Deputetja e Partisë Demokratike, Merita Bakiu ka uruar të gjithë nxënësit me rastin e fillimit të ri shkollor. Në një deklaratë për mediat, Bakiu teksa shpreson një një vit të mbarë shkollor rendit edhe problematikat me të cilat haset sot arsimit shqiptar.

Deputetja demokratike ndalet tek mungesa e infrastrukturës, që sic thotë ajo “sot pas 4 vitesh nga tërmeti i nëntorit 2019, ende nuk janë rindërtuar shkollat e dëmtuara prej këtyre fatkeqësive natyrore”.

Një tjetër shqetësim që ngre deputetja e PD është edhe ulja e numrit të nxënësve, që sipas shifrave këtë vit janë regjistruar 1 mijë fëmijë më pak.

Deklarata e deputetes se PD

Ne këtë prag fillimi të vitit të ri shkollor 2023-2024, si një mësuese me përvojë afro 30 vjeçare, si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, anëtare e Komisionit të Edukimit, në emrin tim dhe të forcës politike që unë përfaqësoj, ju përcjell urimet më të mira, mësuesve, nxënësve, vëçanërisht atyre që fillojnë klasën e parë në arsimin bazë dhe prindërve të tyre

Duke shpresuar për një vit të mbarë e të suksesshëm, tërheqim vëmendjen për një sërë problematikash, të cilat mund të pengojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe edukativ në arsimin parauniversuitar.

Ndaj ju siguroj qe përpjekja e Partisë Demokratike do te fokusohet ne te gjitha çështjet e problematikat qe lidhen me arsimin.

Ndër më të spikaturat nga këto problematika do të veçoja:

Infrastruktura shkollore:

Sot pas 4 vitesh nga tërmeti i nëntorit 2019, ende nuk janë rindërtuar shkollat e dëmtuara prej këtyre fatkeqësive natyrore. Më e rëndë situata është në qarkun e Durrësit.

Vetëm Bashkia Durrës, raporton për 14 shkolla e kopshte, që ende nuk do të çelin dyert e tyre ne vitin shkollor 2023-2024 dhe se më shumë se 7200 nxënës, do të bëjnë mësim me dy turne

Në qytetin e Durrësit, gjimnazet ikone, “Gj. K. Skënderbeu” dhe “Naim Frashëri”, presin ende të jenë funksionale Është rasti të sjellim në vëmendjen e opinionit publik, deklaratën e Kryeministri Edi Rama në dhjetorin e 2019-s, në lidhje me rindërtimin e shkollave pas tërmetit. I cili ka deklaruar se “Shkollat, kopshtet, spitalet, qendrat shëndetësore të dala jashtë funksionit, do të rindërtohen nga e para deri në shtatorin e ardhshëm të vitit 2020.

Po ashtu në Tiranë duke filluar nga shkolla “Emin Duraku”, “Musine Kokalari” dhe një seri shkollash të tjera do të jenë në rikonstruksion. Ndërkohë që edhe në shkolla të propaganduara si të gatshme për të filluar procesin mësimor, sikundër është rasti i gjimnazit “Partizani” ende nuk jane vene ne funksion

Çdo vit të ri shkollor syri dhe mendja të shkon tek regjistrimet e nxënësve në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

Të dhënat e marra deri sot tregojnë një panoramë mjaft të zymtë pothuaj në gjithë Shqipërinë. Le të flasim më konkretisht. Sipas të dhënave të marra deri në datën 8 shtator 2023, rezultonte se “27 mijë nxënës , të regjistruar në klasat e dhjeta dhe krahasuar me një vit rezulton të jenë i 1000 nxënës më pak. Shifrat zyrtare pitet të bëhen publike sot  por deri më tani rezulton se  do te mungojnë  33 klasa me 30 nxënës ose dy shkolla me 500 nxënës në arsimin mesëm të lartë.

Situata është alarmante në Bashki të vogla e të mëdha të Shqipërisë. Sipas raportimeve në Bashkinë Kukës, këtë vit shkollor do të ketë 225 nxënës më pak në të gjithë arsimin 9 vjeçar ose gati 8 klasa që nuk do të hapen më.

Në bashkinë e Librazhdit për vitin shkollor 2023-2024 do të ulen 421 nxënës më pak se viti paraardhës

Në Korçë raportohet për 5 klasa të para më pak të hapura në qytet, situatë është e njëjtë në Vlorë e në shumë rrethe të tjera.

Nje problematike tjetër është

Rritja e barrës së prindërve për kostot e shkollimit të nxënësve

Ndërsa flitet për tekste falas e kushte më të mira për shkollim, e vërteta është krejt ndryshe. Ndërsa në arsimin fillor dhe pjesërisht në atë 9 vjeçar librat jepen falas ose dhurohen nga vitet paraardhëse, në arsimin e mesëm kosto e teksteve shkollore shkon nga 100-140 euro, pa mjetet ndihmëse, .

Duhet të sjellim në kujtesën e qeverisë dhe publikut se gati 40% e popullsisë në vendin tonë marrin pagën minimale prej 40 mijë lekësh të reja,

Prindërit paguajnë transportin e fëmijëve që varion 3500-5000 lek të reja në muaj, qëndrimin e fëmijëve të tyre në qendrat e private të studimit, pasi shkolle (e cila përfundon që në orën 12.00 për arsimin fillor) kosto e të cilave shkon nga 12 mijë deri 14 mijë lek të reja në muaj,

Qeveria ka hedhur poshtë propozimet tona per keto problematika

Së fundmi dhe jo pa rëndësi   janë planet, kurrikulat dhe mënyra e mësimmdhënies, që janë paralajmëruar se do të ndryshojnë gjatë kërij viti shkollor.

Kjo tregon se dështimet në arsim, kërkohen të mbulohen me të ashtuquajturat reformat të reja, të cilat sjellin pështjellim në radhët e mësuesve, hutim në radhët e nxënësve dhe më pak mundësi për sukses në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Partia Demokratike ka tërhequr vëmendjen dhe ka dhënë propozimet e saj konkrete, që arsimi të vihet në shinat e duhura.

Ne kërkojmë sërish që qeveria të reflektojë dhe të marri në konsideratë propozimet tona konkrete siç janë:

Rritja e financimit të arsimit, qe duhet të jetë jo më pak se 5% në raport me PPB;

Rritja e pagave të mësuesve në nivelet e premtuar dhe të barasvlershme me rajonin e më gjerë;

Krijimi i kushteve më të mira të punës për mësuesit dhe kushteve për nxënësit;

Rritja e sigurisë së shkollave

Krijimi i një infrastrukture (ndërtesa shkollore, laboratorë, mjedise rekreative etj), për të siguruar një proces mësimor edukativ në nivelet bashkëkohore.

Arsimi është në rrezik dhe ne të gjithë duhet ta kthejmë atë në prioritetin e debateve, masave dhe veprimeve konkrete për të dalë nga gjendja tejet e vështirë në të cilën ndodhet sot

Duke uruar serish një vit të mbarë shkollor, mbetemi të përkushtuar për të ngritur zërin, për një sistem arsimor bashkëkohor por jo të këtij niveli që kemi sot.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re