18 qershor – Rilindja rurale duhet të shtrihet në njësitë që janë asete për paketën turistike që ofron Berati, si Droboniku apo Malinati.

Kandidati i Partisë Socialiste, në bashkinë e Beratit, Ervin Demo ka shpalosur në një intervistë për ERTV, projektin e tij për katër vitet e ardhshme në krye të kësaj bashkie.

“Berati duhet të bëhet një qytet që ofron standarde jetese të pranueshme për banorët e lagjeve të çdo njësie ku pushteti vendor nuk ka ndërhyre prej vitesh”, theksoi ai.

Lagjet e Beratit, sipas tij, janë të paprekura prej vitesh dhe është e nevojshme ndërhyrja në blloqet e pallateve, kthimi i shesheve dhe këndeve të lojërave të fëmijëve, ambienteve për moshat e treta.

“Ne duhet të krijojmë një format shërbimesh që të jenë më pranë qytetarit për çdo banor, të çdo njësie. Nevojitet gjithashtu që një pjesë e shërbimeve të përmirësohen me futjen e teknologjisë duke rritur aksesueshmërinë në to. Kemi mundësinë që shumë shpejt të hapim zyrën ADISA në bashkinë Berat, që nuk e kemi pasur deri sot. Bashkia duhet të kthehet në magnet të shërbimeve publike, të sjelljes së tyre më pranë qytetarëve”, tha Demo.

Ai shtoi se në këto katër vite bashkia nuk ka menduar për banorët e vet, dhe se “në çdo njësi hasim të njëjtat probleme që tregojnë keqadministrimin nga menaxheri aktual i Bashkisë”.

“Bujqësia është sektori i dytë më i rëndësishëm në Berat. Bashkia duhet të kishte punuar me rrugët që mundësojnë aksesin në tokat bujqësore, që fermerët të kenë mundësi të aksesojnë tokën e tyre dhe të zbresin produktet në treg. Ka nevojë për një riorganizim të tregjeve që konsumatori të afrohet me tregtuesit. Duhet krijuar një pol i ri ku të përmblidhen të gjitha tregjet. Kam një plan masash për përmirësimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse në zona të caktuara të bashkisë”, tha Demo lidhur me sektorin e bujqësisë.

Në zona si Droboniku dhe Malinati apo Qafë-Dardha, sipas tij, duhet vepruar me rilindjen rurale sepse ato pasurojnë paketën turistike që Berati ofron përveç qendrës historike.
“Operatorët privatë turistikë kanë ecur me hapa më të shpejtë se sa vete bashkia për të krijuar një shtrat për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit. Ka një rritje të kapaciteteve të dhomave dhe partneriteti me operatorët turistikë do të jetë shtylle e zhvillimit të qytetit. Ne do të incentivojmë bujtinat në zonat muzeale për të mos i lënë bosh shtëpitë e Mangalemit, por t’i vemë në funksion të turizmit”, theksoi ai.

Një nga prioritetet e Ervin Demos do të jetë edhe shndërrimi i Beratit në qytetin e shpresës për gjeneratën tjetër.

“Bashkia duhet të kontribuoje që të rinjtë ta shohin Beratin si qytetin e shpresës përmes mundësive për ta. Nëse ata do afroheshin për të kontribuar në institucionin e bashkisë ne do të ishim me fat. Ndaj do të ngre një skemë për mbështetjen e studentëve ekselentë. Bashkia aktuale dhe qasja e saj ka qenë një nga arsyet pse të rinjtë largohen, veçanërisht për mënyrën e ofrimit të shërbimeve”, tha kandidati socialist.

/gj.mima/ /a.g/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re