VALENTINA MADANI/ Shqipëria po përgatit terrenin për zhvillimin e industrisë së prodhimit të armëve.

Për këtë qëllim, në proces konsultimi publik është dhe një projektligj i posaçëm që parashikon jo vetëm rregullat, lehtësitë, kriteret e licencimin, por edhe tregtimin, shpërndarjen, por edhe “listën e zezë” dhe ndëshkimet për ata që shkelin.

Referuar nismës së depozituar, procesi i licencimit dhe monitorimit do të kryhet nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, që do të jetë pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes. Për të përfituar lehtësitë e parashikuara në ligj, kompanitë e prodhimit të armëve duhet të plotësojnë disa kritere, mes të cilave, të kenë partneritet tregtar me shoqërinë shtetërore të prodhimit të armatimit ushtarak në Shqipëri dhe të investojnë se paku 25 milionë euro.

Veç procedurave të përshpejtuara për licencimin, lehtësitë parashikojnë që për 10 vitet e para të aktivitetit, ato do të paguajnë zero tatim-fitim, përjashtim nga taksa vendore dhe qendrore e pasurisë së paluajtshme për 10 vite, përjashtim nga të gjitha taksat doganore për mallrat që nevojiten për prodhimin e armatimit ushtarak e deri mbulim të shpenzimeve për energjinë, ujin dhe gazin për 10 vite.

Subjektet e licencuara duhet të sigurojnë një rezervë të caktuar armatimesh dhe pajisjesh teknologjike ushtarake për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në rastin e gjendjes së luftës ose në kushtet e një rreziku të afërt dhe konkret të një agresioni ndaj Shqipërisë.

PROJEKTLIGJI

Të gjitha subjektet që do të merren me prodhimin e armëve “Made in Albania” nuk do të paguajnë taksa për 10 vitet e para. Sipas projektligjit të hedhur për konsultim publik: “Këto lehtësira përfshijnë procedura të përshpejtuara për licencimin dhe regjistrimin e veprimtarisë, sipas legjislacionit në fuqi”. Norma e tatimfitimit është 0 për 10 vitet e para të aktivitetit, ulje e tatimit mbi vlerën e shtuar në masën 10%, për furnizimet dhe shërbimet e nevojshme për prodhimin e armatimit ushtarak, si dhe çdo përjashtim tjetër tatimor i aplikueshëm, bazuar në legjislacionin në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar, përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, përjashtim nga taksa vendore dhe qendrore për një periudhë 10-vjeçare, përjashtim nga të gjitha taksat doganore për mallrat, të cilat shërbejnë drejtpërdrejt për prodhimin e armatimit ushtarak”, – thuhet në projektligj.

Por për të përfituar këto lehtësi, kompanitë duhet të investojnë të paktën 25 milionë Euro. “Subjektet që dëshirojnë të investojnë në industrinë e prodhimit të armatimit ushtarak në Republikën e Shqipërisë dhe që planifikojnë një investim fillestar prej së paku 25 milionë euro, kualifikohen për të përfituar lehtësira dhe incentiva”,-citohet projektligji. Procesi i licencimit dhe monitorimit të subjekteve do të kryhet nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes.

IDEJA

Ideja e prodhimit të armëve në vend u njoftua nga kryeministri Rama gjatë vizitës në vendin tonë të Presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenski. Gjatë vizitës në Tiranë presidenti Ukrainës Volodimir Zelensky, kërkoi bashkëpunimin me qeverinë shqiptare në bashkë-prodhimin e armëve luftarake. Kjo ide e Zelenskit është avancuar nga qeveria shqiptare me hedhjen për konsultim publik të projekt ligjit për “Rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.

Pritet që ky projekt ligj të jetë ndër të parët për diskutime në komisionet parlamentare, e më pas parlament në sesionin e shtatorit. Në projektligj parashikohet se ringjallja e industrisë shqiptare të prodhimit të armatimeve, do t’i besohet “Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes e cila do të jetë pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes”. Kjo agjenci është autoriteti shtetëror përgjegjës për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e sektorit të prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armatimit ushtarak. Për të shmangur shitjen e armëve prodhim shqiptar, në vende nën sanksione ushtarake, qeveria shqiptare në këtë projekt-ligj parashikon një sërë masash.

Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes mban dhe publikon një “listë të zezë” të subjekteve që janë gjetur në shkelje shumë të rënda të dispozitave referuese të këtij ligji apo që, nëpërmjet veprimtarisë së tyre të prodhimit apo tregtimit të armatimit ushtarak, kanë cenuar sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare. Shqipëria ka pasur një industri të konsiderueshme të armëve, që lulëzoi veçanërisht në vitet ’70-80 pasi Kina aleate, ndihmoi në ndërtimin e disa komplekseve të reja, ndërsa më herët me ndihmën ruse ishin ndërtuar linja prodhimi. Shqipëria kishte kombinatin e armëve dhe municioneve në Poliçan, përfshi uzinën e armëve të municioneve në Cekin të Gramshit. Ato prodhonin pushkët “SKS”, kallashnikovët dhe disa armë të tjera.

Uzina e lëndëve plasëse në Elbasan por edhe linjat e remonteve të avionëve “Mig” në Kuçovë. Një pjese e pajisjeve të kësaj industrie është konservuar, por asnjë prej tyre nuk prodhon armë dhe municione të standardit të NATO-s. Por tashmë qeveria shqiptare hedh të tjerë hapa për të çuar përpara idenë e prodhimit të armëve në vend. Për këtë u bënë një sërë ndryshimesh ligjore me qëllim krijimin e lehtësirave për kompanitë që do të angazhohen në këtë industri.

RODHIMI I ARMËVE ‘MADE IN ALBANIA’, KOMPANITË 10 VJET PA TAKSA NËSE INVESTOJNË TË PAKTËN 25 MLN EURO! KUSH DO T’I JAPË LICENCAT

PËR RREGULLIMIN E PRODHIMIT, TREGTIMIT, KËRKIMIT DHE ZHVILLIMIT TË ARMËVE, MUNICIONEVE, PAJISJEVE DHE TEKNOLOGJIVE USHTARAKE

KREU III

ZHVILLIMI I AKTIVITETEVE TË LICENCUARA

NENI 9

Licencimi

Prodhimi dhe tregtimi i armatimit ushtarak kryhet, në mënyrë ekskluzive, vetëm nga subjektet e pajisur me licencën përkatëse të lëshuar nga Agjencia.

Subjektet që kryejnë veprimtari në fushën e prodhimit dhe tregtimit të armatimit ushtarak në Shqipëri, përmbushin kritere specifike për marrjen e licencës së aktivitetit.

Subjektet që kërkojnë licencim duhet të paraqesin vërtetim të kapaciteteve të caktuara financiare dhe teknike, përputhshmërinë me standardet e sigurisë, cilësisë dhe besueshmërisë, respektimin e legjislacionit për mbrojtjen e mjedisit, shëndetit dhe jetës së njerëzve, si dhe të mbrojtjen dhe sigurinë e punonjësve të tyre.

Subjektet që paraqesin kërkesë për licencë apo autorizim ndërmarrin detyrimin për të vepruar në përputhshmëri me legjislacionin kombëtar dhe detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, si dhe detyrimin për t’u angazhuar në praktika të mira tregtare.

Këshilli i Ministrave përcakton llojet e licencave, kriteret e detajuara dhe procedurat e licencimit të subjekteve, rinovimin bndhe revokimin e tyre si dhe tarifat e aplikimit për licencim.

Neni 15 Siguria

Subjektet që prodhojnë, tregtojnë dhe shpërndajnë armë ushtarake sipas këtij ligji, hartojnë dhe zbatojnë një rregullore të brendshme, ku parashikohen masat dhe procedurat për të garantuar:

a) mbrojtjen dhe sigurinë e jetës së njerëzve, mjedisit dhe interesave të tjera publike;

b) mbrojtjen dhe sigurinë e shëndetit dhe jetës së personelit;

c) sigurinë e produkteve dhe pajisjeve të prodhimit, mjeteve dhe makinerive speciale, objekteve ku zhvillohen të gjitha fazat e prodhimit, testimit, magazinimit dhe shpërndarjes së armatimit ushtarak;

ç) mbrojtjen dhe sigurinë e të dhënave dhe dokumentacionit që lidhet me prodhimin, projektet e zhvillimit, kërkimin dhe zhvillimin teknologjik dhe industrial, si dhe informacionin mbi marrëdhëniet financiare dhe të biznesit;

d) ndërmarrjen e veprimeve të caktuara në rast emergjence në procesin e prodhimit, tregtisë dhe transportit të armatimit ushtarak;

Subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e këtij ligji, detyrohen të vlerësojnë në mënyrë periodike, përmes raporteve audituese, garantimin e standardeve për menaxhimin e rreziqeve specifike që lidhen me çdo fazë të prodhimit dhe magazinimin e armatimit ushtarak.

Subjektet detyrohen që gjatë veprimtarisë së tyre të veprojnë në përputhje me standardet e njohura dhe praktikat e mira si dhe legjislacionin kombëtar, rregulloret e bashkimit Evropian dhe embargot e sanksionet e vendosura nga institucionet ndërkombëtare, me të cilat Republika e Shqipërisë ka lidhur marrëveshje.

Subjektet që prodhojnë apo marrin pjesë në prodhimin, tregtimin ose transportin e armatimit ushtarak, detyrohen të garantojnë magazinimin e sigurt, në mënyrë që të parandalojnë humbjen ose dëmtimin e armatimit ushtarak. Në rast të humbjes apo dëmtimit të armatimit ushtarak, subjektet, menjëherë dhe jo më vonë se 24 orë nga ngjarja, njoftojnë Agjencinë e Industrisë së Mbrojtjes.

KREU IV

NDERVEPRIMI ME SUBJEKTET PUBLIKE

Neni 18

Trajtimi i informacionit të klasifikuar dhe sekretit tregtar

Të gjitha subjektet që veprojnë sipas këtij ligji janë të detyruar të trajtojnë çdo informacion të klasifikuar dhe sekret tregtar në përputhje me ligjet dhe rregulloret kombëtare për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe të drejtat e pronësisë intelektuale.

Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes dhe institucionet e tjera shtetërore zbatojnë masa të rrepta për të garantuar mbrojtjen e këtyre të dhënave dhe për të parandaluar zbulimin ose keqpërdorimin e tyre.

Neni 23

Llojet e incentivave dhe lehtësive

Subjektet që dëshirojnë të investojnë në industrinë e prodhimit të armatimit ushtarak në Republikën e Shqipërisë dhe që planifikojnë një investim fillestar prej së paku 25 milionë Euro kualifikohen për të përfituar lehtësira dhe incentiva. Këto lehtësira përfshijnë:

a) procedura të përshpejtuara për licencimin dhe regjistrimin e veprimtarisë, sipas legjislacionit në fuqi.

b) norma e tatimfitimit është 0 (zero) për 10 vitet e para të aktivitetit;

c) ulje e tatimit mbi vlerën e shtuar në masën 10 (dhjetë) për qind, për furnizimet dhe shërbimet e nevojshme për prodhimin e armatimit ushtarak, si dhe çdo përjashtim tjetër tatimor i aplikueshëm, bazuar në legjislacionin në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar;

ç) përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë;

d) përjashtim nga taksa vendore dhe qendrore e pasurisë së paluajtshme që përdoren për qëllime prodhimi, për një periudhë 10- vjeçare;

dh) përjashtim nga të gjitha taksat doganore për mallrat, të cilat shërbejnë drejtpërdrejt për prodhimin e armatimit ushtarak;

e) mbështetje për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës ndihmëse, si rrugë, ujësjellës kanalizime, energji elektrike dhe telekomunikacion, të cilat janë thelbësore për funksionimin e aktivitetit të subjektit;

ë) qasje në fonde dhe programe mbështetëse për kërkim dhe zhvillim në fushën e teknologjive të mbrojtjes;

f) mbështetje dhe bashkëpunim në projekte kërkimore, zhvillimin e teknologjive të reja dhe shkëmbimin e njohurive dhe ekspertizës nga Qendra e Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes, në Ministrinë e Mbrojtjes;

g) Mbulimi i shpenzimeve të shërbimeve utilitare, si energjia elektrike, uji dhe gazi, plotësisht ose pjesërisht, te rimbursueshme ose me tarifa preferenciale, për 10 vjet.

Neni 24

Kriteret dhe procedurat e aplikimit dhe miratimit për lehtësitë

Për të përfituar nga lehtësitë e parashikuara në këtë ligj, subjektet aplikojnë pranë Agjencisë, dhe plotësojnë kriteret e përgjithshme:

a) Subjekti duhet te ketë partneritet tregtare me shoqërinë shtetërore te prodhimit te armatimit ushtarak ne Republikën e Shqipërisë;

b) Subjekti duhet të planifikojë një investim fillestar prej së paku 25 milionë Euro dhe një investim te drejtpërdrejtë brenda vitit te pare te aktivitetit prej 5 milionë euro.

c) Subjekti duhet të jetë i regjistruar sipas legjislacionit në fuqi për aktivitetin e prodhimit të armatimit ushtarak.

d) Subjekti duhet të paraqesë një plan të detajuar biznesi afatshkurtër 3-vjeçar, i cili tregon pritshmëritë për zhvillimin e aktivitetit të tyre, përfshirë pritshmëritë për punësim, inovacionin dhe teknologjitë që do të përdoren, si dhe kontributin në ekonominë lokale dhe sigurinë kombëtare.

Dokumentacioni i nevojshëm që paraqet subjekti i interesuar për përfitimin e lehtësive përbëhet nga:

a) Formulari standard i aplikimit, i plotësuar dhe i firmosur nga përfaqësuesi ligjor i subjektit.

b) Dokumente që vërtetojnë kapacitetin financiar për investimin fillestar.

c) Kopje e certifikatës së regjistrimit të subjektit në Qendrën Kombëtare të Biznesit

ç) Kopje e plotë e planit të biznesit afatshkurtër 3-vjeçar.

d) Pasqyra financiare të audituara për të paktën 3 vitet e fundit në vendin e origjinës së subjekteve aplikuese ose, në rast të subjekteve të reja, deklaratë financiare e audituesit të miratuar.

dh) Dokumentacion që përshkruan nevojat për infrastrukturë ndihmëse.

e) Lista e punonjësve të planifikuar për punësim dhe programi i trajnimit për kualifikimin e tyre.

ë) Vërtetim të gjendjes gjyqësore ose një dokument të lëshuar nga një autoritet kompetent, që vërteton se nuk ekzistojnë kushtet e parashikuara në paragrafin 4 të këtij neni.

Përjashtohet nga mbështetja dhe lehtësitë e parashikuara në këtë ligj, çdo subjekt prodhues dhe tregtar, çdo person që është anëtar i një organi administrativ, drejtues ose mbikëqyrës i tij, aksionar ose ortak i subjektit prodhues dhe tregtar, ose ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrëse apo kontrolluese brenda tij, që është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për pjesëmarrje ose financim në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë e armatosur, organizatë terroriste, pastrim parash ose financim i terrorizmit, vepra me qëllime terroriste ose vepra penale të lidhura me veprimtari terroriste, gjenocid, torturë, vrasje, vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike, armëmbajtje pa leje, tregti të paligjshme armësh, krime ushtarake, sulme kibernetike, organizim, drejtim ose financim i veprimtarisë së prodhimit e shitjes së narkotikëve, si dhe i veprimtarisë së trafikimit të narkotikëve, si dhe shfrytëzim i punës së të miturve dhe forma të tjera të trafikimit të qenieve njerëzore.

Agjencia do të vlerësojë aplikimet dhe pas koordinimit me institucionet e tjera shtetërore me të cilat lidhet kërkesa për lehtësi apo incentivat, vlerëson lehtësirat dhe incentivat e përfitueshme nga subjekti, brenda një afati prej 30 ditësh.

Raporti i Agjencisë mbi lehtësirat dhe incentivat paraqitet për miratim në Këshillin e Ministrave.

Kriteret e tjera, procedurat dhe dokumentacioni që duhet të plotësojnë subjektet aplikantë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

KREU VIII

MASAT ADMINISTRATIVE DHE NDËSHKIMORE

Neni 30

Masa administrative

Agjencia ndërmerr procedura administrative dhe merr masa administrative për subjektet e licencuar, që gjenden në shkelje të dispozitave të këtij ligji, të akteve nënligjore, si dhe rregulloreve përkatëse në zbatim të tij.

Masat administrative dhe ndëshkimet kundrejt subjekteve të gjendur në shkelje, apo atyre, të cilët kanë vazhduar të jenë në shkelje pas afatit të vendosur nga autoritetet përgjegjëse për rregullimin e shkeljes, përfshijnë, por nuk kufizohen në, pezullimin ose revokimin e licencës, gjoba financiare, përfshirjen në listën e zeze të parashikuar në këtë ligj, si dhe në rastet e nevojshme, denoncimin para organeve që ushtrojnë ndjekjen penale.

Neni 31

“Lista e zezë” dhe masa ndëshkimore

Agjencia mban dhe publikon një “listë të zezë” të subjekteve që janë gjetur në shkelje shumë të rënda të dispozitave referuese të këtij ligji apo që, nëpërmjet veprimtarisë së tyre të prodhimit apo tregtimit të armatimit ushtarak, kanë cenuar sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Këshilli i Ministrave përcakton masat administrative dhe ndëshkimore të zbatueshme në rast shkeljesh të legjislacionit në fuqi, si dhe përcakton kushtet dhe procedurat e mbajtjes së “listës së zezë”, ku përfshihen edhe shkeljet për të cilat mund të merret kjo masë, si dhe procedurat e detajuara të ankimimit ndaj kësaj mase.

Subjektet, të cilat përfshihen në “listën e zezë”, kanë ndalesë ligjore për:

a) Aksesin në tregje: Subjektet e listuara nuk lejohen të blejnë ose shesin drejtpërdrejt ose tërthorazi armatimit ushtarak;

b) Kufizimin financiar: Asetet financiare ose likuiditetet në pronësi të drejtpërdrejtë ose tërthorazi të subjekteve në këtë listë nuk mund të ndërveprojnë me këtë industri;

c) Restrikcionet e udhëtimit: Individët apo subjektet e listuar nuk mund të përfitojnë licenca të parashikuara nga ky ligj apo legjislacioni në fuqi, të cilat drejtpërdrejt apo tërthorazi shërbejnë për kryerjen e veprimtarive në kundërshtim me parashikimet e këtij ligji;

ç) Sanksionet dhe penalitetet: Subjektet në listë përballen me sanksione të ndryshme, duke përfshirë gjoba ose ndalime të tjera operacionale.

d) Monitorimin dhe kontrollin: Subjektet e listuara mbikëqyren rregullisht për aktivitetet e tyre për të siguruar që nuk shkelin më tej ligjet e vendosura.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re