E gjithë Italia nga nesër do të jetë një karantinë kundër koronavirusi. Lajmi është konfirmuar nga kryeministri Italian Conte i cili ka vendosur që i gjithë vendi të futet në karantinë duke ndaluar lëvizjet e brendshme.

“Nuk do të ketë më një zonë të kuqe. Masat kufizuese shtrihen në të gjithë Italinë” ka thënë Conte.

Me anë të një deklarate për mediat Conte ka shtuar se infektimet dhe rastet e vdekjeve nga virusi vdekjeprurës po përhapen me shpejtësi dhe për këtë shkak duhet që të merren masat për të shpallur karantinë të gjithë Italinë.

“Lëvizjet vetëm për punë, domosdoshmëri apo shëndet. Lëvizjet në të gjithë Italinë do të jenë të mundshme vetëm për arsye të punës, domosdoshmërisë apo shëndetit”, njoftoi Conte.

Më tej Conte është shprehur se do të ndalohen të gjitha tubime, aktivitetet sportive dhe mbledhjet e tjera masive të njerëzve.

“Numrat – përsëriti Conte – na tregojnë se ne kemi një rritje të madhe të njerëzve nën kujdes intensiv dhe për fat të keq edhe të personave që kanë vdekur. Zakonet tona duhet të ndryshohen tani: të gjithë duhet të heqim dorë nga diçka për të mirë të Italisë. Ne duhet ta bëjmë atë menjëherë dhe do të kemi sukses vetëm nëse të gjithë bashkëpunojmë dhe përshtatemi me këto rregulla më të rrepta. Stop të gjitha ngjarjet sportive” tha Conte.

Kryeministri italian tha më tej se “nuk ka asnjë arsye pse të vazhdojnë aktivitetet sportive, ne kemi ndërmarrë edhe veprime për këtë”.

Kujtojmë se dje qeveria italiane vendosi të zgjerojë zonën e kuqe në tërë Lombardinë dhe 14 provinca të tjera të shpërndara midis Piemonte, Emilia Romagna, Veneto dhe Marche, një masë që preku rreth 16 milion njerëz, ndërsa nga nesër e gjithë Italia do të jetë një “Zonë e Kuqe” karantine.

Në Itali, janë 463 të vdekur, 7.985 të infektuar, 724 të shëruar; vetëm gjatë 24 orëve të fundit, bilanci i viktimave nga koronavirusi në Itali u rëndua me 97 vdekje.