Një veprim prej skuthash! Kështu e ka konsideruar deputeti Tritan Shehu, vendimin e orëve të vonave të Kryesisë së PD-së që përjashtoi një pjesë të Komisionit të Rithemelimit, dhe pezulloi pjesën tjetër të tyre.

Shehu tha në një intervistë për Fax News, se ky është një vendim nul, sa kohë që Kuvendi i 11 Dhjetorit e ka shkarkuar kryesinë e Lulzim Bashës, dhe momentalisht partia drejtohet nga Komisioni i Rithemelimit.

I pyetur nga gazetarja Samena Hasaj, nëse do të distancohej dhe do të reflektonte pas vendimit të Bashës për ta pezulluar dhe jo për ta përjashtuar perjetësisht, Shehu tha se e gjitha kjo është qesharake, pasi një vendim i tillë është tërësisht nul.

“Nga kush kryesi të lutem? Sepse PD nuk ka as kryetar, as kryesi dhe as struktura të tjera. Çdo gjë tjetër është jashtë realitetit, është në vendim nul. Një grup njerëzish mund të mblidhet kur të dojë, dhe nëse vazhdojnë gjithë natës mund të kenë dhe çrregullime psikologjike, nuk ekzistojnë të tilla gjëra. Çdo njeri mund të thojë që unë marr x vendim, por është një qenie jashtë realitetit.

Grupi i rithemelimit do të vazhdojë të gjitha detyrat që iu la nga Kuvendi, deri në 22 Mars, kur pritet që të jenë dhe zgjedhjet e brendshme. Kuvendi i datës 11 Dhjetor është i vetmi Kuvend i ligjshëm, të gjitha të tjerat janë veprime në kundërshtim me realitetin.

Nuk merrem fare me persona që mblidhen si skutha gjatë natës, pranova të prononcohem, se është e çuditshme e gjitha kjo që ka ndodhur.

Unë nuk jam përjashtuar as përkohësisht dhe as përgjithësisht, unë jam absolutisht një nga anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të PD-SË, unë nuk merrem me komedi, që tingëllojnë si groteske. 

I shoh me përbuzje këto veprime, që kanë vetëm një qëllim, që të shkatërrojnë opozitën shqiptare. Edhe djegia e mandateve është bërë qëllimisht, për ti lënë fushë të lirë Edi Ramës që të bëjë se çfarë të dojë me Kushtetutën”, tha Shehu.

Ky është reagimi i parë nga Komisioni për Rithemelimin e PD-së, pas vendimit të Kryesisë së drejtuar nga Basha për përjashtimin dhe pezullimin e tyre nga partia, vendim i marrë rreth orëve të para të mëngjesit të sotëm.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re