprojë në një territor ku vetë prania dhe kontrolli ushtarak izraelit përbëjnë një nga çështjet kryesore të konfliktit.

Këtu lind dilema më e madhe politike dhe morale për Tiranën dhe Prishtinën. Nëse detyra e forcës është “ç’armatimi i Hamasit’, a do të thotë kjo se ushtarët shqiptarë dhe kosovarë do të gjenden përballë grupit që, pavarësisht karakterit dhe veprimeve të tij të armatosura, mbetet një nga aktorët kryesorë të rezistencës palestineze ndaj Izraelit?

Dhe nëse ushtria izraelite shkel marrëveshjen e armëpushimit ose vazhdon operacionet ushtarake, çfarë roli do të ketë ISF-ja? A do të ndërhyjë për të mbrojtur civilët palestinezë, apo mandati i saj nuk i jep as kompetencat dhe as vullnetin politik për t’u përballur me Izraelin?

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq e konsideron Gazën territor të pushtuar, duke iu referuar kontrollit që Izraeli ushtron mbi elemente kyçe të territorit. Ndërkaq, plani ndërkombëtar e lidh tërheqjen izraelite me përmbushjen e kushteve të sigurisë dhe çarmatimit.

Kjo pabarazi në përcaktimin e detyrimeve ngre pikëpyetje serioze për paanshmërinë dhe funksionin real të misionit. \\