Mbyllja e një viti dhe ardhja e një të riu për shumëkënd është momenti për të bërë bilancet dhe për të parë arritjet edhe sigurisht me sytë nga e ardhmja. Nëse do të gjejmë afër nesh një personazh që nga viti 2018 ka marrë maksimumin ky sigurisht është Myrto Uzuni.

Futbollisti beratas e nisi këtë vit nga Laçi duke ia dalë të shkoj deri në dy finale atë të Kupës dhe Superkupës së Shqipërisë përballë kampionëve të pathyeshëm të sezonit të shkuar, Skënderbeut duke i humbur. Prezantimi dinjitoz në Europë duke shënuar edhe golin e kualifikimit për skuadrën kurbinase përballë Anorthosis që i dha reklamë më të madhe duke bërë shumë klube ta ndjekin.

Në fundin e gushtit u largua nga Kategoria Superiore, si një ndër futbollistët më të mirë të kampionatit tonë duke veshur fanellën e Lokomotivës së Zagrebit. Edhe aty u pa i njëjti Myrto: punë, vullnet, lojë, asiste dhe gola duke tërhequr vëmendjen e të gjithëve në Kroaci. Madje ai tërhoqi edhe vëmendjen e trajnerit të kombëtares shqiptare Kristian Panuçi dhe ndaj Jordanisë bëri debutimin duke luajtur në katër ndeshje nga të cilat dy zyrtare.

Pasi mbylli një sezon të mirë duke shënuar katër gola në Kroaci u rikthye në Berat ku u nderua nga bashkia e qytetit të tij me titullin “Njeriu i vitit”. Për të vënë qershinë mbi tortë këtë vit, ai zyrtarizoj në fejesë lidhjen e tij 5 vjeçare me një vajzë të lagjes së tij.

Kush është Myrto Uzuni?

Myrto ka lindur në Berat, më 31 maj 1995, dhe bashkë me të edhe pasioni për futbollin. Ishin pikërisht rrugicat e lagjes së tij, Uznovës, vendi ku ai nisi të luajë për herë të parë. Më pas edhe angazhimi në ekipe moshash, duke nisur nga ai amator krijuar nga babai i tij, Artani.

Ai vjen nga një familje e thjeshtë e lagjes Uznovë, ku Myrto kaloi fëmijërinë e tij. Kushtet e vështira ekonomike asnjëherë nuk e ndalën pasionin e tij, por edhe mbështetjen e familjes për t’ia dalë mbanë. Ka trashëguar emrin e gjyshit të tij dhe është fëmija i dytë i familjes Uzuni.

Kur Myrto ishte ende fëmijë, familja e tij u transferua në Greqi, Edhe aty ai nuk u nda nga futbolli. U Bë pjesë e skuadrës së qytetit ku jetonte, Doxa Pikadakia. Edhe pse një skuadër amatore dhe Uzuni ishte më i vogli ndër të gjithë, ai dallonte për talentin e tij duke u bërë një personazh i dashur për qytetin.

Me rikthimin e familjes së tij në Berat në vitin 2012, Uzuni nisi të luajë për skuadrat e moshave të Tomorit. Gjithçka nis nga Tomori U17 dhe në një kohë shumë të shkurtër ai u ngjit në skuadrën U19 dhe më pas në ekipin e parë të Tomorit. Vetëm në një vit aty dhe ngjalli interesin e të gjithëve me lojërat e mira, asistet dhe golat. Në rrjetet sociale në fundin e vitit 2014 u shpall “Futbollisti i vitit” nga tifozët beratas. Ndërsa në fillimin e 2015 u transferua tek Apolonia.

Me fierakët ai bëri edhe prezantimin e tij në Kategorinë Superiore. Pas paraqitjeve të mira siguroi ftesën nga kombëtarja U21. Kontrata e gjatë me klubin fierak e detyroi Uzunin të rikthehej në Kategorinë e Parë me Apoloninë. Vetëm në verën e vitit 2017 ishte Laçi që pagoi për ta bërë pjesë të elitës sërish.

Këtu nisi edhe shpërthimi i tijm duke bërë një sezon shumë të mirë me skuadrën kurbinase. Myrto luajti 38 ndeshje dhe shënoi 11 gola. Me Laçin e tij arriti në dy finale brenda një sezoni, si në Kupën e Shqipërisë dhe në Superkupë, të dyja të humbura në finalet përballë Skënderbeut. Goli i shënuar ndaj Anorthosis në Europa Ligë, jo vetëm i dha kualifikimin, por edhe siguroi interes të lartë jashtë Shqipërisë. Kështu në fundin e merkatos erdhi edhe transferimi në Kroaci, te Lokomotiva e Zagrebit.

Me të njëjtin motivim pune ai ia doli menjëherë të rikthehej titullar dhe i rëndësishëm. Katër gola me Lokomotivën në këtë pjesë të parë të sezonit, si edhe shumë vlerësime në mediat kroate e shqiptare kanë ngjallur interesin e të gjithëve për këtë talent të ri të futbollit shqiptar.

Paraqitja e mirë në Kroaci solli edhe grumbullimin e tij me kombëtaren shqiptare dhe ndaj Jordanisë bëri debutimin e tij në miqësore, ndërsa në transfertën ndaj Izraelit në një takim zyrtar. Ky ishte viti i tij më i rëndësishëm në karrierë, nga Laçi tek Lokomotiva, dhe sigurisht qershia mbi tortë i këtij viti kalendarik për Uzunin ishte grumbullimi në kombëtaren kuq e zi, ku është kthyer në një element thelbësor për skuadrën.

Pasi mori titullin “Njeriu i vitit nga bashkia Berat ai ka fituar edhe një sërë sondazhesh fundviti nëpër portale, si futbollisti më i mirë shqiptar për vitin 2018./Berati.TV

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re