Daniela Bega, mjeke onkologe ka qenë e ftuar në studion e lajmeve të Fax news, ku ka folur në lidhje me kancerin e gjirit te gratë, që zë vendin e parë sa i takon të gjitha llojeve të tumoreve.

Bega foli mbi faktorët e rriskut, që lidhen me stilin e jetesës dhe faktorët gjenetikë, moshat më të rrezikuara, dhe kontrollet që mund të shpëtojnë jetë.

Mjekja tha se duhet të ketë një komunikim të vazhdueshëm mes pacientëve dhe bluzave të bardha, në mënyrë që të parandalojnë dhe të kapin  në kohë tumoret, dhe më pas të luftojnë për shërimin e tyre.

Teksa po fliste me gazetaren Samena Hasa, onkologia tregoi dhe disa nga shenjat që gratë mund të shohin në trupin e tyre, dhe që janë kambanë alarmi për një kontroll më të detajuar.

“Kanceri i gjirit është tumori i parë që prek më shumë femrat, ne nuk kemi një regjistër kombëtar që të kemi të dhëna të sakta, në 2020 janë diagnostikuar 936 raste me kancer gjiri.

Është e rëndësishme që ne punonjësit e mjekësisë të hartojmë plane dhe strategji për parandalimin e kësaj sëmundje, 1 në 9 femra mund të preken nga kanceri i gjirit, faktor rrisku është një jetë jo e shëndetshme, faktorët që ne nuk mund ti ndryshojmë janë mosha, rrisku më i lartë është mbi 40 vjeç, me rritjen  e moshës rritet edhe mundësia.

E dyta është faktori gjenetik, nëse një femër ka histori të mëparshme të kancerit të gjirit, rrezikon sërish dhe ndaj duhet të ketë kontrolle të vazhdueshme. Nëse një femër ka të pranishme mutacione gjenetike, ka shumë rrisk të preket nga kanceri i gjirit, përqëndrimi shumë i lartë i estrogjenit në gjak, rrit shumë shanset për kancerin e gjirit.

E rëndësishme është që të kemi komunikim të vazhdueshëm me mjekët, duke filluar nga mjekët e familjes, duhet të ketë vetëkontroll të vazhdueshëm të gjirit, nëse një femër ka një rrisk të lartë, i rekomandohet që të kryejë një kancer të gjirit.

Nëse e afërmja, gjyshja, tezja, mamaja është diagnostifikuar me kancer të gjirit në moshën 40 vjeçare, një grua duhet ta bëjë më herët kontrollin e gjirit, në moshën 30 vjeçare. Kujdesi për shëndetin lë për të dëshiruar, ka ndikuar dhe pandemia, në uljen e numrit të kontrolleve rutinë.

Kanceri i gjirit mund të zhvillohet edhe gjatë shtatzënisë, në momentin që bëjnë një ekografi gjatë shtatznisë të bëjnë dhe një kontroll të gjirit, ngatërrohet klinika me shenjat e paslindjes, në shumë raste vijnë në stad të avancuar.

Parandalimi është parësor, por në momentin që masa është prezente ajo që mund të bëjmë ne është ta zbulojmë në kohë, në mënyrë që të mos ketë mbingarkesë me mjekime më pas. Grupmosha më e prekur në vendin tonë është ajo ndërmjet moshave 40-59 vjeç.

Kanceri i gjirit për fatin e mirë është një tumor që mund të kapet dhe të parandalohet, dhe është shumë e nevojshme informimi mbi faktorët e rriskut.

Gjëja e parë që ato mund të vënë re është ndryshimi i lëkurës së gjirit, sekrecionet, ose ndryshime në kokën e gjirit. Më pas janë gjendrat që mund të jenë në pjesën pranë sqetullës, por mirë është që të bëjnë mamografi skrinuese, që i zbulon gjendrat kur ato janë më pak se 1 cm.

Kanceri i gjirit mund të prekë më rrallë edhe meshkujt, që kanë të bëjnë me gjenetikën e tyre.

Në vendin tonë është për të ardhur keq që shumica e tumoreve zbulohen në fazën e tretë apo të katërt, shkalla e vdekshmërisë në këtë fazë më pas është shumë e lartë”, u shpreh Bega.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re