Për më shumë se 75 vjet, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, ose UNICEF, ka ofruar ndihmë humanitare dhe mjekësore për fëmijët në nevojë.

Me luftërat, urinë dhe ndryshimet klimatike që prekin vendet në mbarë botën, UNICEF-i është i nevojshëm tani më shumë se kurrë më parë, thonë përkrahësit e agjencisë së OKB-së. Korrespondentja Penelope Poulou e Zërit të Amerikës i hedh një vështrim rëndësisë dhe sfidave me të cilat përballet UNICEF-i sot.

Themeluar pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1946 UNICEF-i ka qenë aktiv në mbi 190 vende duke ofruar ndihmë urgjente për fëmijët dhe familjet në nevojë. Dokumentari “If You Have”, nga regjisori, Ben Proudfoot, fitues i çmimit Oskar, nxjerr në pah punën e vazhdueshme humanitare të UNICEF-it në vendet që përballen me luftra, kequshqyerje, mungesë uji dhe mungesë vaksinash.

“Përveç të gjitha emergjencave dhe krizave normale… problemeve të shkaktuara nga pabarazia në botë, është edhe COVID-i. Dhe UNICEF-i, duke qenë shpërndarësi kryesor i vaksinave në botë, tani është një pjesë kyçe e nismës COVAX, e cila ka dërguar 2 miliardë vaksina për njerëzit në botën në zhvillim”, thotë regjisori Ben Proudfoot.

Regjisori Proudfoot udhëtoi në vende të tilla si Gana dhe foli me njerëzit për përvojat e tyre personale me UNICEF-in.

Një prej tyre është Florence Nettie, një nënë dhe gjyshe, e cila e di se për të vazhduar të mbështesë e vetme familjen e saj, ajo duhet të jetë e shëndetshme. Ajo mbështetet nga UNICEF-i që shpërndan vaksinën e COVID-19 në vendin e saj.

“Kam shumë frikë nga virusi. Njerëzit po vdesin dhe unë jam duke kërkuar të marr vaksinën e dytë sot. Po e kërkoj. Unë dhe çdo nënë në Amerikë jemi njësoj. Ajo është qenie njerëzore dhe unë jam qenie njerëzore. Por ne afrikanëve na mungon vaksina”, thotë Florence.

“Ne kemi rreth 14,000 punëtorë të UNICEF-it në të gjithë globin… që punojnë në emër të fëmijëve për t’u siguruar që ata janë të shëndetshëm, janë të arsimuar, të mbrojtur dhe të respektuar”.

Michael Nyenhuis, kreu i UNICEF-it në SHBA, thotë se UNICEF-i vaksinon kundër sëmundjeve rreth 45% të fëmijëve nën moshën 5 vjeç në botë.

Por luftërat e vazhdueshme dhe pandemia COVID-19 kanë penguar shpërndarjen e vaksinave të fëmijëve, duke çuar në një rritje globale të rasteve të fruthit.

Zoti Nyenhuis së fundmi vizitoi një nga qendrat Blue Dot për refugjatët, familjet dhe fëmijët ukrainas në Rumani, pjesë e rrjetit të UNICEF-it. Qendrat Blue Dot – të vendosura në vendet ku mbërrijnë refugjatët – ofrojnë një hapësirë të sigurt për fëmijët dhe familjet e tyre së bashku me shërbime jetike dhe këshillim për shëndetin mendor.

“Dy të tretat e fëmijëve të Ukrainës kanë ikur nga shtëpitë e tyre, janë zhvendosur brenda vendit ose janë larguar nga vendi si refugjatë. Dy të tretat!”, thotë Michael Nyenhuis.

Përveç krizës në Ukrainë, zoti Nyenhuis thotë se një sfidë tjetër është rritja e nivelit të urisë në botë. Ndërsa UNICEF-i shpërndan ushqime me proteina të larta për të zbutur kequshqyerjen e rëndë, ai thotë se qëllimi i vërtetë është të parandalojë vdekjen e fëmijëve nga kequshqyerja.

“Duhet të kemi më pak konflikte në botë dhe duhet ta marrim seriozisht ndryshimin e klimës. Duhet të bëjmë përpjekje për t’u siguruar që bujqësia mund të vazhdojë të lulëzojë në mes të këtyre ndryshimeve, në mënyrë që të mos kemi nevojë për të trajtuar aq shumë fëmijë të kequshqyer”, thotë presidenti i UNICEF-it Michael Nyenhuis./ Marrë nga VOA

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re