A e dini ku është problemi?

Problemi është te defekti.

E defekti është Hashim Thaçi.

Dhe sa për rikujtim, se shpejt po harrohen gjërat e rëndësishme:

Defektin e krijoi LDK-ja. LDK e atij liderit të rastësishëm që udhëheqës kurrë s’u bë. LDK e atij tipit i cili, fiks sikur Aziz Buteflika i Algjerisë, ka vendosë ta qetësojë frustrimin e vet duke u kap për karrigen e partisë deri në frymën e fundit.

Origjina e defektit ishte thjesht apetiti i disa frikacakëve të LDK-së për pushtet dhe fuçi. Për një copë tortë të cilën s’arritën as ta hanin deri në fund. Se kur s’ta do s’ta do… A ju kujtohet si mbeten pa pushtet brenda një dite sapo plani i pronarëve të tortës u realizua.

Por…defekti që LDK e krijoi duhej mbajtur në jetë, i duhej oksigjen politik për vazhdim tutje.

Dhe këtë oksigjen ia sollën dy ngjarje:

1) krijimi i qeverisë më injorante, më joparimore dhe numerikisht më të madhe në botë. S’ka gjë më të rrezikshme në jetë sesa injoranca kolektive.

2) ndarja e VV-së në dysh me nismën e riparuesve të Kaqusha Jasharit.

Këto dy ngjarje e kanë betonuar trajktoren shkatërruese të planit politik për shpëtimin e banditëve në kurriz të Kosovës dhe popullit të saj.

Mund ta shtojmë këtu edhe një faktor të tretë oksigjendhënës, e ai është LDK-ja. Partia historike e cila nga viti 2006 ka mbetur pa lider dhe që nga ajo kohë s’është tjetër veç fantazmë politike që mbijeton nga rastësia në rastësi, duke llogaritur në kombinime politike që të tjerët do t’i bëjnë në vend të saj.

Shikoni miq, n’Kosovë ka shumë amnezikë por jo të gjithë harrojnë.

Mos harroni! Se kujtesa i riparon gabimet.

p.s. nëse dikush mendon se kam urrejtje ndaj ndonjë partie, ju lutem rilexojeni tekstin. /tesheshi.com/

*Profesor i shkencave Politike në Universitetin “Paris-Est”, Francë

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re