Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, 28 palestinezë, gati të gjithë fëmijë, kanë vdekur nga uria në Gaza ditët e fundit. Nesër ky numër do të rritet, dhe të pasnesërmen do të rritet edhe më shumë. Uria nuk është një vdekje nga shkaqe natyrore, aq më tepër në një botë që zhvillohet dhe prodhon më shumë se mjaftueshëm ushqim për t’i ushqyer që të gjithë. Fëmijët palestinezë në Gaza, nuk po vdesin nga uria sepse fermerët përjetuan një sezon shumë të thatë. Vdekja e fëmijëve nga uria, është një zgjedhje politike e bërë nga Izraeli dhe e nxitur nga bashkëpunimi i administratës Biden. Autoritetet izraelite e kanë bllokuar dhe kufizuar në mënyrë të vazhdueshme hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza.

Deri më tani, mesatarisht 168 kamionë me ndihma kanë hyrë në Gaza çdo ditë që nga fillimi i këtij muaji. Pra shumë më pak se 500 kamionët që hynin në Gaza çdo ditë përpara 7 tetorit 2023, dhe shumë larg asaj që nevojitet për të parandaluar vdekjen e më shumë fëmijëve nga uria.

Shumë pak ndihma, për të mos thënë aspak, mbërrijnë sot tek palestinezët e izoluar në Gazën Veriore. Për më tepër forcat izraelite, kanë sulmuar palestinezët që përpiqen të kenë qasje në to. Më 29 shkurt, rreth 120 palestinezë u vranë pasi Izraeli hapi zjarr mbi një turmë njerëzish të uritur që po përpiqeshin të merrnin ndihma në ushqime nga një kolonë kamionësh në qytetin e Gazës, në atë që ka hyrë në histori si Masakra e Miellit.

Viktimat ishin pjesë e një turme të madhe njerëzish të dëshpëruar për të marrë një qese me miell e për të bërë bukë për familjet e tyre. Masakra u dënua nga udhëheqësit botërorë. Por si zakonisht, askush nuk ndërmori ndonjë veprim konkret për të kërkuar llogari nga forcat izraelite dhe për të siguruar që akte të tilla të mos ndodhin më në të ardhmen.

Nga ana e saj, administrata Biden duket se ka hequr dorë nga përdorimi i ndikimit të saj për të ushtruar presion tek kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu që të lejojë hyrjen e kamionëve të ndihmës në Gaza. Vetëm një ditë pas Masakrës së Miellit, presidenti Joe Biden njoftoi se SHBA-ja do të dërgonte ndihma në veri të Gazës.

Kjo lëvizje u kritikua shumë shpejt nga grupet humanitare si joefektive dhe tejet e kushtueshme në krahasim me kamionët, të cilët mund të transportojnë shumë më tepër mallra. Aktualisht qindra prej tyre mbeten të rreshtuar jashtë vendkalimit në Rafah në pritje për të hyrë në Gaza.

Përveç kësaj, hedhjet e ndihmave nga ajri nuk bazohen tek një plan normal shpërndarjeje. Ata që janë më të fortë dhe më të shpejtë mund të marrin ndihmë të parët, ndërsa të sëmurë dhe të dobëtit mbeten me gisht në gojë. Ndihmat e hedhura nga ajri ishin që në fillim një truk publicitar.

Dhe kjo praktikë nisi të shndërrohej në vdekjeprurëse kur parashutat në disa raste nuk funksionuan dhe kur kutitë që lëshoheshin nga lartësitë e mëdha vranë në tokë të paktën pesë palestinezë. Askujt nuk i shpëton ironia e madhe e financimit nga SHBA të bombave që përdor Izraeli për të goditur Gazën, por edhe kutitë e ndihmave që bien nga qielli dhe vrasin palestinezët. Edhe plani i fundit i Biden për të ndërtuar një skelë lundruese, ku mund të dërgohet ndihma në Gaza, krijon më shumë pyetje sesa jep përgjigje.

Sa do të zgjasë? Sa do të kushtojë? Cili është plani i shpërndarjes së ndihmave? A është diçka më shumë sesa vetëm një justifikim për të ngritur më vonë një bazë ushtarake amerikane në brigjet e Gazës? Për fëmijët e Gazës, përgjigjet do të vijnë shumë vonë. Gjenocidi nuk është vetëm vrasja masive e një popullsie; ai përfshin gjithashtu sulmin ndaj kushteve që e bëjnë të mundur jetën.

Ekspertët e ndihmës humanitare, që përbëjnë Komitetin e Rishikimit të Fazës së Sigurisë Ushqimore të Klasifikimit të Integruar (IPC), publikuan një raport më 21 dhjetor të vitit të shkuar, duke ngritur alarmin se 80 për qind e palestinezëve në Gaza, ishin në fazën e katërt (emergjencës) ose të pestë (katastrofës), në shkallën e një pasiguri ushqimore akute.

Raporti paralajmëronte se rreziku i urisë rritej çdo ditë teksa përkeqësoheshin vazhdimisht kushtet e jetesës. Ky raport u publikua më shumë se tre muaj më parë dhe shumë nga parashikimet e tij ogurzeza janë vërtetuar: palestinezët, përfshirë shumë fëmijë, janë duke vdesin nga uria.

Të hënën, IPC publikoi lëshoi ​​një raport të përditësuar, ku theksohet se Gaza Veriore është “në prag të urisë” nga tani dhe të paktën deri në muajin maj. Po ashtu nënvizohet se, që nga publikimi i raportit të parë në dhjetor të vitit të kaluar “nuk janë përmbushur kushtet e nevojshme për të parandaluar urinë”.

Prandaj nuk kemi asnjë minutë kohë për të humbur.  Kequshqyerja është një vdekje e ngadaltë, e cila prek të parët fëmijët e vegjël, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, gratë shtatzëna dhe foshnjat që ushqehen me gji. Ajo është sa e parandalueshme aq edhe e trajtueshme, në rast se ka mjaftueshëm ushqim të shëndetshëm, dhe nëse mjekët kanë burimet e nevojshme.

UNICEF ​​vlerëson se kur trajtohen fëmijët që vuajnë nga kequshqyerja e formës më të rëndë, norma e suksesit, pra e shërimit, është 80- 90 për qind. Në një vend si Gaza, ku forcat izraelite po i vrasin palestinezët që përpiqen të shkojnë të marrin thasët me miell që bien nga qielli dhe që e kufizojnë shumë sasinë e ndihmave që hyn në Gazë, kjo normë bie ndjeshëm.

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se 24 fëmijë në Gaza kanë vdekur tashmë nga kequshqyerja dhe dehidratimi. Por kjo shifër, përfshin vetëm fëmijët që janë shtruar në spital apo familjet e të cilëve e kanë raportuan vdekjen e tyre tek autoritetet.

Kjo do të thotë që ne nuk e dimë realisht se cila është shkalla e vërtetë, pra sa fëmijë po vdesin aktualisht nga uria në Gaza. Sistemi i kujdesit shëndetësor atje ka hyrë në kolaps, dhe me sulmet e vazhdueshme ajrore izraelite dhe trupat tokësore që po pushtojnë Gazën, shumë palestinezë nuk janë në gjendje të shkojnë tek ato pak spitale që po funksionojnë ende.

S’ka ujë të pastër apo ushqim të mjaftueshëm, dhe po përhapen me shpejtësi sëmundje të tilla si diarreja, e cila pengon përthithjen e lëndëve ushqyese. Fëmijët në Gaza nuk mund të presin që Joe Biden të hedhë nga ajri ushqim të mjaftueshëm për dy milionë njerëz, apo të ndërtojë në Detin Mesdhe një skelë lundruese mjaftueshëm të madhe për t’u ankoruar edhe anijet e  mallrave; apo për të vënë në zbatim çfarëdolloj plani që do të shpallë më ditët në vijim, për të treguar se sa joserioze është administrata e tij në parandalimin e vdekjes nga uria të fëmijëve palestinezë. Ata kanë nevojë për një armëpushim të qëndrueshëm, që do të garantojë lejimin nga autoritetet izraelite të hyrjes në Gaza të sasive të mëdha të ndihmave humanitare. Dhe ata kanë nevojë sot për këto ndihma.

*Aktiviste në organizatën “Defense for Children International- Palestine”. jeton në Uashington.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re