Komiteti Teknik i Ekspertëve në një komunikim për mediat qetësoi popullatën, ndërsa theksoi se një mbyllje e dytë për vendin do të ishte opsioni i fundit sipas skenarëve. Kreu i ISHP-së, Albana Fico, theksoi se vendi ynë është akoma në momentin kur ndërhyrjet e bëra do të lejonin që të vijohej me monitorimin e situatën.

“Të jemi të qartë se kjo është një situatë që vlerësohet në dinamikën e vetë. Sot që flasim, opsioni i mbylljes së Shqipërisë, do ishte versioni i fundit sipas skenarëve. Sa i përket ecurisë së indikatorëve që duhet të masim situatën, jemi akoma në momentin kur ndërhyrjet e bëra do të na lejonin që të vijojmë duke monitoruar situatën.”, tha ajo.

Duke u ndalur tek pyetja se pse vonohen përgjigjet e tamponit, Fico tha; “Le t’i referohemi diçkaje konkrete. Sot që flasim ISHP kthen përgjigje 24 orë deri në 72 orë. Edhe në daljet tona si specialistë, të gjithë kanë një lloj prioritizimi. Personat e shtruar në spital, 127, apo mësuesit dhe personeli mjekësor. Përgjigja ndaj këtyre grupeve janë 24 deri në 48 orë. Për sa i përket rasteve asimptomatikë, e rëndësishme është që të kemi mirëkuptimin e qytetarëve. Nëse familjari juaj është simptomatik dhe vuan nga nje semundje dhe është në një spital, a do të ishte e arsyeshme që të shkoni ju para atij?! Nëse një person ndihet pa qejf, dhe mendon se ka simptoma të COVID-19, është përgjegjësi e tij që të izolohet menjëherë dhe s’duhet të dalë nga shtëpia. Sa i përket personave që dyshojnë se janë të infektuar me COVID, kanë shenja, detyra e tyre është që të qëndrojnë në shtëpi. Ne kemi shtuar numrin e testimeve të kryera. Le të kuptojmë se në këtë gamë të madhe të kryerjes së testimeve, mund të mbetet dikush pas. Por kjo nuk është norma, por përjashtimi.”.

Ndër të tjera Fico u pyet dhe për faktin se si do të veprohet në rastin e urbaneve, ku grumbullimet janë më shumë se 10 veta.

“Kjo është një vendimmarrje që kërkon pjesën organizative. Vlerësimi i mbylljes është i parashikuar. Nuk është se nuk e kemi parashikuar skenarët, në një prej të cilëve ndodhemi dhe sot. Ezaurimi i kapaciteteve spitalore është element i rëndësishëm për të konsideruar vijimësinë, për masa drastike të mbylljes së lokaleve. Pa diskutim ne punojmë nga afër me autoritetet lokale që të referojmë këto problematika. Jam e sigurt se do të jetë e menaxhuar në mënyrë që të respektohet një vendim që ka në parim shëndetin.”, tha Fico.

Fico u ndal dhe tek një tjetër çështje sensitive, siç është dhe menaxhimi i situatës në shkolla. “Fëmijët janë pjesa jonë më e ëmbël dhe e dashur. Në vendimmarrjet tona ka qenë dhe ky komponent emocional dhe i shëndetshëm. Do desha t’ju thoja se në vlerësimin që i kemi bërë situatës në shkolla, kemi vlerësuar se nga hapja e shkollave, pra në këto 8 javë, kemi pare të gjitha mekanizmat. S’ka qenë vendimmarrje e lehtë. Njohuritë, shkollimi, shëndeti mendor, karakteristikat epidemiologjike na e kanë lejuar këtë gjë. Monitorohet si situatë. Nëse do duhet, numrat do të ndryshojnë, ne do të marrim vendimin në kohën e duhur.”, -pohoi ajo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re