Arkitekti Maks Velo do të prehet në varrezat e Tufinës. Ministria e Kulturës ka njoftuar se do të organizojë një ceremoni nderimi për arkitektin.

Për shkak të epidemisë, rregullave të distancimit social, dhe ndalimin e grumbullimeve, Maks Velo nuk do të ketë një ceremoni mortore siç e do zakoni i shqiptarëve.

Ai do të përcillet në banesën e fundit nga morgu në Tufinë.

Ministria e Kulturës njoftoi paraditen e sotme se në pamundësi për të organizuar një ceremoni mortore, siç e meritonte Maksi, Ministria do të organizojë një ceremoni nderimi.

Kushdo që ta nderojë me një tufë lulesh a një kurorë, mund t’i sjellë në ambientet e Ministrisë së Kulturës. Më tej varrimi do të bëhet në Tufinë, në orën 11.00.”

Maks Velo u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare, ditën e djeshme pas një sëmundje të rëndë.

Maks Velo ishte piktor, arkitekt, studiues dhe shkrimtar. Ai vuajti dënimin në burgje gjatë regjimit komunist dhe një pjesë e krijimtarisë së tij i është dedikuar dimensionit të lirisë në diktaturë.

Gjatë viteve të fundit mori pjesë gjerësisht në debatet për menaxhimin e hapësirës publike përmes artikujve publicistikë dhe aktiviteteve të tjera
Maks Velo lindi në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë.

Vendi i origjinës së prindërve ishte Dardha. Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit.

Më pas specializohet për arkitekturë dhe në vitin 1960 merr pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë. Ka punuar më tej pranë byrosë së projektimit të Tiranës. Pastaj, vitet ’78-’79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg.

Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Betonizimi i demokracisë”, “Hetimi”, “Spaçi”, “Jeta ime në figura”, “Klubi Karavasta” “Përkthyesi”, “Jetë paralele”, etj. Si artist, ai krijon në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër është i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re